Horoskopi i ushqimeve

Më thuaj çfarë shenje je, të them çfarë duhet të hash. Zodiaku përcakton përbërësit ushqimorë që i duhen organizmit për të marrë energji dhe për t’u ushqyer shëndetshëm.

 

DASHI

Ju keni tendencë të zgjidhni më shumë pjata të cilat janë të bollshme, por pa hequr dorë nga shijet e forta, sidomos ato djegëse. Ato që ju shkojnë më shumë me aparatin tuaj tretës, por edhe me dëshirën për t’i shijuar, janë sidomos pjatat tradicionale të Amerikës Latine, me shijet e saj të forta ku spikasin speci djegës dhe kanella. Ideale janë fajitas të pjekur në skarë me salcë pikante kiliane, si dhe peshku i pjekur me salcë mangoje.

 

DEMI
Jeni ndoshta shenja që shijon çdo pjatë, ndaj për ju ushqimi është thuajse i shenjtë. Kjo është arsyeja pse ju gjithashtu gatuani shumë  mirë, sepse dini edhe t’i shijoni ato. Ndjeshmëria e qiellzës tuaj vlerëson aromat më shumë se kushdo, sidomos kuzhinat e rralla, si sallata etiopiane me patellxhanë, pula e zier me salcë, hudhër, xhinxher dhe perime. Mbetet e preferuar menuja aziatike, sidomos tradita indiane.

 

BINJAKËT

Ju mërziteni shumë lehtë, ndoshta sepse hani gjithmonë të njëjtën ushqim. Andaj ju jeni gjithnjë duke kërkuar për shije të reja dhe krejt ndryshe nga ato që keni provuar deri tani, sepse doni të guxoni. Jeni nga ata që doni të provoni gjithçka ju sheh syri, nga pjatat tipike deri tek ato më të rralla, siç është roleja e salmonit të tymosur apo supa Uitjut. Provoni një pjatë unike braziliane si karkalecat në avull të gatuar me qumësht kokosi.

 

GAFORRJA

Si një shenjë deti që jeni, vlerësoni sidomos shijet detare, andaj kuzhina japoneze zë gjithmonë vendin kryesor. Fokusohuni te një sushi i mirë, sepse mbetet në krye të listës. Mund të provoni edhe një sallatë me alga dhe iriqë deti. Jeni të çmendur pas pjatave me bazë peshkun, sidomos krudot, një supë me salmon të tymosur dhe patëllxhan. Specialiteti i sugjeruar: pjatë indiane spinaq me oriz, djathë, kerri, dhe zaferano.

 

LUANI

Dashuroni ndjesinë unike që ju japin udhëtimet, e rrjedhimisht aventurat e çmendura të kulinarisë që vijnë pas çdo destinacioni. Shija juaj e rafinuar orientohet drejt zgjedhjeve delikate, që nuk synojnë aspak sasinë, por cilësinë, siç mund të jetë ndonjë krem alla francez, sallata jeshile apo ëmbëlsira me  krem karamel. Mund të provoni bashkimin unik të infuzioneve franko-aziatike siç është bifteku me qitro dhe salcë xhinxheri.

 

VIRGJËRESHA

Ju keni tendencë puriste, madje aq shumë të theksuar sa një pjesë e të lindurve nën këtë shenjë, kanë prirje për të qenë vegjetarianë të lindur, ose të paktën preferojnë ushqime gjithnjë të freskëta dhe të lehta. Shmangni patatet e skuqura ose sallamet, sepse ju nuk jeni skllav i kuzhinës. Mund të shijoni pjatat tradicionale, siç është sallata greke apo të tjera me perime, apo synoni receta me bazë ushqimet e ziera.

 

PESHORJA

Jeni gjithnjë në kërkim të harmonisë, ndaj jeni të dashuruar me pjatat japoneze, kineze dhe koreane. Keni maninë të gjeni balancën mes të ëmblës dhe të kripurës, ndaj sugjerojmë të provoni një pjatë që i ka të gjitha këto: pastë koreane me mbushje bazë kastravecin, perime, asparag dhe mish lope. Po kaq interesante për t’u provuar janë edhe specialitetet skandinave, ku kombinohet mishi, peshku, perimet dhe drithërat.

 

AKREPI

Jeni të fiksuar pas kuzhinës indiane, sepse mbi të gjitha ajo ofron shijet e forta dhe ato të duhurat, erëza dhe aroma vërtet ekzotike, që nuk gjenden në asnjë kuzhinë tjetër. Mund të provoni një pjatë ideale si pula me kerri, oriz me shafran, sallatë me kastravec dhe fasule me kerry dhe djathë kremoz indian, shoqëruar me reçel mangoje. Mund të provoni kontrastin midis efektit qetësues të kokosit dhe erëzave pikante indoneziane.

 

SHIGJETARI

Jeni eksplorues të shkëlqyer të shijes dhe eksperiencave të reja, ndaj keni të zhvilluar simpatinë e madhe për pjatat tipike, ato jo fort të përpunuara, që mund të shijohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në formë artizanale. Kuzhina italiane mbetet në vend të parë, kryesisht djathrat dhe sallamet, të cilat doni t’i shijoni me produkte të freskëta natyrore. Në listën tuaj të dëshirave hyjnë sallatet me barishte, fasulet dhe familja e dredhëzave.

 

BRICJAPI

A keni provuar ndonjëherë mish me lakër dhe patate? Janë një vakt tipik irlandez për ata që kanë një stomak të fortë, i cili përballon thuajse çdo pjatë të çdo kulture, sepse ju jeni nga ata persona që kërkoni mbi të gjitha sasi dhe nuk ngopeni kollaj. I apasionuar pas ëmbëlsirave, sidomos atyre me krem dhe shumë sherbet, pa harruar që në krye të menusë tuaj gjithnjë porositen pjatat tipike mesdhetare dhe ato të Lindjes së Mesme.

 

UJORI

Për ju është e nevojshme të jetë një situatë ahengu, në mënyrë që të shijoni gjithçka që ju serviret për t’u ngrënë, në të kundërt nuk keni arsye për të prekur gjë. Kjo është arsyeja përse Shabu Shabu, trendi i fundit japonez është ideal për ju. Është një tenxhere e madhe me mish, perime dhe makarona, e cila çliron shpirtin tuaj, për të kënaqur stomakun, sepse bollëku për ju është po kaq i rëndësishëm sa edhe argëtimi.

 

PESHQIT

Shpirtra të lirë dhe sidomos kuriozë, ju mund të kaloni në mënyrë të papritur nga një shije klasike spanjolle tek një sallatë tipike greke me djathë, domate dhe vaj ulliri, pa folur për pasionin tuaj të madh, atë të kuzhinës fusion. Për të mos u humbur është edhe eksperimentimi kreolo-japonez si torta e kripur me gaforre blu dhe salcën e famshme uasabi, apo karakaleca të pjekura me vaj ulliri, hudhër, pesto dhe spec jeshil djegës.

 

 

Previous ArticleNext Article