Rrëfehen çiftet “veterane”: ja përbërësi sekret i një martese të lumtur! 0 207

Ëndërrojmë për partnerin tonë të jetës, ditën kur shkëmbejmë unazat me të, martesën tonë, ditë pas ditë, derisa vdekja të na ndajë… Por harrojmë që edhe martesa, si çdo gjë tjetër në jetë, kërkon punë, e jo ëndrra, për t’u mbajtur gjallë dhe e lumtur!

Si ia dalin çiftet që kanë vite, e madje dekada të martuar? Ata ndajnë marifetet e tyre me ne, për të na ardhur në ndihmë. Këshillat mbi martesën janë mjaft me kleçkë, pasi çfarë funksionon për njërin çift, nuk funksionon për çiftin tjetër, madje mund të ketë efekt tërësisht të kundërt!

Megjithatë, nuk ju bën keq ta mbani njërin vesh hapur. Shikoni se ç’kanë për të thënë disa çifte me eksperiencë të gjatë në fushën e martesës. 

1. “Thuaj dy fjalët magjike: “Do ndihmë?”, sa herë sheh që partneri yt ka në dorë një punë. Do të ta dijë shumë për nder.”

2. “Vërtet jeni dy persona në një martesë, por gjeni kohë edhe për veten tuaj. Mos e ndryshoni jetën tuaj dhe mos e lini pas dore veten e hobitë tuaj kur të martoheni.”

3. “Mos thuaj shpesh, por as mos ndalo së thëni “Të dua”. Janë këto gjëra të vogla që e mbajnë bashkë një çift.”

4. “Ndajini punët e shtëpisë! Jeni partnerë, ndaj duhet të funksiononi si të tillë. Do ta vlerësoni më tepër njëri-tjetrin!”

5. “Dhuro dashuri, komfort, siguri, thjesht sepse e ndjen dhe dëshiron ta shohësh partnerin të lumtur. Mos e bëj diçka sot, duke pritur diçka në të ardhmen.”

6. “Mos ndaloni së komunikuari. Flisni sinqerisht sidomos në çështje zënkash, sepse nuk keni kohë të humbni me mëri.”

7. “Sekreti ynë i lumturisë? Banjot e ndara.”

8. “Sado me nerva të jeni gjatë një debati, kurrë mos e shani partnerin tuaj. Do t’i djegë për një kohë shumë të gjatë.”

9. “Rikujtoni herë pas herë ato aktivitete që bënit kur ishit në fillimin e lidhjes.”

10. “Përkëdheluni! Intimiteti është shumë i rëndësishëm. Për më tepër, përqafimet prodhojnë oksitokinë, hormoni që ju bën të lumtur!”

11. “Jini fansat më të mëdhenj dhe më mbështetës të njëri-tjetrit. Jeni partnerë jete!”

12. “Mësoni kur të ulni hundën, sidomos në një debat. Një shpërthim i çastit jo vetëm nuk zgjidh gjë, por edhe shkatërron më tej.”

13. “Mos e tallni partnerin tuaj, sidomos në sy të të tjerëve. Qeshni bashkë, jo në fytyrën e tyre!”

14. “Mos ia zbrazni nervat partnerit tuaj. Nuk ka ai faj, që shefi juaj tregohet tejet i keq!”

15. “Jini miqtë më të mirë të njëri-tjetrit. Jini komplet vetja me ta dhe hapuni siç nuk hapeni me askënd.”

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *