Çudira nga atdheu: një “gjimnaziste regjisore” në ‘Pasdite në Top Channel’!

Sara Gurabardhi

Nga seriali “Çudira nga atdheu”, sot u shtua një tjetër episod, drejtpërdrejtë nga ‘Pasdite në Top Channel’. Dhe jo, nuk kam ndër mend të flas për Jonidën, sepse lëvizjet e moderatoreve nga një televizion në tjetrin nuk janë ndonjë habi. Të rastis ndonjëherë të shohësh programacione të këtij lloji, me shpresën se do të gjesh diçka të vlefshme..Por, ja që ndodh (pothuajse gjithmonë) vetëm e kundërta.

Sot, në ‘Pasditen’ e përfolur të kohëve të fundit, e ftuar në pjesën e parë të emisionit ishte një gjimnaziste, e vetëquajtur regjisore, ashtu sikurse e cilësuar si e tillë dhe nga vetë programi. “Në rregull”, mendova fillimisht me vete, edhe pse qesha shumë kur moderatorja shpjegoi: “…është filmi i saj i tretë dhe po shfaqet tek kinema Imperial”. Dhe prapë thashë me vete: “S’ka problem, talent i ri, më në fund një gjeni jashtë dyerve të QKK-së”. Pastaj, vajza filloi të fliste. Me shumë siguri në vetvete, po shihja imazhin e personazhit tipik shqiptar, plot guxim dhe mburrje, ideal për një ‘pitching’ në dyert e institucioneve, ku përplaset çdokush me shpresën për të realizuar film. Me xhelozi po bëja monolog me veten se sa mbrapa më kishte lënë, në fakt, krejt e kundërta, ndërkohë që në ekran u shfaqën klipe nga filmi i realizuar. Mu krijua një boshllëk në stomak nga sikleti, pasi imazhet ishin të në niveli krejtësisht amatoresk, por këtë e justifikova duke menduar dëshirën dhe iniciativën e vajzës. Në fund të fundit, këto janë motivimet e para për t’u futur në botën e kinematografisë.

Që vajza suportohej nga prindërit me para, kjo ishte e padiskutueshme, dhe ajo vetë zbulo se ishte mamaja e saj që e mbështeste nga ana financiare hap pas hapi. Por, pas këtij momenti, fillova të dëgjoja çudira. Fillimisht, ‘regjisorja’ shprehu se kishte qenë vetë kameramanja e filmit, për një arsye mjaft (ama mjaft!) të thjeshtë: nuk kishte besim se ndokush tjetër do të kuptonte idetë e saj apo të realizonte planet ashtu sikurse donte vetë ajo…Uau! Sa zili do ta kishin të gjithë regjisorët këtë nivel të pamatë profesionalizmi. Më pas, rrëfeu se do të realizonte filmin e katërt, por këtë herë do të provonte një vepër me metrazh të gjatë, rreth nëntëdhjetë minuta. Ideale! Madje, unë rekomandoj të provojë stilin e Andy Warhol, që filmoi mikun e dhomës përgjatë gjithë ciklit të tij të gjumit, për plot 321 minuta, dhe e shiti për film… Madje, madje, më mirë të ketë synim ta kalojë edhe “Berlin Alexanderplatz”! Më pas, kur moderatorja e pyeti se sa kushtonte xhirimi i një filmi (dhe unë isha sy e veshë për të dëgjuar përgjigjen), vajza tha se kushtonte shumë, aq sa kishte frikë ta shprehte.

Duke kursyer të paktën një broçkull gjatë intervistës, në program u zbulua se gjimnazistja kishte shkruar edhe një libër, ndërsa kur u pyet se cili ishte autori i preferuar, tha se dashurohej me çdo shkrimtar që lexonte. Përshëndetje, gjimnaz! Si për të mos u mjaftuar me kaq, në çast iu kujtua emri i Fitzgerald, për të cilin tha se e preferonte më së shumti, ndërsa e cilësoi si: shkrimtar i periudhës së humbur…(kam nevojë për përkthim). Opinionet dhe qendrimet nga ana e vajzës nuk u kursyen aspak, duke lëshuar nga goja fraza të tipit: “Mbi-maskilizmi dhe mbi-feminizmi vijnë si pasojë e mos-shkollimit” apo “E përzgjodha aktoren kryesore në bazë të tipareve të fytyrës” apo “Jam natyrë filantropike” apo…Dhe kështu, pasditja më kaloi me pyetjen: në cilën shkollë filmi në Shqipëri do të shkojë vallë kjo vajzë? Kush do ta ketë këtë fat? Apo mamaja do ta dërgojë jashtë kufijve, për të realizuar ëndrrën e saj? Apo, pas kësaj, do të kthehet në Shqipëri, si drejtoreshë e institucioneve kuturore? Apo…apo…do të mbarojë për juridik, duke mos lënë mënjanë karrierën e ngjeshur prej regjisoreje? Duke u menduar për ca ‘apo’ të tjera, i bëj mamasë time pyetjen: “Pse nuk ke dhe ti ca lekë?!”



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.