VIP-at që jetuan një jetë në hotel!

Vipat që jetuan gjithë jetën e tyre në hotel, nga Coco Chanel te Oscar Wilde, artistët e njohur të Hollywoodit dhe milionerët që preferuan komoditetin dhe shërbimin në dhomë.

Duket thuajse e pabesueshme të mendosh që e gjithë jeta jote të kalojë si një vizitor, nëse kalon pjesën më të madhe, jeton, punon, fle dhe ushqehesh në një hotel, qoftë edhe nga ata me pesë yje, ku nuk mungon asnjëherë shërbimi dhe përkujdesi në dhomë. Disa nga emrat e njohur, mes tyre Coco Chanel apo Oscar Wilde, Robert de Niro apo Ernest Heminguej, kanë jetuar aq gjatë në hotel, sa ato u janë kthyer në shtëpi. Do të mendoni, po çmimet? Sigurisht ato janë të kripura, por kur bëhet fjalë për 5 dollarë nata, për një prenotim të përjetshëm, ja vlen të jetosh në hotel.

 

 

Hotel Chelsea

Brenda mureve të tij fshihen histori të padëgjuara. Hoteli i famshëm në New York ka strehuar për vite emra të njohur, mes të cilëve: Mark Twain, Leonard Cohen dhe Bob Dylan. Në vitin 1974, Leonard Cohen shkroi “Chelsea Hotel Nr. 2”, një këngë e cila i dedikohej një dashurie me Janis Joplin, e cila jetonte po aty. Në këtë hotel kanë jetuar edhe Andy Warhol, Arthur Miller dhe Jim Morrison. Disa nga dhomat përdoren si muze.

 

 

Chateau Marmont

Kush dëshiron ruajtjen e sekretit, vendi ideal është Chateau Marmont, një prej vendeve ku personazhe të njohur kanë kaluar ditë të zjarrta. Aktori Robert De Niro jetoi për më shumë se 5 vjet në këtë hotel. Aktores Lindsay Lohan ju ndalua të jetojë aty që nga viti 2012, kur u dëbua nga suita 33 ku jetonte, pasi nuk pagoi një faturë prej 46.350 dollarësh. John Belushi, ylli i grupit  Vëllezërit Blues, jetoi dhe vdiq në këtë hotel, po ashtu fotografi Helmut Newton, i cili humbi kontrollin e Cadillac-ut të tij, duke gjetur vdekjen teksa dilte nga hoteli, pasi u përplas me një pemë.

 

 

Hotel Ritz

Nuk ka dyshim që është një nga hotelet me prestigjioze në glob, e sidomos për faktin se aty kanë jetuar personazhe paksa të veçantë. Stilistja e njohur franceze Coco Chanel ka jetuar për rreth 37 vjet në hotel Ritz, një suitë me tri dhoma e njohur tani si suita Coco Chanel. Dhomat superluksoze të hotelit kanë strehuar për vite Charlie Chaplin dhe Ernest Hemingway. Për nder të këtij të fundit, një prej bareve mban emrin e tij. Marcel Proust shkroi këtu romanin “Në kërkim të kohës së humbur”, madje thuhet se shkrimtari kërkoi një birrë të ftohtë nga Ritz në shtratin e vdekjes.

 

 

Hotel Beverli Hills

Ky është po ashtu një nga hotelet me historitë e tij më të bujshme, pasi pjesa më e madhe e artistëve kanë kaluar aty muaj të tërë dashurorë, mes tyre aktorja Marilyn Monroe, ndërsa milioneri Howard Hughes jetoi aty për 30 vjet, aq sa stafi e dinte se pas telefonatës së tij për të porositur drekën, menuja ishte: sanduiç me mish të pjekur.

 

 

Hotel Lowry

Që kur u bë trajner i skuadrës së Manchester United, Jose Mourinho ka jetuar në suitën 411, ku përfshihej përveç vakteve edhe një masazh në dhomë. Vitin e kaluar ai u ankua se situata ishte katastrofike dhe se media e bezdiste.

 

 

Hotel Savoy

Aktori dhe skenaristi Richard Harris, i cili luajti rolin e Dumbledore në filmat Harry Potter deri në momentet e vdekjes jetoi në hotel Savoy. Një pjesë të jetës këtu e ka kaluar edhe aktorja Marlene Dietrich, e cila porosiste rregullisht 12 trëndafila të kuq dhe një shishe Dom Perignon. Oscar Wilde jetoi gjithashtu disa vjet aty, derisa u largua pas probleme që kishte me mysafirët që ftonte.

 

 

Hotel Santo Mauro

Gjatë viteve që ka jetuar në Madrid, David Beckham dhe familja qëndruan në këtë hotel luksoz. Ata kishin prenotuar dy suita me një vlerë 430,000 pound, ku vetëm 80 mijë euro llogariteshin shpenzimet për ushqimin, pijet, lavanderinë, sigurinë dhe telefonatat.

 

 

Hotel Le Meurice

Salvador Dali jetoi në suitën mbretërore për rreth 30 vjet. Artisti i njohur ka pasur shumë teka, ndaj stafi bezdisej tej mase. Një prej kërkesave më të çuditshme, ka qenë kur ai kërkoi t’i sillnin në oborr një tufe me dele, të cilat më pas nisi t’i qëllonte me pistoletë.

 

 

 

 

L’Hotel

Poeti i njohur Oscar Wilde jetoi aty derisa vdiq, edhe pse shpesh ishte në qendër të vëmendjes për shkak të skandaleve seksuale. Ai kërkoi një arredim special të dhomës, duke i veshur muret me jeshile dhe ngjyrë ari, në mënyrë që të frymëzohej, teksa pinte konjak gjatë ditëve të tij të trishtuara.

 

 

Hotel Burgh Island

Shkrimtarja e librave të verdhë Agatha Christie fantazoi në dhomën e këtij hoteli disa nga historitë më të forta të krimit. Pas një marrëveshje me drejtuesit e hotelit, zgjodhi të jetonte aty, duke u shkëputur krejtësisht nga realiteti, ku e vetmja mënyrë kontakti ishte shtypi i përditshëm. Ndërkaq, edhe Winston Churchill, jetoi aty pas luftës, ku vendi më i preferuar ishte dhoma e bilardos.



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.