KreuBusull

Gent Bejko, një sukses i heshtur në filmin e Aronofsky-t!

Nga Sara Gurabardhi

Shkruajtëm, folëm, lexuam, dëgjuam për arritjet e kësaj apo asaj shqiptareje, që u takua apo u komentua nga ky apo ai personazh botëror. Edhe pse një fenomen i gjetur më shpesh në botën e muzikës, zhurma e shkaktuar në media, e kryesisht nëpër portale nuk është e pakët në të tilla raste. Është disi ironike, se më kujton “Youth” të Sorrentino-s: kur vajza e pyet të atin, se me ç’femër e kishte tradhëtuar i shoqi, babai përgjigjet: “Me një që më vjen turp ta them”. “Prostitutë?”, pyet e bija; “Më keq se aq”, i përgjigjet i ati, “Është këngëtare popi!” Eh, nuk është i ri ky si fakt, por    nga ana tjetër ia vlen të theksohet sa herë jepet mundësia. Jo për të ofenduar apo akuzuar, thjesht për të thënë ca të vërteta. Kështu, në epokën e silikonit e botoksit, Instagramit e Snapchat-it, habitesh kur shikon arritjen e një shqiptari në ekranin madhështor të kinemasë, pa u kujtuar mirë nëse ke lexuar ndonjë lajm për të nëpër rrjete apo jo.

I tillë është rasti i Gent Bejkos, artikullin e fundit për të cilin e lexova në një portal, që e kishte kategorizuar kështu artistin si një ndër personazhet që u harruan, për shkaqe emigrimi…Ups. E vërtetë, kur Genti u zgjodh nga stafi i Aronofsky-t për projektin “Mother!”, seç qarkulluan dy-tre shkrime lart e poshtë lidhur me një arritje të tillë, por çdo gjë mbeti me kaq. Madje, nuk u cilësua shumë si arritje, më tepër se sa një lajm tjetër ndër historitë e personazheve. Me siguri do të ketë qenë ndër lajmet më pak të klikuara, sepse Genti nuk ka as gjoks, as vithe, as buzë, as flokë marramendës; Genti ka talent, por kjo nuk është se i hyn kujt në xhep në Shqipëri. Që të mos lodheni më shumë, duhet të keni parasysh vetëm një porosi: filmi i Aronofsky-t është në listën e të pavdekshmëve, dhe po aq i pavdekshëm do të jetë fakti që Genti flet shqip, përballë Jennifer Lawrance, në shesh-xhirimin e një prej regjisorëve më të mirë sot për sot! Po, flet shqip! Në një skenë masive me figurantë, Bejko flet shqip. Në tabloidin modern të historisë së njerëzimit (se i tillë është “Mother!), Bejko flet shqip! Flet shqip dhe nuk lodhem duke e thënë, sepse nga e gjithë paraliza emocionale që të kapërdinte nga filmi, fraza “A ka noj gjo ajo?” të shtangte akoma dhe më shumë. Dhe ja, ti ishe aty, duke dëgjuar gjuhën tënde, në një nga kryeveprat e kinemasë, thënë nga ai aktori/regjisori që ti e harrove dhe vazhdon ta harrosh, sepse ne jemi aq jashtë historie, saqë dhe festat kombëtare i festojmë në bazë të partive në pushtet. Por, nuk mjafton një popull për të venitur një të vërtetë, dhe besojeni ose jo, shqipja e folur nga  Genti tek filmi i Aronofsky-t, është një nga arritjet që ia vlen të bërtitet me zë të lartë, aq sa mos të harrohet më asnjë e vërtetë e rëndësishme.

A i bëri Genti publicitet vetes? Jo, se po të ishte i tillë, tashmë do të ishte rikthyer në Shqipëri, i joshur nga ofertat mediokre që ky vend ofron në shkëmbim të artit të katandisur në banalitet. Urime nga zemra Bejkos, e falemnderit për mbërthimin emocional që shkaktove me atë frazë të vetme. Lart e më lart!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF