KreuStil Jetese

Si të mos dështosh kurrë me veshjet e tua

Në botën e modës qarkullojnë shumë rregulla se si një femër duhet të vishet, në mënyrë që të ngjajë në formën e saj më të mirë. Çfarë thotë njëra revistë, nuk e thotë një revistë tjetër dhe çfarë quan “të modës” një stilist sot, nuk e quan stilisti i së nesërmes.

Ne nuk duam t’ju themi trendet. Ne duam t’ju themi vetëm disa rregulla të përjetshme, që ju garantojnë një pamje të kuruar në çdo dekadë.

A) Balanca është çelësi

Ashtu si për gjithçka tjetër në jetë, balanca është çelësi edhe për një veshje të bukur, të këndshme për syrin, pa ngjyra që s’puqen gjëkundi me njëra-tjetrën.

Si përkthehet kjo?

Nëse keni zgjedhur rroba të thjeshta, kompensojeni me aksesorë të veçantë, që kanë mjaft sy. Nëse po vishni një fund me dizenjo e ngjyra shpërthyese, te bluza përmbahuni dhe vishni një t-shirt të thjeshtë në ngjyrë të bardhë.

Nuk doni që veshja juaj përfundimtare të duket si pako “Skittles”, apo jo?

B) Maksimumi 3 ngjyra kryesore

Duhet ta keni dëgjuar patjetër kombinimin marinar, e kuqe, blu, e bardhë. Këto janë 3 ngjyra tërësisht të ndryshme, që shkojnë jashtëzakonisht shumë me njëra-tjetrën dhe nuk dështojnë asnjëherë për të të treguar për mrekulli.

Ndiqni të njëjtën taktikë, kur kombinoni një veshje dhe nëse jeni në dyshim për rezultatin përfundimtar kini parasysh: fokusohuni në 3 ngjyra dhe përhapini ato në të gjithë veshjen me rregull, që veshja të ngjajë sa më e pastër.

Njëra nga këto ngjyra duhet të jetë patjetër shumë më e hapur se të tjerat, në mënyrë që t’i lidhë dy ngjyrat më të errëta bashkë.

C)Bëni shumë, shumë kujdes me kombinimin e dizenjove të ndryshme!

Flasim për dizenjo si viza, polka dot, stampime etj.

Stampimi i rënduar i një veshjeje kompensohet me stampimin e thjeshtë të veshjes tjetër. Me kujdesin e duhur, mund të dalë diçka e këndshme për syrin, por pa të mund të përfundoni me një veshje që ngjan si halucinacion, me ngjyra dhe shpërthime të çmendura.

Mirë është që t’u marrësh mendjen të tjerëve, por jo në kuptimin e parë të fjalës!

Kini parasysh këto rregulla sa herë qëndroni para dollapit tuaj dhe kombinimet do t’ju dalin vetë përpara syve!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF