KreuCelebrity

Shqiptaret që na sollën atmosferën (tipike) kaliforniane!

Çfarë keni në mendje tani: ‘California Love’ apo ‘Hotel California’? Eh, është ndër vendet më të dëgjuara, por edhe ndër më ëndërrimtarët njëkohësisht. Duke qenë se po përmende Kaliforninë, nuk mund të mos kujtosh Los Anxhelosin, mendja rend vetvetiu pas lirisë, atmosferës së verës dhe rrugëve të mbushura me palma.

Ndoshta, është një nga emrat në listën tuaj të ‘duhet vizituar patjetër!’, e nuk ju vëmë faj. Vetëm se këtë herë, sidomos përgjatë sezonit të kaluar, disa nga vajzat shqiptare na sollën grimca kaliforniane nëpërmjet profileve në rrjetet sociale. Edhe pse tre prej të përzgjedhurave, tashmë jetojnë në SHBA, nuk mund të injorojmë postimet e tyre drejpërdrejtë nga Kalifornia!

Janë në fakt, katër emrat më të diskutuar të momentit, e nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Përveç Anxhelinës, Era Istrefit dhe (së fundmi) Elvana Gjatës, personazhi i katërt është pikërisht ajo që ndërroi disa vende turistike sezonin e shkuar: Lori Hoxha! Ndoshta nuk ju kujtohen të gjithë fotot e vajzave me sfondin e palmave nga pas, prandaj ne ju ftojmë të ndiqni imazhet e mëposhtme:

Lori Hoxha

Ndoshta, po kujtoni fotot mahnitëse të Kaprit, duke harruar kështu  një nga lajmet më të përfolura  gjatë kësaj vere. Lori u bashkua me Strefie-n dhe Anxhelinën për një xhiro me makinë luksoze rrugëve të Los Anxhelosit, ashtu sikurse vajzat u panë bashkë në klubet e natës në po të njejtin vend. Nuk mund të mungonin postimet në Instagram, ku trashëgimtarja e Top Channel pozonte në një nga pjesët karakteristike të qytetit.

Era Istrefi

Nuk është aspak habi ta shohim Erën në Californi, për aq kohë sa këngëtarja është zhvendosur të jetojë në SHBA. Por, dy nga fotot e postuara pas shpërnguljes në Amerikë janë ato që veçohen më shumë nga të tjerat. Era në ballkonin e dhomës së saj, me palmat gjigante në sfond, me një kuti pice në dorë…Tipike prej Kalifornie, apo jo?

Anxhelina Hadergjonaj

Duket se Anxhelina është përshtatur më së miri me mënyrën e jetesës amerikane. Gjithmonë duke u kujdesur për paraqitjen, kujtojmë një nga imazhet më interesante të saj në rrjetet sociale: Anxhelina me kufje dhe patina, në një fushë kushtuar vetëm patinazhit. Veshur me të shkurtra dhe me flokët e kapur, Hadergjonaj nuk mund të ngjasonte më kaliforniane se kaq!

Elvana Gjata

Elvana ka publikuar së fundmi dy foto të reja nga seti më i ri i realizuar. Palmat nuk janë të vetmet që sjellin vibranca Kalifornie. Perëndimi i diellit është karakteristik i imazheve kaliforniane, ndërsa ngjyrat mbizotëruese në veshjen e Gjatës (e verdha dhe bluja), por edhe syzet e diellit tipike të viteve ’70, të çojnë akoma dhe më shumë drejt atmosferës kaliforniane.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF