KreuStil Jetese

Proteina, miti dhe realiteti

Nga Krist Bibolli

Suplementet janë një nga gjërat më të keqkuptuara kur vjen puna tek ndërtimi i trupit. Si pasojë e kësaj, janë të mbivlerësuar dhe të demonizuar kur vjen puna tek “efektet anësore”. Sidomos në vendin tonë, ku ndonjëherë duhet pak më shumë kohë të hyjnë informacionet e sakta. Mjaft të hapësh fotot e dikujt në palestër apo foto të progresit dhe ndër gjërat e para që bie në sy është pyetja “A ke përdorur proteina?” Sigurisht që ka përdorur proteinë. Proteinë, karbohidrate dhe yndyrna. Tre makronutrientët që në vlera që variojnë nga njëri ushqim te tjetri, janë të pranishëm në çdo gjë që hamë gjatë ditës. Mjaft të shohësh etiketën informative të asaj çfarë po konsumon dhe e kupton nga se përbëhet. Organizmi nuk funksionon dot pa proteinën si nutrient. Nuk ndërton dot flokët, thonjtë e për temën në fjalë, nuk ndërton dot muskulaturën. Mesatarisht secilit i duhet 1 gram për çdo pound masë trupore dhe kjo nuk ka rëndësi nga vjen. Pasi zbërthehet në stomak, trupi nuk e bën dot dallimin a vjen prej Suplementit (p.sh. Whey), apo hirrës nga e cila është bërë ekstrakt. As nëse vjen prej mishit apo Proteinës së mishit etj. Kjo sepse në fakt përbërja molekulare është po ajo.

Ekziston edhe një moskuptim i mënyrës si funksionon organizmi në përgjithësi. Kur dikush do të marrë proteinën si suplement, bën shpesh pyetjen “Sa do shtoj me këtë?”. Është e vështirë ti thuash që mund të mos shtojë gjë fare. Mundet edhe të bjerë në peshë. Pas legjendës që i kanë treguar në palestër, është si ti thuash një fëmije që nuk ezkiston babagjyshi i Vitit të Ri. Në realitet është shumë e thjeshtë. Nëse merr më shumë kalori se sa djeg gjatë ditës për një kohë të gjatë, rezultati është rritja në peshë. Kombinuar kjo me kapjen e vlerës të proteinës 1 gram për pound të peshës trupore, lejon ndërtimin e muskulaturës pas një stërvitjeje të mirë. Variablat janë të shumta dhe nuk garanton asgjë. 1 shërbim Whey Protein ka mesatarisht 120 kalori dhe 25 gram proteinë. Një individ të cilit i duhen 3000 kalori për të mbajtur trupin që ka dhe është duke marre 2500 nga ushqimi e 120 nga proteina, wshtw akoma 350 kalori mangut. Kjo vetëm për të qëndruar në peshën e tij aktuale. Nëse arrin të marrë 3000 kalori prej ushqimit dhe 120 prej suplementit, kalon në një shtesë shumë të ulët kalorike. Pas një kohe të gjatë do arrijë të shtojë pak peshë. Kjo ama nuk është pasojë e konsumit të proteinës, por e kalorazhit. Mund të marrë dyfishin duke ngrënë një Snickers, të shtoje peshë 2 herë më shpejt. Nëse ka kapur vlerat ditore të proteinës me ushqimin, është sigurisht në rrugën e duhur për të ndërtuar trupin qe do.

Ky suplement është lehtësisht i zëvendësueshëm dhe absolutisht jo i domosdoshëm për të ndërtuar trupin që do. Cilido që të jetë burimi, zbërthehet në një masë aminoacidesh që organizmi i përdor për qëllimet e tij, edhe përtej muskulaturës. Sa për efektet anësore, nuk ka një studim që të vërtetojë lidhjen e suplementit të proteinës me ndonjë problem shëndetësor. Duhet patur parasysh se edhe uji është i dëmshëm nëse pi në sasi shumë të mëdha. Mjafton ama një diskutim në palestër për të dëgjuar legjendat se si njëri u shtrua në spital, i shpërthyen krahët apo si e la “Proteinën” dhe i ra trupi. Asnjë nga këto nuk bën sens. Përkundrazi, janë komplet qesharake. Është si të thuash që ndaloi së ngrëni pulë dhe nuk njihet më. Nëse të duhen 165 gram proteinë në ditë, në momentin që ndalon së marri 25 nëpërmjet suplementit, duhet ta zëvendësosh me një ushqim tjetër me të njëjtat vlera. Mungesa e proteinës mund ta frenojë progresin, jo mungesa e suplementit. E njëjta gjë ndodh nëse vazhdon ta pish dhe ndalon së ngrëni 4 vezët në mëngjes apo fileton e pulës. Trupit i mungon proteina.

Problematika është e qartë. Në një botë ku informacioni është i pafundëm, në një botë instagrami e fotosh, secili kërkon të arrijë rezultatet më të shpejta e të jetë modeli i ri i revistës apo kampioni i njërit apo tjetrit kampionat. Bota moderne e bodybuilding dhe konkurseve është në ekstreme të paarritshme dhe egoja në palestra në nivelet më të larta. Lind pyetja: Mos ndoshta konsumohet dicka tjetër në prapaskenë, dhe si efektet pozitive ashtu edhe ato negative i vishen proteinës? Vlen te diskutohet ne vazhdim.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF