KreuBusull

Jawii Bags, lëkura e dytë nga Xhavit Novolani

Nga Olsi Kolami

Zbuloni çantën e parë Made in Kosovo, çfarë e frymëzon Xhavit Novolanin në krijimet e tij, eksperienca e vyer pranë mjeshtrit turk dhe projektet që e presin

Ai është i pari dhe i vetmi dizajner çantash në trevat shqipfolëse. Xhavit Novolani, është pinjolli i një familje të njohur lëkurëpunuesish, i cili artizanatin e familjes, e shndërroi në një markë ndërkombëtare çantash, e cila po konkuron me emra të tjerë në Ballkan, e më pas nëpër botë. Xhavit Novolani, emri që fshihet pas çdo forme dhe ngjyre që mban firmën Jawii Bags, zbulon përmes këtij rrëfimi për Bordo sesi pasioni për çantat u kthye në profesion, çfarë e frymëzon në krijimet e tij, si i përzgjedh emrat e produkteve që dizenjon dhe planet e afërta, një prej të cilave është hapja e dyqanit të parë në Tiranë.

Jeni rritur në një familje lëkurëpunuesish, ishte një dëshirë apo ndikim, përfshirja juaj në dizenjimin dhe prodhimin e çantave?

Më duhet ta pranoj se në fillim ishte familja ajo që ndikoi në prodhimin e çantave. Më vonë ky pasion, sepse në fillim ishte thjesht një pasion, u kthye në profesion, më ndihmoi të fitoj shkathtësi në të gjitha proceset e realizimit dhe pastaj dizajnimit të çantave.

Kur ka qene kontakti juaj i parë me lëkurat?

Kontakti i parë me lëkurën ka qenë në moshën 10 vjeçare.

Ju keni studjuar në Stamboll, sa ka ndikuar tradita familjare dhe teknikat e reja?

Fillimisht kam kryer studimet e larta në Fakultetin e Modës në Prishtinë në “Akademia Evolucion”, e më pas në Stamboll ku studiova teknikat dhe përpunimin e lëkurës. Por shkolla më e madhe ka qenë eksperienca ime 1 vjeçare në një nga punishtet artizanale më me zë të këtij metropoli. Aty pata fatin të jem nxënësi i një prej mjeshtrave më të njohur dhe të vjetër të Stambollit, zotërues i një teknike të rrallë dhe sekrete të realizimit te çantave. E them këtë sepse ky mjeshter i ruan me fanatizëm teknikat e tij, sidomos njohuritë që ka për çantat e nivelit të lartë botëror, të cilat realizohen kryesisht me dorë, pa përdorur makinë.

Si e kujtoni çastin kur mbajtët në dorë çantën tuaj të parë dhe çfarë emri kishte?

Atë moment e kujtoj me mjaft nostalgji, madje mund edhe ta krahasoj me një lloj përjetimi që kalon në ekstazë të papërshkrueshme sepse nga pika zero, nga asgjë, arrita të krijoj aksesorin kryesor, që në botën e modës njihet me emrin çantë. Atë e emërova me emrin Victory (Fitore).

Ju tani jeni një brand, pse pikërisht ky emër?

Në kohën kur fillova me krijimet e mia isha një fans i lojës së kompjuterit që titullohet Nintendo Wii dhe një super gamer (një fans tjetër i madh i kësaj loje) m’u drejtua me “Hey Jawii”! Ky emër më la përshtypje të madhe dhe vendosa ta titulloj emrin e brand-it të çantave “Jawii”, por edhe mikut i tregova për këtë frymëzim që më solli ai.

Nje stilist çantash si i zgjedh emrat e tyre dhe pse shumica janë emra femrash?

Është më se e logjikshme të jenë emra për gra dhe vajza sepse i krijoj ato për gjininë e bukur. Zakonisht përzgjedhjen e emrit e bëj pasi ta kem përfunduar çantën. Ulem dhe e parafytyroj një grua që do ta mbajë në dorë çantën e brand-it tim dhe ajo grua ose vajzë duhet të jetë e veshur me shumë klas, sepse vetëm në atë mënyrë mendoj se do të ketë përputhje të emrit të çantës me personin që do ta mbajë atë.

Çfarë e identifikon punën tuaj, krijimtarinë apo stilin?

Çdo gjë që shoh dhe më rrethon. Mendoj dhe besoj se thellë tek vetja, jam një guximtar që nuk i frikësohet bashkëkohores dhe mundohem të jem gjithmonë në hap me trendin, megjithatë ajo ngjyra e klasikes nuk dua të mungojë kurrë në krijimtaritë e mia.

A ka elemente të traditës tek dizenjot tuaja apo preferoni modernen?

Po ka shumë shpesh. Në çantat e mia modernen e kam inkorporuar me elemente të kulturës dhe traditës sonë të bukur shqiptare.

Ju keni vite tashmë në treg, jeni shtrirë edhe jashtë atij vendas?

Përveç se në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, “Jawii Bags” është mirëpritur edhe në Turqi dhe dizajnet tona janë mjaft të kërkuara. Më duhet të përmend faktin se disa brand-e të njohura të çantave si: Vakko Damat etj., kanë parashtruar kërkesën për të bashkëpunuar me “Jawii Bags” në fushën e dizajnit. Ndërkohë çantat tona porositen nga shumë vende të Evropës, kryesisht aty ku jetojnë shqiptarë të diasporës të cilët pasi zgjedhin modelin në faqen tonë në Instagram Jawii Bags, bëjnë porosinë dhe dërgesa iu bëhet me postë. Tashmë po fillojmë shitjet online nëpërmjet faqes www.jawiibags.com, në mënyrë që nga shtëpia çdokush mund të ketë një çantë Jawii.

Sa është numri i çantave të krijuara?

Deri më sot janë krijuar rreth 230 dizajne të çantave, megjithatë disa prej tyre ende nuk janë ekspozuar në treg.

Ku mund të gjejnë blerësit produktet tuaja dhe çfarë çmimesh kanë?

Kam një lajm të mirë për të gjitha ato gra dhe vajza që pëlqejnë “Jawii Bags”. Shumë shpejt do hapim dyqanin e parë në Tiranë dhe çmimet do të jenë shumë të arsyeshme, në përputhje me emrin dhe vlerën që përmbajnë.

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF