KreuBusull

INTERVISTË/Fashionistja Alba Danaj: “Markat fallco, ilegalitet i pasuportueshëm!”

Nga: Sara Gurabardhi

Shumica e njohin si Alba In Lu Lu Land, por jashtë virtualitetit të Instagramit, ajo është vajza e apasionuar pas modës, stilit të jetesës, si dhe një mama e përkushtuar kokë e këmbë ndaj të birit, Albert. Alba Danaj nuk ka patur pak për të ndarë në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al, përkundrazi. Përpos markave të preferuara që tashmë i kemi dëgjuar shpesh, ajo zbulon qendrimet e saj ndaj markave false, vajzat shqiptare që preferon për stilin, raportin me ushqimin e shumëçka tjetër. Dhe, çfarë është më e rëndësishmja, Alba nuk është dhe nuk do të jetë ndonjëherë blogere. Pse ky vendim? Çdo gjë do ta zbuloni më poshtë, në botën e Alba In Lu Lu Land!

Alba, le ta fillojmë me një prezantim të shkurtër të vetes. Ti nuk jeton në Shqipëri, nga ana tjetër e kemi parë pasionin tënd për modën…çfarë mund të na zbulodh më tepër në pak fjalë?

Unë jam larguar nga Shqipëria para shumë kohësh, konkretisht 16 vite më parë. Jetoj në Luksemburg, vend ku tashmë kam krijuar dhe familjen time.  Kam vetëm një fëmijë, një djalë pesë vjeçar. Kam qenë për disa kohë e angazhuar në punë. Kam punuar në një kompani në sektorin e financës, që në fakt nuk ka të bëj fare me atë çfarë jam unë (qesh), por Luksemburgu është një vend i tillë, ku mbizotëron institucioni financiar. Megjithatë, një nga pasionet e mia më të mëdha është moda. Por, kur them moda, nuk flas vetëm në aspektin që blej diçka, që është e shtrenjtë ose e veçantë ose që tërheq vëmendje. Më pëlqen veshja që ka një kontekst prapa, një histori, një domethënie. Dhe kjo është ajo ku unë po fokusohem më shumë momentalisht, sidomos në Shqipëri, pasi këtu ka mbetur akoma mentaliteti: “të vishemi për t’u dukur” apo se është logoja e tillë, por se çfarë fshihet prapa kësaj, shumë pak janë të informuar. Por, duhet ta theksoj se moda mbetet një hobi dhe jo diçka që unë e ushtroj për karrierë. Tashmë, prej një viti e gjysëm e kam lënë punën, pasi nuk ia dilja dot të punoja dhjetë orë në zyrë për dikë tjetër (qesh), në një kohë që im bir ishte në çerdhe gjithë kohën vetëm. Duke qenë se dhe nga ana financiare nuk e kisha të nevojshme, mendova pse të behëm egoiste për të ngritur karrierën në një sektor që nuk më tërheq shumë dhe të lë tim bir që ta rrisin të tjerët.

Çfarë pikësynimi ke të arrish me anë të modës, përpos se ta ushtrosh si pasion?

Nuk e kam për qëllim aspak që të vishem për t’u bërë e famshme për njerëzit, përkundrazi. Unë prej kaq shumë vitesh kam qenë diskrete, faqja ime e Instagramit ka qenë gjithmonë private, madje kam rreth dy javë që e kam hapur, për ta bërë pak më profesionale. Dhe ky, erdhi si vendim i shtyrë nga njerëzit që më thanë: ‘Boll më, nuk ka nevojë të jesh më kaq e fshehur, kur ke shumë për të ofruar dhe audiencës mund t’i intëresojë!’ (qesh) Ndonjëherë, habitem edhe kur takoj ndokënd që më njeh, pasi largimi nga Shqipëria më ka shkëputur pak edhe nga realiteti këtu.

Cila është marka pas së cilës je më shumë e dhënë?

Marka ime e preferuar, pas së cilës unë jam realisht shumë e dhënë, është Chanel. Ka dhe nga ata të cilët mendojnë se e përfaqësoj, por nuk është e vërtetë, mbetet thjesht një pasion i imi. Dashuria për Chanel ka nisur shumë vite më parë, dhe jo vetëm se është një nga ato lukset që jo të gjithë mund ta blejnë dhe unë kam mundësinë ta kem, pra, nuk e bëj aspak për të treguar mundësitë e mia në raport me pamundësitë e të tjerëve. Nuk e kam këtë lloj pikësynimi; përkundrazi, e urrej! Jam e apasionuar pas kësaj firme, kryesisht dhe nga historia që fshihet prapa saj. Që nga Coco Gabriel, në fillimet e 1900-tës, që ka qenë një femër revolucionare për pozitën e gruas në shoqëri dhe gjithçka dihet pas kësaj. Me pak fjalë, ka qenë historia e Chanel ajo çka më bëri për vete fillimisht.

Me siguri, ke shumë ndjekës edhe nga Luksemburgu në rrjetet sociale. Si e presin ata stilin që përfaqëson?

Më komplimentojnë, por më shumë më shkruajne në InstaDirect se sa në komente. Nuk e di, ndoshta ndihen më të lirshëm për t’u shprehur aty. Por, unë e them gjithmonë, Luksemburgu është vend mjaft i vogël. Më tepër kam ndjekës nga Shqipëria, fakt që më habit disi, pasi gjithmonë mendoj ‘po prit, unë nuk jetoj këtu’ (qesh).

Cilin nga vendet që ke vizituar më tani e cilëson si më ‘fashion’ nga të gjithë?

Parisi, Parisi dhe Parisi. I padiskutueshëm! Është një nga ato vende përrallorë jo vetëm për modën, por në shumë aspekte. Megjithatë, moda pariziene vjen më tepër si një traditë, një kulturë që nuk ka munguar që nga koha e mbretërive. Dihet se kanë qenë gjithmonë të dhënë pas pamjes së jashtme, trajtimeve etj. Pra, është diçka e ardhur gradualisht, të cilën parizienët e adaptojnë pa mund.

Duke marrë dy ekstreme, çfarë mendon se i mungon vajzave shqiptare në stil, duke krahasuar me vajzat pariziene (duke qenë se i ke të preferuara në këtë aspekt)?

E shoh të tepërt vulgaritetin tek stili i vajzave shqiptare. Sa herë mundohen të bëjnë diçka që të duken tërheqëse, kalojnë menjëherë në vulgaritet. Kjo për mua nuk është modë. Është një gabim, një padije ose thjesht kërkesë për vëmendje. Në këtë pikë, sipas mendimit tim ulen dhe vlerat e një femre në shoqëri. Çfarë shoh tjetër si mungesë në Shqipëri është stili dhe sensi joshës i një femre. Mund ta ndjekësh modën, mund ta dish fare mirë çfarë është tendenca e një sezoni, por varet si e prezanton ti atë. Por, nuk dua dhe t’i kritikoj shumë. Nuk jemi në një vend që e ka atë lloj historie, siç e kanë vendet përfaqësuese të modës. Besoj se çdo gjë bazohet në një zhvillim, në çdo aspekt.

Çfarë qendrimi mban ndaj firmave false apo siç i njohim ndryshe, imitimet?

Jam totalisht kundër, madje bëhem pak agresive kur vjen puna tek qendrime të tilla (qesh). Jam shumë e zhgënjyer kur shoh figura VIP, që përpiqen të transmetojnë diçka nga vetja në bazë të modës, dhe këtë e japin me diçka që nuk është e vërtetë. Ky është zhgënjimi që ti i jep publikut që të ndjek, edhe pse jo çdokush arrin ta bëjë dallimin. Kjo lidhet edhe me respektin që ke ndaj vetes, kur transmeton diçka false, që nuk ka lidhje me të vertëtën tënde. E kuptoj që ana financiare nuk favorizon çdokënd njësoj, por kjo nuk do të thotë që të prezantosh diçka të kësaj natyre.

Megjithatë, ka patur edhe nga ato blogere shqiptare që nuk e kanë fshehur aspak paraqitjen me imitime, duke u justifikuar, normalisht, me anën financiare. Je në dijeni të një fenomeni të tillë?

Po, e kam dëgjuar, dhe e përmenda që financa është ajo që ndikon në të tilla vendime. Në fakt, ka diçka tjetër që më bezdis. Pa kuptuar, të tilla vendime çojnë në suportimin e një ekonomie që nuk e çon vendin përpara. Kur themi ‘false’ në modë, po nënkuptojmë ‘ilegalen’. Në Europë, nëse bën blerje ilegale, të një malli jo zyrtar, qoftë dhe me blerje në internet, çdo gjë e kësaj natyre sekuestrohet direkt nga policia. Madje, arrijnë të marrin edhe masa dënimi, pasi kjo lidhet edhe me autorësinë, përveçse me ekonominë ilegale. Nëse arrihet të realizohet një krijim i njëjtë në formë, me cilësi krejt ndryshe dhe për më tepër më një çmim shumë më të ulët, dhe i vendos emrin e vetë autorit, atëherë ti ke vjedhur identitetin e krijuesit. Kjo, është vjedhje për mua. Prandaj, jam shumë kundër suportimit të një fenomeni të tillë.

E cilëson veten blogere mode? Pse?

Blogere nuk kam qenë ndonjëherë, dhe as nuk do të bëhem. Nuk është ky pikësynimi im. Çfarë unë bëj, e marr si vendim sepse më bën mua të lumtur. Mënyra se si unë vishem apo se si e shijoj jetën time me të mirat e luksit, me udhëtimet që realizoj, me sportet që ushtroj, me detoksin, çdo gjë, pa përjashtim, e bëj sepse më pëlqen mua. Nga ana tjetër, jetojmë në një epokë ku është shumë e vështirë t’i shmangesh rrjeteve sociale, dhe kureshtja e njerëzve mund të shtyjë që unë padashur të transmetoj një mesazh apo një pikëpamje ndryshe mbi modën dhe stilin e jetesës. Kushdo është i mirëpritur me vullnetin e tij të shohë këtë aspekt. Ndërsa, krijimi i një blogu për të treguar çdo ditë çfarë kam veshur ose jo, nuk është diçka që më ka tërhequr ndonjëherë.

Cilat janë disa nga femrat shqiptare që ti vlerëson maksimalisht për stilin?

Në këtë pikë, nuk njoh pak vajza që lidhen me modën. E para, e cila është edhe shoqja ime e fëmijërisë është Jonida Maliqi. Për të nuk ka asnjë lloj dyshimi, pasi Jonida më ka frymëzuar dhe mua, jo vetëm audiencën (qesh). Jep ide ndryshe, kryesisht mbi kombinimet. Ne kemi bërë shumë udhëtime të përbashkëta, sidomos në Paris, kemi dhënë leksione kur kemi dalë për blerje, kur jemi veshur në hotel; me pak fjalë, e kemi ndarë këtë lloj pasioni. Tjetër femër që ka stil në Shqipëri,për mua është edhe Lori Hoxha. Lori është…ndryshe! Çfarë ajo bën apo prezanton, i shkon. Sepse gjithçka lidhet me mënyrën se si kombinohesh, dhe Lori di ta bëjë këtë shumë mirë.

Nëse do të duhej t’i shpenzoje të gjitha paratë në vetëm në njërin prej këtyre dy opsioneve: rroba apo aksesorë, cilën alternativë do të zgjidhje?

Aksesorë. Dhe në fakt, aty i fokusoj më së tepërmi shpenzimet. Sepse, unë mund të gjej një palë xhinse të lezetshme tek ZARA, por kur i kombinoj me këpucët e duhura, një çantë që ia vlen, bizhuteri të bukura, ajo çka ti ke blerë 20 euro, prezantohet me një vlerë krejt ndryshe. Kjo për mua është diçka shumë e rëndësishme, që e bëj shpesh.

Po me grimin, si i ke marrëdhëniet?

Të them të drejtën, nuk jam nga ato femra që grimohem  vetë. Por, blej shumë (qesh). Preferoj më shumë MAC-un, si shumica e femrave, Bobbi Brown më pëlqen…Jam më tepër në fakt, tek kremërat. Nëse ka lidhje me kurimin apo trajtimin e lëkurës, për mua është prioritet blerje. Për shembull, për fytyrën trajtimet varen nga sezonet. I ndryshoj kremërat çdo tre apo katër muaj, sepse nuk mund të përdor një vit të njejtin. Kur lëkura mësohet me të njejtën gjë, nuk reagon më. Në dimër për shembull, përdor shumë kremëra me vitaminë C, për ta ushqyer lëkurën, si dhe vajra. I preferuari i dimrit është La Mer, ndërsa në verë i ndryshoj, madje marr edhe produkte farmaceutike.

Si i ke marrëdhëniet me ushqimin?

E kam vërtetë me pasion këtë aspekt. Madje, nuk e di pse nuk jam bërë nutriciente (qesh). Eshte një nga pasionet më të mëdha që kam. Zbulova se trupi ndryshon me kalimin e kohës dhe se stresi ka një impakt të jashtëzakonshëm në organizëm. Kur punoja, rrija më shumë ulur dhe pata disa probleme me sistemin tretës. Fleja vetëm dy orë gjumë, kisha fryrje stomaku dhe një dhimbje të tmerrshme barku. Trupi po më jepte shenja që diçka po ndodhte. Ishte dhe ky një ndikues pse e lashë punën përfundimisht, për t’iu përkushtuar më tepër shëndetit. Gjeta një klinikë gjermane në Spanjë , ku shkoj çdo vit tani, në të cilën kryhen trajtimet detoks. Mësova kush është trupi im dhe çfarë nevoje ka ky organizëm. Kjo metodë përngjan me agjerimin. Je i detyruar të mos hash dhe çdo lloj vlere ushqyese serviret në formën e lëngut. Ditët e para janë të vështira, por rreth ditës së katërt kupton se trupi gjen paqje me trurin dhe çdo gjë përkthehet në lumturi dhe kreativitet si kurrë më parë. Gjatë periudhës së agjerimit, përveçse trupi djeg dhjamin e tepërt, vetvetiu shkarkohet edhe nga çdo qelizë që përbën rrezik të mëvonshëm për kancer, tumor, diabet etj. Bëj shumë kujdes në të ngrënë, por dhe aktiviteti fizik për mua është shumë i rëndësishëm.

Çfarë këshillash do t’iu jepje nënave në lidhje me kujdesin ndaj fëmijëve?           

Unë i përkushtohem shumë djalit, Albertit. Siç thashë, karrierën time e lashë kryesisht për të. E kam prioritet në jetë, ndoshta dhe se vetëm atë kam. Nuk ka qenë nga ato fëmijët e lehtë, nuk flinte natën, është shumë aktiv se më ka ngjarë mua (qesh). Për sa i përket ushqimit, nuk e shtyj abolutisht drejt të ngrënit. Nëse nuk i hahet, nuk e detyroj të hajë. Ushqimi duhet të jetë kënaqësi, jo diçka e detyruar për të mbushur stomakun. Prioritet shoh edhe edukimin e një standarti të lartë dhe aktiviteteve enkas për fëmijë. Nuk është rritur dhe vazhdon të mos rritet në prani të televizorit, muzikës hip-hop, me prezencën e lajmeve apo në prani të bisedave mes të rriturish. Krejt të kundërtën shoh që ndodh në Shqipëri. Televizori ndizet vetëm një orë në ditë, me programe edukative dhe për moshën e tij. E kam angazhuar në shumë kurse, si në sport, ashtu dhe në ato fusha ku ka perspektivë për të mësuar diçka. Është në kurs gatimi në shkollë. Angazhohet në një kurs shkence. Merret me tenis dhe është i apasionuar në krijimin e lego-ve. E kam shtyrë dhe unë drejt këtij pasioni, pasi është shumë e rëndësishme që të ketë disa objekte dhe aftësi motorike të zhvilluara. Pra, nëse ndërton diçka me duar, në të njejtën kohë duhet të përdorë edhe logjikën.  Kjo e ndihmon shumë në krijim. Dhe në këtë aspekt, shkolla e Albertit fokusohet shumë në një moto të tillë.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF