KreuCelebrity

Sonila Meço kujton mbylljen e “Agon Channel”: “Zgjodha me vullnet të qëndroj larg ekranit…”

Dita e sotme daton me mbylljen e televizionit “Agon Channel” dy vjet më parë. Gazetarja Sonila Meço, një nga figurat kryesore të këtij televizioni ka zgjedhur të tregojë momentet kur i është dashur të flasë mbi momentet e fundit të ekzistencës së “Agon” dhe fikjes së sinjalit.

 

Televizoni i Francesco Becchetti-t kishte mbledhur bashkë emra gazetarësh të njohur e Sonila ishtë një prej tyre, e cila ende sot pas dy vitesh ka vendosur të qëndrojë larg ekranit pasi ende nuk është gjetur drejtësi. Sot Meço ka zgjedhur të ndajë përjetimin e saj përmes një postimi një Instagram, ja reagimi i saj dhe arsyeja pse nuk është rikthyer ende në ekran: “Kur më 10 tetor 2015, pas 14 vitesh karrierë televizive, me prezencë thuajse ditore në ekran, mu desh të dëshmoja fikjen e një sinjali drejtpërdrejtë, nuk mendoja për ç’vinte pas. Me instiktin e gazetarit, ndjeja një ngasje të paprovuar të tregoja një histori të patreguar: të jesh aty, live, duke raportuar mbylljen e një medieje në Shqipëri. Arbitrarisht. Me vullnetin e shprehur të pushtetit, që ende nuk kish pagëzuar ‘kazan’ ç’mbetej. Më mirë ‘shuar’ si media, mendoj sot, se si kazan. Sepse në thelb, po të jemi të sinqertë deri në fund, u fikën të tëra dalëngadalë. Me ndonjë iskër që ende prushon në ‘hirin’ që ka krijuar propaganda. Kanë kaluar 2 vjet, ende nuk e kam shkruar atë histori, të cilën mezi pres ta tregoj. Sepse me gjithë përpjekjen e jashtëzakonshme të disa portaleve për të bërë gazetarí të mirë, rasti i Agon Channel është pasqyrë kristal për të kuptuar llojin e shtetit ku kemi ‘varur’ lëkurën tonë. Sa më e trashë bëhet, aq më shumë i rëndon e aq më i gatshëm është të përdorë pushtetin për ta holluar.

 

Unë zgjodha me vullnet të qëndroj larg ekranit, për sa kohë nuk e kam dëshmuar të plotë atë histori. Misioni i parë i gazetarit është ta tregojë. Dhe në përpjekjen për të mos bërë gabimet e së shkuarës, si shumkush në profesionin tonë, që i është dashur të durojë ca më shumë, për të thënë ca të vërteta sadopak, 2 vjet më ngjajnë çmimi për t’u paguar për të mos iu rikthyer ‘kazanit’, atij pa të cilin pushteti nuk do ‘ziente’ dot të palarat e veta. Atje ku asgjë nuk është e sigurt, gjithçka është e mundur.

Faleminderit me zemër kujtdo që ma kujton me dëshirën për të më parë sërish në ekran! E kam thënë gjithnjë se dhuna vepron shpejt e drejtësia i ka ritmet e ngadalta, por unë kam vendosur të respektoj të dytën, për t’u rikthyer në ekran edhe me një mundësi më shumë për të mos i lënë hapësirë së parës.”

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF