KreuStil Jetese

Bëni këto 3 shkëmbime bukurie dhe kurseni një mal me para!

Është diçka që nuk e vëmë re shpesh, por jemi bërë tejet të varur nga sallonet e bukurisë dhe ndihma e profesionistëve këto kohë.

Çfarë ndodhi me mënyrat e vjetra “bëje mirë, bëje vetë”, të trashëguara nga femrat më të vjetra të familjes tonë? Vërtet duhet të vizitojmë parukerinë një herë në pak javë, për të goditur sërish ngjyrën tonë të flokëve? Apo vetullat dhe pushi në fytyrë në tërësi, vërtet duhet dora e sigurt e një estetisti, e më larg akoma, trajtime të shtrenjta që premtojnë zhdukje totale të qimeve?

Mbase është koha për t’u rikthyer në traditë, dhe na besoni kur ju themi, do të habiteni se si nuk ju kanë rënë ndërmend më parë këto zëvendësues të trajtimeve të bukurisë, që edhe gjyshet tona I zbatonin rigorozisht.

 

1)     Këna në vend të bojës së flokëve

Nuk e dimë kur ramë dakord të ngjyenim flokët tanë me kimikate, por ajo ishte dita kur I prishëm marrëdhëniet me flokun, e pse jo, edhe me xhepin.

Kënaja, nga ana tjetër, është një zgjidhje që ka shekuj që eshtë në qarkullim, nga Lindja në Perëndim, me të cilën mund t’i jepni flokut tonalitetin që dëshironi, në kushte shtëpie dhe me fare pak shpenzime.

Po, vërtet brunet dhe kuqet e kanë më të thjeshtë me këtë metodë, por as bjondet nuk përjashtohen.

Me kënanë mund të kurseni rreth 70% të parave të harxhuara për lyerje në parukeri, pasi kënaja kushton fare lirë.

Jo vetëm kaq, por kënaja është tejet e shëndetshme për flokun, si dhe e vështirë për t’u zbehur, ndaj rezultati përfundimtar është flokë rrëzëllitës dhe ngjyrë afatgjatë.

Si ta aplikoni kënanë?

Blini disa pako këna, në varësi të gjatësisë së flokut tuaj, dhe zbrazini në një tas të madh. Shtoni ngadalë çaj jeshil të përgatitur paraprakisht, duke e përzier me kënanë, derisa të krijohet një masë homogjene jo fort e ujshme, por tërësisht e tretur.

Përzierjen lëreni mënjanë për 6 orë.

Pars 6 orësh, para se ta aplikoni kënanë në flokë si bojë normale, shtojini një lugë vaj kastori, për ta bërë bojën më lehtësisht të aplikueshme dhe për t’i shtuar vlerat ushqyese.

Më pas, lyeni flokët normalisht dhe lërini për 2 orë të tjera.

Kini kujdes ta shplani kokën ulur mbi vaskë, për të mos spërkatur banjën tuaj. Ky është një cen i përdorimit të kënasë, pasi jo vetëm qëndron gjatë në kokën tuaj, por edhe në mobiljet tuaja.

Lajeni flokun normalisht dhe shijoni flokë si të dalë nga një reklamë e Schwarzkopf!

 

2)    Pe në vend të dyllit

Jemi njohur tashmë me metodën “threading” – shkulje e qimeve me fije peri – por përse duhet të presim në radhë për të hequr vetullat dhe pushin e fytyrës, kur mund ta bëjmë fare lehtësisht edhe me duart tona?

Videot ilustruese të shkuljes së qimeve me pe nuk mungojnë në Youtube, dhe padyshim, është një metodë ku e ku më ekonomike dhe e thjeshtë, se sa heqja me dyll.

Rrëmbeni një fije peri 18 cm të gjatë, bëjeni lak duke i lidhur anët, dhe nisni ta rrotulloni në mes, për të krijuar mbështjelljen e dy fijeve që do të shkulë qimet tuaja.

Luani sa me njërën anë dhe tjetrën, për ta lëvizur mbështjelljen para-mbrapa, dhe ngjesheni mbas sipërfaqes së lëkurës nga e cila doni të shkulni qimet.

 

Praktikohuni fillimisht me pushin mbi buzë, përpara se të kaloni në zona më delikate, si vetullat.

Rezultati: Lëkurë e pastër, e butë si lëkurë bebi, dhe një grusht me para në xhepin tuaj!

 

3)    Skrub me sheqer dhe maskë me shafran në vend të trajtimeve të shtrenjta

Ky është një sekret ardhur nga vendet e Lindjes, vendlindja e bukurisë joshëse dhe tërësisht natyrale.

Nuk është nevoja të bëni trajtime të shtrenjta me makineri fantastiko-shkencore, pasi mjafton një plan i thjeshtë me dy hapa, për një lëkurë të pastër e të tonifikuar.

Fillimisht, bëni një skrub të thjeshtë me sheqer, disa pika limon dhe mjaltë. Hapini poret e fytyrës duke e njomur atë me ujë të ngrohtë, dhe aplikoni skrubin në lëvizje rrethore mbi fytyrën tuaj, për të hequr qelizat e vdekura.

Më pas, aplikoni maskën sekrete me shafran, e cila përgatitet me masa të barabarta të shafranit, miellit të orizit, kos dhe mjaltë. Një lugë e vogël për secilin përbërës mjafton.

Mbajeni maskën 20 minuta, derisa të ndieni që lëkura e fytyrës suaj është tërhequr. Shpëlajeni maskën dhe nëse shihni që fytyra ka marrë një hije të verdhë nga shafrani, mund ta hiqni hijen me peceta për make up-in.

 

A s’ndiheni më të bukura tashmë?

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF