KreuBusull

Intervistë/Evi Reçi: “Çmimet shkojnë e vijnë, por këngët mbesin!”

Intervistoi Tea Kola

Evi Reçin e kemi njohur si një këngëtare të talentuar të rrymës Pop. Vajza me zërin e ëmbël dhe stilin romantik u kthye në Tiranë këtë vjeshtë për të konkurruar në edicionin e nëntëmbëdhjetë të festivalit të njohur të fundvitit “Kënga Magjike” me baladën e fuqishme “Dorëzohu”.

Në këtë intervistë për Bordo.al, këngëtarja e hiteve “I ngjan asaj”, “Dhe jemi të dy”, “Si Limonadë” tregon pse vendosi t’i rikthehej kompeticionit në skenën shqiptare dhe jetën e saj në qytetin e Firences, si një moderatore e njohur radiofonike.

Çfarë pret këngëtarja nga ky festival? Po mbi konkurrencën me artistët e tjerë? Pasionet e saj përveç muzikës…? Zbulojini të gjitha këto në intervistën e Evi Reçi për Bordo.al!

Si është një ditë tipike e juaja në Firence?

Jeta në Firence tashmë është stabilizuar duke patur një ritëm konstant. Më gjen shumicën e kohës para kompjuterit në redaksi duke shkruar apo në studiot e radios ku jam në emision.

Jeni prej kohësh një moderatore e një programi radiofonik, si e përshkruani këtë eksperiencë?

Të jesh pjesë e një programi radiofonik ka qenë gjithmonë synimi im dhe akoma më shumë të jem në një emision në Itali, pasi duke qenë e huaj nuk është e lehtë të të besohet një emision në radio. Kam punuar në radio edhe pak më herët, por kësaj radhe është akoma edhe më profesionale situate, duke pasur në krah personazhe të njohur të artit Italian.

Na tregoni diçka më tepër mbi këtë emision, të ftuarit, apo ndonjë moment të sikletshëm që mund t’ju ketë ndodhur në transmetim.

Emision është stil ‘entertainment’ dhe me doza shumë të larta humori. Trajtojmë  tema të ndryshme, (art, sport, turizëm, etj) duke pasur dhe ndërhyrje nga publiku me telefonata apo edhe në rrjetet sociale ku radio është prezente. Situata të sikletshme nuk më kanë ndodhur akoma, por mund të veçoj momente të bukura nga mesazhet e njerëzve sidomos nga Shqipëria që më dërgojnë teksa jam live në radio, kjo është pjesa që më bën të ndihem krenare.

U rikthyet në festivalin “Kënga Magjike” pas një pauze 8-vjeçare. Pse vendoset t’i riktheheshit një konkurrimi pikërisht tani dhe pse zgjodhët “Këngën Magjike”?

Festivali i Këngës Magjike është një skenë të cilën e preka në moshën 17-vjeçare për herë të parë, dhe isha vetëm 19 herën e fundit kur mora pjesë. Ndjeva mungesën e të qenurit përsëri në atë skenë, që nuk e shoh  si garë, por si një shfaqje të këngëve më të bukura që krijohen nga artistët. Pjekuria personale dhe ajo artistike më shtynë për të marrë pjesë dhe shpresoj shumë të dal me një shije pozitive nga ky festival.

Çfarë çmimi do të preferoje t’i rrëmbeje edicionit të 19-të të këtij festivali?

Asnjë çmim nuk krahasohet me atë çmim që quhet “zëri i njerëzve”, pra ai çmim që edhe pasi të ketë mbaruar festivali të ndihet tek preferencat e publikut. Dua shumë që kjo këngë të dëgjohet nga njerëzit dhe ta duan. Çmimet shkojnë e vijnë, por këngët mbesin!

Nga konkurrentët e tjerë të “Kënga Magjike”, cili ju ka pëlqyer më shumë e cili jo? E ndjeni konkurrencën?

Prezantimi i këngëve ende nuk ka mbaruar që të shfaq preferencat e mia, ka edhe një muaj. Keshtu që konkurrencen do e ndjej shumë  dhe këtë e di edhe nga edicionet e tjera që kalova,   në ditët e fundit që ështe gjysmë- finalja!

A është “Dorëzohu” një histori e përjetuar personale?

Kënga ‘’Dorëzohu’, ka shumë nga unë, si në tingujt në stilin bizantin që kam zgjedhur të fus bashkë me kompozitorin që ështe Darko Dimitrov, si në tekstin që preferova kësaj radhe mos të ketë nota romantike, as të trishta, por fjalë me dozë të madhe mendueshmërie: Ylli Limani që e krijoi tekstin arriti ta thurë bukur idenë që kisha në mendje dhe për këtë e falenderoj.

A keni thënë ndonjëherë “Vendos sa nuk i kam dhënë fund”?

Këtë shprehje nuk e them shpesh, por e mendoj shumë herë kur një situatë është e paqartë, por nëse unë arrij në një pikë që ta shpreh atëherë do të thotë që qenka situatë alarmi! Hahaha!

Na rrëfeni disa nga sekretet tuaja të bukurisë e të kujdesit për veten.

Sekrete bukurie nuk kam, por mund të them që muajt e fundit bëj shumë pilates dhe yoga, të cilat i këshilloj në shumë njerëz që kërkojnë të ushtrohen, por në të njëjtën kohë të përmirësojnë qetësinë mendore.

Një pasion tjetër përveç muzikës?

Pasioni tjetër i imi është radio që lidhet ngushtazi me muzikën dhe zërin. Është vërtetë një ambient që frekuentoj me shumë deshirë.

Cilat janë planet më të afërta profesionale pas “Kënga Magjike”?

Ndërkohë po punoj me disa demo për të lançuar këngët e radhës pas festivalit, por ende nuk kam përfunduar me ndonjë material konkret!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF