KreuStil Jetese

Eleganca e këmishës së bardhë

Historia e një prej veshjeve më unike në historinë e modës, nga portreti i Marie Antoinette tek modelet androgjene të Marlene Dietrich, versionet sensuale të Kim Bassinger dhe ato sportive të Dirty Dancing.

“Ne jemi formësuar nga ajo që duam”, ka thënë Gëte. E tillë është këmisha e bardhë në jetën e njerëzimit, ajo ka modeluar stilin tonë sipas çdo epoke dhe çdo situatë. Ajo është një prej atyre veshjeve që në çdo fazë të jetës tonë, hyn dhe del nga gardëroba e kujtdo në gjithfarë forme, ngjyrash dhe modeli. Atëherë kur kemi menduar se nuk na hyn në punë, na duhet patjetër. “Këmisha e bardhë, është një copë e thjeshtë veshjesh me elegancë të dyfishtë” – e quan Helmut Lang.

Do të ishte Marie Antoinette, ajo e cila u shfaq e para me këmishë ‘a la Riene’ përmes portretit të Elisabeth Vigee-Lebrun, duke shkaktuar një skandal të vërtetë. Mendohet se ajo bëri paraqitjen e saj të parë publike në sallonet e Parisit me një këmishë vishnje, e cila duket qartë në portretin e saj të 1793-it. Por historia tregon se para saj, ishte perandoresha e Francës Eugenia e cila veshi një Camicia Rossa, për të treguar se çdo grua mund të kishte një stil ndryshe.

Nga koha e Mesjetës këmisha ka ekzistuar si një veshje por përdorej nga meshkujt si fustan nate, por asokohe nuk kishte jakë, as mëngë të ngushta. Materiali bazë ishte prej liri dhe prej mëndafshi. Vetëm në shekullin 18-të, këmisha u bë një veshje e zakontë, duke i shtuar qëndismat dhe dantellat në pjesën e jakës, mëngëve apo të bustit. Në shekullin e 19-të ajo u zbukurua me detaje frudash të theksuara, duke u kthyer në simbol të pasurisë, vishej nga aristokratët dhe kjo reflektohej nga ngjyra e bardhë.

Ditët e arta nisën kur filloi të prodhohej masivisht në fabrika: ishte ky momenti kur këmisha u spostua edhe te gruaja. Ndërkohë dizajni sa vinte bëhej edhe më i thjeshtë, me jakë më fikse dhe me stil më sportiv. Deri në fund të shekullit të 19-të, revolucioni i vërtetë arriti deri në ndryshimin e ngjyrës bazë, duke u zhvendosur nga e bardhë në tonalitete të tjera, ku ajo e kaltër dhe blu mbeten konkurentet e të gjitha kohërave.

Në fund të Luftës së Parë Botërore u shfaq një transformim i madh, sepse këmishat u bënë të gjitha me butona. Rezulton se këmisha e parë e regjistruar si markë është Davies & Co në fillim të vitit 1871. Në vitet 1930, këmisha me jakë të fiksuar u ringjall, ndërsa 20 vjet më pas u prezantua këmisha prej najloni. Në vitet 1960 u shfaqën për herë të parë xhepat në gjoks, kjo si pasojë e jelekut nën xhaketën e kostumit. Edhe pse këmisha prodhohet më shumë për meshkujt, variantet dhe stilizimet e atyre për femra janë ato që bien më shumë në sy, kjo më shumë për faktin se thuajse çdo sezon stilistët prezantojnë modele të reja, copa dhe dizenjo unike.

Po si u bë këmisha e bardhë një element kryesor i modës? Gjithçka ndodhi diku rreth viteve ’40, kur këmisha e bardhë u shfaq e veshur nga aktoret e njohura të kinemasë.

Pas efektit që pati në publik, thuajse çdo stilist nisi të dizenjonte këmisha, por emrat që e revolucionarizuan ishin: Dries van Noten, Coco Chanel, Donna Karan, Vivienne Westwood, Alberta Ferretti dhe e mençura Carolina Herrera, e cila edhe i preferon vetë. “Duket e pabesueshme, por këmisha e bardhë ngjan e pamjaftueshme. Mund të kesh një prej liri, apo mëndafshi, me mëngë të shkurtra apo të gjata, me jakë të vogël apo të madhe. Secila prej tyre ka një stil unik, mund të vishet dhe kombinohet për situata të ndryshme, ndaj edhe unë kam një dyzinë në dollap”- thotë stilisja Carolina Herrera.

Të apasionuarit pas filmave klasikë do të kenë vënë re në skenat bardhë e zi, sesi gardëroba e aktoreve: Greta Garbo, Katherine Hepburn, Grace Kelly dhe Ingrid Bergman kishte vetëm këmisha të bardha. Por, zyrtarisht e përfshirë në botën e modës, kjo veshje u zyrtarizua në vitet 1920 falë Coco Chanel, duke na sjellë dimensionet e asaj këmishe që njohim ende sot, duke eklipsuar totalisht korsetë, e duke kthyer në vëmendje pantallonat tipike mashkullore.

Në vitet 40-të u duk hapur nga yjet e Hollivudit përdorimi i këmishës së bardhë. Ky model i parë u shfaq në vitin 1938 nga Katherine Hepburn, Ava Gardner e veshi me mëngë të shkurtra dhe pantallona të shkurtra. Në vitet ’50 Audrey Hepburn e ridimensionoi duke u fiksuar me portretin me jakë të ngrirë.

Në vitet shtatëdhjetë, Marlene Dietrich dhe Katherine Hepburn falë interpretimeve të tyre i dhanë një tjetër dimension këmishës përmes pamjeve androgjene, ndërsa 10 vjet më pas çiftëzimi që bëri Ray-Bans me xhaketën e zezë në Blues Brothers ringjalli interesin për të. Emrat që i kanë dhënë një dimension të fuqishëm në botën e modës ishin: Sonya Rykiel, Guy Laroche, Nina Ricci dhe Saint Laurent. Ndërkaq Vivienne Westwood e ridimensionoi modelin e dikurshëm në version pirat me struktura dramatike dhe masa të bollshme. Shumë shpejt këmisha u kthye në një kod veshje edhe për administratën, madje edhe gratë e politikës nisën të shfaqen me këmisha me jakë të vogël mbërthyer pas qafës, duke reflektuar një stil i cili edhe pse në fillim ngjasonte paksa mashkullor, me kalimin e viteve fitoi individualitetin e tij.

Nisi një epokë ku këmisha po dekorohej me stoli dhe këtë risi e solli Princ, i cili u shfaq duke kërcyer rock me aksesorë të shdritshëm në jakë e mëngë. Një moment mjaft interesant ishte shfaqja e Kim Basinger në filmin “Nëntë javë e gjysmë”, ku skena që ajo kërcen në një moment të zjarrtë me një këmishë puthitur pas trupit nuk shlyhet lehtë nga kujtesa. Një skenë e ngjashme u përsërit një vit më vonë në 1987 në Dirty Dancing, duke ndezur trendin e këmishës së lidhur tek kërthiza. Komunikimi vizual përmes këmishës në këtë periudhë tentoi drejt minimalizmit, sidomos falë stilit konceptual të Martin Margiela, Calvin Klein dhe Donna Karan, dhe modeleve britanike të Burberry dhe Prada, një stil purist i cili u përqafua masivisht.

 

Në 100 vjetorin e revistës Vogue, kopertina e saj u mbulua nga modele të cilat kishin të veshur një këmishë. Ishte momenti për të festuar jo vetëm ditëlindjen e një prej mediave më të mëdha në botë, por edhe për të treguar se kjo veshje, sa e thjeshtë, aq edhe e komplikuar kishte hyrë pashmangshmërisht në jetët tona. Këmisha i dha jetëve tona stil, elegancë, e ka ç’dramatizuar por edhe kornizuar sipas momenteve kur e kemi veshur.

 

 

 

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF