INTERVISTË/Erion Isai: “Top Channel ka çdo sekondë mirënjohjen time…” 0 272

Sara Gurabardhi

U largua nga ekrani për t’u angazhuar në botën politike, ndërsa ishim mësuar ta shihnim çdo javë në “Portokalli”. Tashmë, Erion Isai do t’i rikthehet ekranit me “Kënga Magjike 2017”, krahë së cilit do të jetë edhe Bes Kallaku. Të dy premtuan një program të ri për vitin e ardhshëm, por për çfarë formati bëhet fjalë konkretisht? A i ruan Erioni marrëdhëniet e mira me “Portokalli”? Çfarë projektesh do të shohim në të ardhmen nga Isai? Këto e shumë të tjera do t’i zbuloni në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al!

Çfarë do të shohim në “Kënga Magjike 2017”: atmosferë plot humor e batuta apo do të na sillni edhe versionin serioz prej prezantuesi të Erionit e Bes Kallakut?

Tek “Kënga Magjike” do t’i shihni të gjitha. Ne kemi filluar punën bashkë me stafin e Ardit Gjebreas për tre netët finale. Po punojmë që të sjellim atmosferë me humor e argëtim, atë që njerëzit presin nga ne. Por, sigurisht që do te shpërfaqim edhe anën tonë serioze. Do jemi në skenë e kështu që do ta bëjmë detyrën skenike në te gjithë kompleksitetin e saj.

Duhet të presë publiku personazhe ndryshe këtë herë? Apo do të risillni karakteret më në zë, me të cilët jeni përfaqësuar tek “Portokalli”?

Këtë nuk dua ta zbuloj, po do të ketë gjithçka, këtë mund t’ja u siguroj. Karakteret, si të reja si të vjetra, janë tonat, janë krijimtaria jonë. Kështu që në tre netë do të ketë gjithçka.

Çfarë marrëdhënie ruan me “Portokalli”?

Nëse pyetja juaj konsiston për emisionin, asnjë marrdhënie. Nëse më pyesni për emra të përvetshëm mund t’ju them se kam miq e shokë fanatastikë brenda trupës; aktorë dhe skenaristë; me të cilët kam kontakte e frekuentohemi, si miq që jemi. Ndërsa se çfarë marrëdhënie në të përgjithshmen kam unë me Portokallinë, ka vetëm një: “Është emisioni dhe televizoni që më dha shansin të kem ketë që kam sot.” Po flas për emisionin si kompleksitet, emri, hapsira, publiku i atij emisioni, aktorët, kushdo qe ka kontribuar dhe kanë kontribuar për mua. Top Channel ka çdo sekondë mirënjohjen time për këtë gjë; e theksoj: Top Channel.

Tek “E Diela Shqiptare”, zbuluat se do t’ju shihnim në një program tuajin vitin e ardhshëm. Për çfarë formati bëhet fjalë?

Edhe për këtë gjë nuk dua te zbuloj detaje, pasi akoma është laborator, ide. Duhet të piqet që të shijohet!

Nëse nuk do të ishte Besi, cilin nga kolegët do të zgjidhje për të qenë krah teje në këtë rrugëtim?

Nuk e di ta them. Dhe as e kam menduar. Ja që ështe Besi, dhe jam shumë i lumtur që është Besi. Është mik, vëlla e shpirt njeriu e më pas është super artist.

Si lindi idea për këtë format?

Ka kohë që unë dhe Besi mendojmë për hapsira të reja dhe ide të reja për publikun. Ne nuk kalojmë asnjë ditë pa menduar gjëra të reja. Një nga këto ditët tona të punës ka lindur dhe kjo dëshirë e ide.

Çfarë projektesh të tjera pritet të shohim nga Erioni?

Jam duke punuar në teatër një komedi të Vangjel Kozmait me aktorët Alfred Trebicka, Suela Konjari, Albana Sancolli, Violeta Trebicka, Aleks Prodani. Teatri është në vëmëndjen time, pas kësaj shfaqjeje kam edhe dy projekte të tjera teatrore që me presin për vitin që vjen.

Je ende i përfshirë në botën e politikës?

Nuk ka artist që nuk është i përfshirë në politikë. Arti është fuqia për të treguar çfarë nuk funksionon. Politika është fuqia për të ndryshuar atë që nuk funksionon. Përsa kohë të dyja e kanë qellimin e njëjtë unë do të merrem me të dyja.

Do të mjaftonte një shumë e konsiderueshme parash për të të shkëputur përfundimisht nga arti?

Arti është nevojë. Nuk ka lidhje vetëm me paranë. Nuk po them se nuk do e mirëprisja një shumë me para, por nuk ka pse më shkëput nga arti. Persa kohë ai është nevojë shpirtërore. Paraja është nevojë mishtore, fizike. E kanë rrugën të ndryshme. Mirë do ishte të jenë të dyja. Por edhe po nuk janë; shendeti, arti, pastaj paraja.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *