Filmi i pasdites: Only Lovers Left Alive!

Ndoshta i keni humbur premierat e fundit në kinema, ashtu sikurse mund të keni qenë mjaftueshëm të zënë për të mos i dhënë rëndësinë e duhur shijimit të filmave. Si gjithmonë, sugjerimet për vepra të caktuara kinematografike nuk lidhen me komercialen, por nga ana tjetër, përpiqemi të përzgjedhim ato filma, ku arti ndërthuret me argëtimin, për arritje që ia vlen të mbahen mend gjatë. Për këtë arsye, këtë herë ne kemi vetëm një emër: Only Lovers Left Alive!

Jim Jarmusch solli në 2013 një nga filmat më të mirë të karrierës së tij, e kjo për shumë arsye. Romanca, frika, izolimi, kreativiteti, arti, muzika, letërsia, jeta dhe vdekja, gjenden të shkrira në një, duke e shndërrur këtë vepër të Jarmusch në një kryevepër modern. Me protagonist të pazakontë, regjisori sjell në qendër të vëmendjes historinë e dy vampirëve, të dashuruar e të endur ndër shekuj, të cilët mbartin me vete, ndër të tjera, një histori të tërë kulture të njerëzimit.

Duke u bazuar fort tek gjuha e imazhit, e më pak tek ajo verbale, Only Lovers Left Alive shpërfaq një ndjenjë të tërë izolimi, ashtu sikurse sjell në qendër të vëmendjes, në mënyrë mjaft elegante, boshllëqet e kohëve moderne. Nën interpretimin e Tilda Swinton dhe Tom Hiddleston, Jarmusch arriti të fitojë zemrën e audiencës, duke u nominuar kështu edhe për Palme d’Or në Festivalin e Kanës 2013. Tre vite më pas, Only Lovers Left Alive u cilësua si një nga njëqind filmat më të arrirë, që pas vitit 2000. Nëse jeni në humor për t’u argëtuar ndryshe këtë pasdite, mos e lini në harresë sugjerimin tonë…



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.