Venera dhe Elvana, ja si na rikthyen në modën e viteve ’70!

Rikthimi pas në kohë me anë të veshjeve është një ndër fenomenet që shohim më shpesh në botën e modës. Kanë qenë të shumtë dizanjerët që kanë preferuar të sjellin në qendër të vëmendjes stilet apo detajet e rreth 20 apo 30 viteve më parë, ndërsa blogeret apo personazhet e apasionuara pas ‘fashion’ i janë drejtuar pikërisht këtyre lloj përzgjedhjeve. Duke qenë se shumica e personazheve shqiptarë janë tepër aktivë në rrjetet sociale, vajzat më në zë të momentit shpesh tërheqin vëmendje me anë të veshjeve të tyre.

Këtë herë, ne kemi përgjedhur Venera Lumanin dhe Elvana Gjatën, për një rikthim në vitet ’70, pikërisht me anë të paraqitjes. Fillimisht, disa javë më parë Elvana postoi një foto e veshur tërësisht në të kuqe, e këtu nuk spikati vetëm përgjedhja e veshjes me një ngjyrë të vetme. Kombinimi i getave, fustanit si dhe sandaleve me po të njejtën nuancë është ajo çka të kujton modën angleze të viteve ’70. E njejta paraqitje shfaqet në një nga skenat kyç të filmit ‘A Clockwork Orange’, nëpërmjet personazhit të gruas së një shkrimtari. Edhe pse filmi nuk të adreson drejt një periudhe të caktuar historike, shumica e veshjeve të përdorura në këtë krijim të Kubrick është inspiruar nga moda britanike e viteve të lartpërmendura.

Nga ana tjetër, Venera solli kombinimin e jeshiles dhe getave lejla, gjatë pjesëmarrjes në jurinë e ‘Kënga Magjike 2017’. Po të njejtën përzgjedhje e kemi parë në filmin ‘Blow Up’, lokalizuar po në Anglinë e rreth dyzetë viteve më parë. Cilësuar ndryshe si një nga filmat më influencues në botën e modës, Antonioni ka sjellë ndër të tjera panoramën e stilit lidhur me fotografinë (dhe jo vetëm) në veprën e tij. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Venera guxon të kombinojë ngjyra të ndezura, pasi në sezonin e kaluar e pamë më shumë se një herë të veshur me blu, jeshile apo të tjera kolore në një veshje të vetme.



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.