KreuCelebrity

Fiori Dardha: “Roberti, një altoparlant fyes! Keqardhje për Verën dhe Alketën!”

Largimi i një prej konkurrenteve nga spektakli “Dance With Me” shkaktoi zhurmë në median e shkruar, ashtu sikurse u vu në qendër të vëmendjes së audiencës. Pas Linda Reit, ka qenë Fiori Dardha ajo që është tërhequr nga ky format, pas një debati të fortë me Robert Alian. Pyetur nga bordo.al, lidhur me këtë ngjarje të fundit, Fiori e ka përmbledhur në pak fjalë qendrimin e saj.

Sipas gazetares, një çështje e tillë nuk ka vend për shumë fjalë: “”Është vetëm aq sa keni parë në ekran”, ka thënë ajo, duke shtuar më tej: “Nuk kam asgjë personale me Robertin, por ai tejkaloi çdo kufi të spektaklit duke u shndërruar në një altoparlant fyes…” Fiori nuk ka ndalur këtu, duke shprehur se edhe kërkesa për falje nga ana e tij, nuk do të mund të ndryshonte këtë situatë: “Çfarëdo që të bëjë Roberti tani, edhe sikur të kërkojë ndjesë në çdo formë, mendoj se është e kotë. Largimi im është i pakthyeshëm.” Nga ana tjetër, gazetarja nuk ngurron të shprehë keqardhje për largimin, pasi sipas saj: “…me Verën dhe Alketën vendosa një komunikim shumë të mirë dhe tek Dancing vërtetë po argëtohesha. Debati i fundit i dha fund gjithçkaje”. Nuk dihet nëse Firoi do të jetë pjesë e natës përmbyllëse të spektaklit apo jo, ndërkohë që rrugëtimi i “Dance With Me” vazhdon natyrshëm, çdo fillim-jave…

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF