KreuBusull

Christy Turlington, një ikonë frymëzimi

 

Jeta dhe karriera e legjendës së modës, nga pasarelat në auditore si studente, nga supermodele në filantropiste dhe mbrojtëse e të drejtave të grave…

Ky është një udhëtim transformues për Christy Turlington, e cila, deri në moshën 48-vjeçare, duket sikur ka jetuar shumë jetë të ndryshme. Supermodelja e shfaqur në mbi 500 kopertina revistash në botë, prej kohësh po ndihmon në luftën për parandalimin e vdekjeve përmes organizatës së saj Every Mother Counts, dedikuar shëndetit të nënës.

Shumë e kujtojnë pamjen e saj në videon e George Michael “Freedom! ’90”, duke ecur këmbëzbathur, e mbështjellë me një çarçaf të bardhë dhe me flokë të shkurtër bjondë-platin, krah supermodeleve Linda Evangelista, Cindy Crawford, Naomi Campbell dhe Tatjana Patitz. Ato ishin tepër të bukura, si perëndi greke të paprekshme nga tokësorët. Një imazh të cilin thuajse nuk e sheh më. Ato ishin të fundit supermodele të plejadës së vajzave që e kthyen modelingun në një biznes të vërtetë dhe ajo nuk e fsheh aspak…!

Christy Turlington Burns, ishte një ndër tre vajzat e familjes së një piloti amerikan. Talenti i saj u zbulua kur ishte 13 vjeç ndërsa kalëronte. U zhvendos në Nju Jork në moshën 18 vjeçare për të ndjekur modelimin me kohë të plotë, kur edhe preku famën dhe suksesin. Përgjatë viteve ’80 dhe ’90, bashkë me Naomi Campbell dhe Linda Evangelista, ato ishin supermodelet e quajtura “Triniteti”, pasi ishin të preferuarat në qarqet e modës, të pranishme në pasarela, fushata publicitare dhe kopertina revistash.

 

Gianni Versace ishte çelësi i suksesit të shkëlqimit të supermodeleve, por qershia mbi tortë mbetej Turlington, e cila u shfaq në disa nga sesionet fotografike më ikonike të fushatës të hershme të stilistit në vitet ’90 të realizuara nga Richard Avedon dhe Irving Penn. Christy Turlington u bë shpejt një nga modelet më të mira me fitime kolosale, aq sa fuqia dhe suksesi i saj revolucionarizoi industrinë e modës. Shumë shpejt ajo firmosi kontrata duke u kthyer në yllin e markave si: Chanel, Yves Saint Laurent, Marc Jacobs, Donna Karan, Prada, Valentino, Louis Vuitton, Michael Kors, Maybelline dhe Calvin Klein. Kjo e fundit ishte kontrata e saj e parë e rëndësishme. “Fillova të punoja kaq e re, aq sa kërkesat e mia në familje ndryshuan për shkak të asaj që fitoja. Isha e barabartë me babanë tim, sepse ky ishte gjithmonë qëllimi im, sepse  burrat dhe gratë janë të barabartë. Duke u rritur, mendova se babai im kishte shumë më tepër autonomi dhe fuqi. Doja ato karakteristika dhe cilësi”-kujton supermodelja. Këto parime e kanë udhëhequr që në krye të herës, duke e nxitur vitet e fundit të ndihmojë në rolin e gruas për një barazi të dukshme mes të dyja gjinive. “Edhe para se të filloja karrierën time – e cila ishte e rastësishme, jo diçka që e kisha planifikuar – qëllimi im ishte pavarësia ekonomike, të mos i përgjigjem askujt dhe të jem në gjendje të krijoj me mendjen time. Pavarësia financiare është pushtet, dhe atë e shoh tek të gjitha gratë të cilat punojmë”.

Ndërsa punonte për dokumentarin e saj, Turlington aplikoi në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, ku studio për një diplomë master në Shëndetin Publik. Ishte hera e parë që po kthehej në shkollë. Në kulmin e karrierës së modelimit, vendosi të aplikojë në universitet dhe u diplomua me nderime. “Kurrë nuk e kam pritur që do të kthehesha në shkollë. E dija që kjo punë nuk do të ishte afatgjatë. Kështu që mendova, ‘Udhëto aq sa mundesh – sepse ky ishte pasioni im i vërtetë’ – dhe pastaj do të kuptosh gjithçka. Falë përvojës, do të isha e qartë për atë ç’ka do të bëja”. Ky largim u bë në heshtje, por që në fakt bëri shumë bujë. Fundja ajo mbetej një supermodele, ikona e vërtetë e femrës së përsosur, që e duan dhe adhurojnë të gjithë.

“Kur motrat e mia dhe miqtë e mi shkonin në shkollë, unë isha duke u marrë me modeling. Më është dukur gjithnjë tërheqëse shkolla, edhe pse e kam bërë me kohë të pjesshme. Nëna ime u kthye në shkollë në të pesëdhjetat e saj, kështu që isha e frymëzuar për të bërë këtë gjë. Doja të dija ç’do lexoja, cilat ishin kurrikulat. Kisha parë dhe përjetuar shumë, por tani doja diçka tjetër”. Ajo ndoqi studimet si çdo student, duke paguar tarifën e studimit, duke zgjedhur kurset që donte, pa munguar asnjë orë leksioni. Sepse ishte ajo që kishte dashur gjithmonë. Madje së fundmi nuk ngurroi të shkruante një letër reference për shoqen dhe modelen Karlie Kloss, e cila gjithashtu vendosi të kthehej në shkollë në kulmin e karrierës duke aplikuar po në Universitetin e Nju Jorkut. “Ajo është një person kaq i bukur,” thotë Christy Turlington.

 

Herë pas here bën edhe modelen. Ajo u bashkua me fushatën e fundit të Tiffany & Co., pa harruar që mbetet fytyra e Maybelline dhe e parfumit Eternity të Calvin Klein. “Kam pasur pesë burra,” bën shaka ajo, duke iu referuar modelëve meshkuj të fushatave të Eternity. “I fundit është Nr.5 ose Nr.6. Nuk mbaj mend saktësisht!” Disa muaj më parë, u bashkua me Linda Evangelista dhe Naomi Campbell për një xhirim në mbështetje të organizatës Elephant Crisis Fund kundër varfërisë. “Të dyja tani jetojnë në Nju Jork, por nuk ka qenë rast ky i takimeve tona. Shkëmbejmë emaile dhe mesazhe shumë shpesh”. Edhe pse Christy Turlington mbetet në kontakt me homologet supermodele, etiketa ‘supermodele’ nuk rezonon më me të. “Kjo është një fjalë që nuk e ndjej si dikur. Nuk shpenzoj shumë kohë duke menduar për këtë apo duke u përpjekur t’u tregoj njerëzve kush jam. Ajo botë tani nuk ka lidhje me mua, edhe pse në karrierën time ka qenë një përvojë e vyer. Përvojat dhe realiteti janë gjëra që nuk dua ti mohoj”.

Bukuria e saj natyrale është ende e përsosur, me disa rrudha që mezi zbulojnë moshën e saj. “Jam pyetur për moshën që kur isha 14 vjeç, si një modele sigurisht nuk po mendoja për atë atëherë apo 20 vjet më vonë. Ndihem më mirë çdo vit që të rritem sa i përket qëllimit tim, prioriteteve të mia dhe përvojave të jetës. Ndjej se gjithçka është më e mirë tek mua, kështu pse duhet të mohoj ose të fsheh këto gjëra? Dua të shoh fytyra që duken si fytyra që kanë jetuar. Nuk e kuptoj pse njerëzit nuk duan të jenë vetvetja”.

Mbrojtëse e të drejtave të grave, ajo ndihet krenare që shumë prej stilistëve që veshin globin sot janë femra. Shumë prej tyre i ka njohur, është kaq madhështore, sesi ato janë rritur kaq shumë, janë bërë kaq të pushtetshme, duke u bërë të barabarta me meshkujt, për të mos thënë edhe më të rëndësishme se burrat.

Modelja e renditur nga revista ‘Time’ në listën e ‘100 njerëzve me ndikimin më të madh’ në glob, e konsideron veten feministe, por më shumë të barabartë. “Dëshiroj të jemi në gjendje të kemi një zë, të përdorim zërin tonë”. Shumë grat janë në poste drejtuese, nga bankat tek teknologjia, nga politika tek biznesi, duke mos i lënë meshkujve gjithçka në dorë, që të mos mendojnë se femrat janë të suksesshme vetëm mbi pasarela. Sepse Christy Turlington, beson se shembulli i saj, do të vazhdojë të frymëzojë shumë njerëz.

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF