Franco Noriega, chef-i superseksi 0 21

Nëse shprehja e lashtë “mos i besoni një kuzhinieri thatanik” është e vërtetë, atëherë Franco Noriega mund të jetë ekuvalentja njerëzore e helmimit nga salmonela! Megjithatë, nuk është për t’u shqetësuar, për aq kohë sa Noriega nuk ka aspak lidhje me thatanikët; përkundrazi. Rreth 189 cm i gjatë, me një karrierë të suksesshme në botën e modelingut, e muskuj abdominal më të shpeshtë se sa thikat në kuzhinë, Franco do t’ju shtojë dëshirën për të ngrënë. Tashmë, pronar i një restoranti në pjesën lindore të New York-ut, klientët e vizitojnë ‘Baby Brasa’-n për një arsye më shumë, se sa thjesht shijimin e një vakti të shëndetshëm. Noriega sjell më të mirën e kuzhinës së vendlindjes së tij – pikërisht Perusë. “Njerëzit në Peru janë tepër të interesuar në të ngrënit, pa qenë koshientë lidhur me këtë fakt”, ka rrëfyer modeli gjatë një interviste. I ardhur nga një familje e lidhur ngushtë me biznesin e restoranteve, jo vetëm që e ka trashëguar një aktivitet të tillë, por ka qenë dhe dashuria e lidhja me kuzhinën vendase, për ta shtyrë të përpiqet me çdo kusht, që të jetë pjesë e industrisë ushqimore. Dhe ja, për aq kohë sa po i referohemi si shef kuzhine, faktet flasin vetë.

Ndoshta, teksa shihni fotot (eh, fotot!) e paraqitura posaçërisht për ju, mund të mendoni se Noriega nuk e shijon sa duhet atë për të cilën po punon fort: ushqimin, me pak fjalë. Epo, kemi vendosur t’ju çmendim deri në fund, duke ju thënë se Franco konsumon shumë ushqim, vetëm se, si gjithmonë, përzgjedh produktet e duhura. Shoqëruar kjo me stërvitje për arritjen e një trupi të tillë, (sidomos) djemtë do të shpresonin të kishin pranë vendbanimit të tyre, një restorant si ‘Baby Brasa’. Por, nuk duam të jemi në vendin e një mashkulli, e të shkonim me të dashurën në një vend të tillë. Pse? Franco Noriega shërben i zhveshur! Kush tha që muskujt ekspozohen vetëm në pasarelat e Dolce&Gabbana-s?

Noriega ka rrëfyer se e para gjë që bën sapo mbërrin në shtëpi është zhveshja, dhe menjëherë pas kësaj i drejtohet kuzhinës për të gatuar. “Kam gatuar krejtësisht i zhveshur për një kohë shumë të gjatë tashmë, duke përdorur thika dhe mjete të tjera kuzhine, kështu që në këtë pikë ndjehem plotësisht rehat, edhe kur ndaj ushqimet në copa”. Edhe pse ngjason më tepër me metafora erotike, në fakt kjo është thjesht një mënyrë që modeli ka zgjedhur të promovojë biznesin e tij. Të paktën, kështu shihet së jashtmi, për aq kohë sa Noriega këmbëngul që ndryshe nga bota e modës, këtu nuk është i detyruar të pozojë për hir të shitjes së pjatave në menu. Të gjithë këtë mënyrë jetese e biznesi të pazakontë, modeli preferon ta quajë si: “…të përdorësh asetet e lindura për përfitime personale”.

Por, përtej muskujve e trupit të formuar nga koka tek këmbët, çfarë ofron tjetër kuzhina e ‘Baby Brasa’? Pula e gatuar shëndetshëm, ashtu sikurse sallata e mbuluar me fara susami, janë padyshim dy nga produktet që nuk mungojnë kurrë në menunë e restorantit. Franco rrëfen se peshku preferohet së shumti, por ka vetëm një problem: është shumë i shtrenjtë, nëse jeton në Peru. “Është në fakt për të qeshur, për aq kohë sa ne jemi një vend peshkimi”, shton modeli. Rosto e pulës është një ndër pjatat e preferuara të ‘Baby Brasa’, ashtu sikurse ushqimi i shëndetshëm i ofruar nga kuzhina e restorantit është aq i shijshëm, sa Franco këmbëngul: “Nëse fillimisht klientët vijnë për të më parë mua, herën e dytë rikthehen për të shijuar gatimin”.

E së fundmi, çfarë dimë ne për karrierën e tij si model? Fotografi Mario Testino ishte i pari që e rekomandoi tek Dolce&Gabbana. Mirënjohës pafund për Testino-n, Franco rrëfen se falë tij, është ngjitur drejt e në majë, pa iu dashur të kalojë shumë procedura në biznesin e modës. “Menjëherë, bashkëpunova me D&G, Burberry, Calvin Klein”. Megjithatë, Norhal mendon se suksesi i vërtetë në fushën e modelingut janë femrat. Duke i cilësuar si më të mirat lidhur me kontrollin kreativ dhe rëndësinë që i karakterizon, Franco shton: “Ka kaq shumë modele femra, emrat e të cilave shumica i njohin përmendësh. Kur vjen puna tek meshkujt, me vështirësi mund të kujtosh vetëm pesë prej tyre. Për këtë arsye, ne [meshkujt] duhet të merremi me diçka tjetër.” Jo më kot ka zgjedhur kuzhinën!

Tejet i përkushtuar në biznesin e kulinarisë, me një tjetër restorant të hapur në të njejtin qytet, historia e Franco Noriega-s është ndër më të pazakontat, duke filluar që nga fushat të cilat përfaqëson, e deri tek metoda e zgjedhur për të bërë biznes. Çështje fati…ose jo?

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *