KreuStil Jetese

Xhilda Mosko, arkitektja që magjeps me ngjyrat

Ilda Lumani

Një ndjekës i rregullave të filozofisë së lashtë kineze Feng Shui, dallon për energjinë pozitive, harmoninë që reflekton në çdo ambient. Arkitektja Xhilda Mosko është një dëshmitare e njohur e kësaj filozofie në Tiranë. E shfaq atë në punë, në krijimtarinë e saj, por edhe në një kafe, ndërsa e takon rastësisht, apo për të realizuar një intervistë si në këtë rast.

Drejtuesja e Atelie Mosko ndan për BORDO gjithë eksperiencat e saj, që e kanë bërë atë një nga emrat e përveçëm të fushës së arktitekturës e interiorit në Shqipëri.
Xhilda, u bënë vite që punoni në fushën e arkitekturës dhe interior-disajnit. Ju ndodh të ktheni kokën pas?

Suksesi ka ardhur hap pas hapi, nga dëshira për të punuar dhe dashuria për profesionin e arkitektit, për arkitekturën, design-in dhe përkushtimi. Sigurisht kthej kokën prapa për të kujtuar atë rrugëtim të lodhshëm, por të mrekullueshëm, mbushur plot eksperienca, pasion dhe sadisfaksion. Kujtoj momentet e para të fillimit të punës në Institutin e Studimeve e projektimeve numër 1, në sektorin e Veprave Shoqërore, me vështirësitë e pasiguritë e para, por me pasion dhe dëshirë për të projektuar e realizuar objekte funksionale dhe të bukura estetikisht, me mbështetjen e kolegëve me eksperiencë dhe të talentuar. Ndër të cilët kujtoj Moza Kroi, Fatos Pashko, Vladimir Bregu…etj. Kujtoj emocionet në përurimin e veprës time të parë si autore e “Stacionit të trenit” në Skurraj, Hekurudhën e re Milot-Rrëshen-Klos dhe të veprës së dytë si bashkautore e “Kompleksit të Pishinave” në Tiranë.

Ju në fakt vini nga një traditë familjare. Rruga juaj vijonte atë të babait tuaj. Çfarë ka qenë arkitektura për familjen Mosko?

Ia kushtoj talentin tim krijues ngacmimeve që mora në fëmijëri. U rrita në një ambient me gusto, me detaje të menduara, me kombinime perfekte. Ngacmimet e para filluan që në moshë shumë të re, meqënëse kam fatin të jem dhe vajzë arkitekti, prej nga kam trashëguar shpirtin artistik e krijues. E adhuroja e vazhdoj ta adhuroj babain tim. Në rradhë të parë si një njeri i mrekullueshëm, një prind i përkushtuar, për tolerancën, fisnikërinë, profesionalizmin, talentin e rrallë, shpirtin artistik, përkushtimin, mençurinë, klasin e mbi të gjitha për zemrën e tij të madhe. Një baba i mrekullueshëm që më mungon shumë, por që më bën të ndihem krenare. Ndihem me shumë fat për prindër të tillë që na edukuan me thjeshtësi e ndershmëri. U rritëm bashkë me bisedat për arkitekturën, dashurinë për profesionin, ndjeshmërinë për të bukurën, me veprat e tij dhe sigurisht problemet e punës që nuk ishin pak. Që në moshë të re, vizatoja në akuarel dhe i stiloja vetë veshjet e mia. Më pëlqente shumë kur gjendesha në ambientet ku projektohej dhe kur merrja pjesë në zbatimin e projekteve arkitekturore të tij. “Gjithçka duhet të bëhet me entuziazëm!  Arkitektura do pasion dhe përkushtim!” – këto fjalë të babait tim më ndjekin kudo dhe gjatë gjithë jetës. “Vetëm kështu mund të realizojmë një vepër të vërtetë arkitektonike, duke punuar me pasion dhe besim në idetë tona.”

Karriera juaj ndërkaq u zhvillua në Greqi. Ishte e lehtë të përshtateshit me një arkitekturë të njohur siç ishte ajo greke, ndërsa vinit nga një tjetër shkollë dhe filozofi arkitekture?

Në Shqipëri megjithëse ekzistonin premisa pozitive për një arkitekturë moderne, ajo nuk u njoh e nuk u përkrah, por përkundrazi u luftua nga shteti ynë totalitar. Totalitarizmi Komunist Shqiptar nuk veproi si Totalitarizmi në vendet e tjera. Arkitektura Shqiptare iu nënshtrua totalisht metodës së Realizmit Socialist të huazuar nga Bashkimi Sovjetik. Stili Social-Realist i pranuar si stil shtetëror në arkitekturën shqiptare, u trajtua si metodë politike e ideologjike duke luftuar veprat madhështore të arkitektëve të gjeneracionit të parë të arkitekturës moderne si të francezit Le Corbusier dhe hollandezit Mies Van De Rohe. Universitetit tonë dhe degës së arkitekturës iu ligjëruan leksione nga historia e arkitekturës botërore, por jo ajo moderne si e shkollave perëndimore. Arkitektura moderne nuk u njoh nga shteti, por hyri pa zhurmë dhe vendime zyrtare. Ne kishim arkitektë shumë të talentuar të këtij brezi që nuk arritën të shprehin idetë e tyre ose guxuan ti shprehin dhe u çensuruan nga sistemi. Arkitektët në veprat e tyre duhet të përdornin materialet e vendit, “jo imperialiste”. Arkitektura Moderne Shqiptare nukarriti në nivelin e Europës, se i mungonin materialet, teknologjia, teknika e përparuar dhe liria e mendimit e veprimit. Ky ishte ndryshimi dhe kontrasti (përballja) mes studiove greke, ku unë zhvilloja aktivitetin për rreth 10 vjet. Nuk ishte e lehtë, po ish një eksperiencë e vlefshme që më ndjek gjatë gjithë karrierës sime.

Eksperiencat tuaja janë fokusuar në qytete si Athina, Santorinti apo edhe Mykonos. Si i kujton ato kohë dhe ato punë?

I kujtoj me shumë nostalgji. Ishte eksperiencë fantastike përsa i përket profesionit, ashtu dhe i marrëdhënieve shoqërore. Pata fatin të bashkëpunoj me studio dinjitoze si AKPOKEPAMON, M.E.A.S  dhe me arkitektë të njohur e me shumë eksperiencë si Nikos Agriantonis (kryetar i Icomosit), Vasilis Sgoutas (kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Greqisë), Dhimitris Kiriakakos, etj. Greqia ka klimë e natyrë të adhurueshme. Projektet në ishujt e Greqisë ishin një kënaqësi më vete dhe sidomos në ishullin tim të preferuar, Santorini, ku janë projektuar e realizuar Hotel Esperas, Enigma, e shumë banesa individuale. Kujtoj shumë orë punë dhe përkushtimi për t’u përshtatur me eksperiencat e reja. Kjo eksperiencë më bëri të besoj në forcën e thjeshtësisë në arkitekturë dhe interior design dhe si të krijosh një shartim, shkrirje midis mjedisit natyror e atij të ndërtuar, si ti përshtatesh në mënyrë perfekte natyrës.

Rikthimi në Shqipëri, ju vendosi në projekte të mëdha, siç ishte Studim Urbanistik dhe Konceptim Arkitektonik i Fshatit Turistik “LAGUNA BLU”, qendrave tregtare, Banka Credins, e mandej shumë prej bareve, restoranteve, picerive e birrarive mjaft të njohura si: CAPRICIO,VINES,VINIUM, ANTINORI, BRAU HAUS, SAPORITA,  si ndiheni kur jeni kliente në këto ambiente? Sa ju japin sadisfaskion punët tuaja?

Është shumë e bukur ndjenja e krijimit, e cila të bën ta dashurosh profesionin dhe të sjell shumë sadisfaksion. Ndihem vërtet shumë mirë kur shikoj një projekt të mirërealizuar. Më pëlqen të transformoj ambientet (hapësirën), të luaj me ngjyrat, materialin, format, t’u jap energji, personalitet dhe pamje bashëkohore. Puna e një arkitekti dhe interior designer-i nuk ka të bëjë vetëm me anën estetike, me vendosjen e mobiljeve në një hapësirë, me kombinimin e tekstileve dhe ngjyrave (koloreve).  Suksesi i punës së tij është një ndërthurje perfekte e funksionit dhe estetikës. Është shumë e rëndësishme që projekti të pëlqehet nga ata që ushtrojnë aktivitetin në këto ambiente, si dhe nga ata që e frekuentojnë, këtu suksesi dhe sadisfaksioni është i plotë.

Po punët në vilat individuale të japin të njëjtën kënaqësi siç janë ambjentet publike? Ku qëndron kënqësia dhe vështirësia në realizimin e vilave?

Kënaqësinë e merr nga çdo projekt i realizuar mirë. Në ambientet publike fut më shumë veten, idetë dhe fantazinë, stilin që të përshtatet e që do i bëjë këto ambiente të shijohen dhe pelqehen nga klientët. Klienti më ben të qartë destinacionin dhe qëllimin. E më pas: vendi, hapësira, tipi i klientelës, më diktojnë vazhdimin e projektit. Gjithashtu gjatë realizimit, përjetimi dhe ndjesia që më përcjell ambienti, më përcakton vazhdimësinë duke perfeksionuar idetë. Nuk ndodh e njëjta gjë me apartamentet dhe vilat individuale, në të cilat duhet bashkëbisedim, bashkëpunim dhe mirëkuptim me klientin. Shtëpia është mbretëria, bota jonë e vogël, në një të përditshme me ritme të forta, të lodhshme. Kemi nevojë për një ambient ku të qetësohemi, çlodhës, të na bëjë të ndihemi mirë, ku marrim forcë dhe energjitë e duhura. Shoqëria shqiptare, mendoj se thellë është konservatore. Preferojnë stilin klasik, neoklasik, design-in e sigurtë me linja të drejta minimaliste. Kështu që në vilat individuale duhet bashkëpunim me klientin, sepse është ai që do të jetojë në këtë ambient, i cili duhet të pasqyroje shijen e tij, ose stilin që ai preferon. Na mbetet neve që të lidhim kërkesat dhe shijet e tij, me eksperiencat tona. Praktikisht, ky bashkëpunim ka shkallën e vetë të vështirësisë.
Klienti i kënaqur jep vlerësimin e punës sonë. Duhet të jenë vlerësime të mira, sepse një pjesë të mirë të klientëve i kam bërë shumë miq.

Një projekt mjaft i njohur i juaji është edhe Kompleksit Turistik ”Drymades INN”, i cili është një punë nga fillimi në përfundim i juaji (Koncepti arkitektonik, projekt ide, projekt zbatim dhe interieret).  Puna juaj në Greqi ndikoi në realizimin e atij projekti?

Sigurisht, eksperienca në studiot greke, ku një pjesë e mirë e punëve kanë qenë në ishujt e mrekullueshëm të Greqisë, ka ndihmuar e ndikuar në ideimin dhe realizimin e këtij projekti.

Cila është filozofia që ndiqni ju?

Filozofia e punës sime është një kombinim i krijimit, fantazisë, ideve të reja, përgjegjësisë, përkushtimit me profesionalizëm dhe përshtatjes me klientin. Qëllimi im është të arrij gjithmonë rezultatin më të mirë. Çdo projekt të ri e shoh si një sfidë të bukur, të këndshme, çdo projekt i imi dua të jetë origjinal dhe i ndryshëm nga tjetri. Dua të identifikohet nga harmonia e ngjyrave dhe detajeve, por jo nga përsëritja. Harmonia për mua ka të bëjë me një bashkësi detajesh, materialesh e ngjyrash, të cilat kur i sheh nuk të bezdisin e të nervozojnë, e as të transmetojnë agresivitet, përkundrazi të japin ngrohtësi, ndjesi të mirë dhe energji pozitive. Adhuroj të shndërroj ambientet e t’u jap jetë, energji dhe ndonjëherë edhe sensualitet. Gjithashtu, për sa i përket filozofisë së punës sime, kryesorja është klienti i kënaqur, i lumtur, në një ambient funksional ku mbizotëron shija e tij personale, e kombinuar me sende që ai i ka përzemër, duke i sygjeruar zgjidhjet më të mira të mundshme. Fillimisht bëhet një bashkëbisedim meklientët për të zbuluar kërkesat e tyre, nevojat dhe stilin që preferojnë. Pra, duhet të jesh një psikolog i mirë. Mendoj se ky është hapi i parë shumë i rëndësishëm që i hap rrugë fantazisë, krijimit dhe arritjes së suksesit. Pjesë e filozofisë është edhe natyra e punës në grup. Besoj që dijet, njohuritë dhe bashkëpunimi i të gjithë specialistëve, të përfshirë në një projekt sjell gjithmonë rezultate shumë të kënaqshme. Nuk mund të kesh rezultatet që do nëse nuk bashkëpunon me njerëzit dhe specialistët e duhur. Mund të nevojitet të punosh në një moment vetëm, por kjo është mënyrë parapërgatitje për të bashkëpunuar me personat e tjerë që përfshihen në këtë projekt. Në punën time projektuese jam ndjekëse e rregullave të Feng Shui, filozofi e lashtë kineze që studion energjinë pozitive dhe negative, energjitë natyrore të mjedisit dhe veçoritë e ndryshme magnetike, që depërtohen nga drejtime të ndryshme. Fjalë për fjalë do të thotë: Feng – erë, dhe Shui do të thotë Ujë. Ndërveprimi i këtyre dy elementëve esencialë për jetën përshkruajnë energjinë thelbësore, ose “Chi”, që është baza e Feng Shui. Feng Shui është arti, që ka të bëjë me sinkronizimin e forcave të natyrës dhe harmonizimin e njeriut me ambientin, banësën, zyrën, etj. Pra, ky art përmbledh forcat e natyrës në atë mënyrë që të krijohet harmonia dhe pozitiviteti. Shembull trajtimi: Hyrja e shtëpisë, sipas Feng Shui është shumë e rëndësishme. Aty hyn e gjithë energjia pozitive. Kështu që duhet të kujdesemi që hyrja të jetë e pastër, me dritë dhe duhet të largojmë gjithë mobiljet e tepërta në mënyrë që të mos pengojmë energjinë pozitive të hyjë.

Xhilda, çfarë mendoni se është e veçantë në punën tuaj? Cila është ajo që ju identifikon në çdo punë që ju realizoni?

Ekzistojnë sigurisht dhe disa elementë të cilët më karakterizojnë, si brand për çdo krijim timin. Këto janë: përdorimi i linjave të lakuara e të kombinuara me linjat e drejta, lojën e volumeve gjeometrike dhe gama e ngjyrave të tokës dhe kombinimeve të ngjyrave me dritë. Gjithashtu, mendoj që dallim përbën përdorimi i toneve të ngjyrës së kalter (turquoise), të cilën e kam adhuruar që e vogël duke e përdorur në veshjet e mia, ashtu siç kam adhuruar dhe detin. Shumë mendojnë që jam e inflencuar nga bashkëpunimet me studiot greke. Sigurisht që jam e ndikuar, por mendoj se është dashuri shumë më e hershme. Një tjetër karakteristikë është përdorimi i elementëve orientale, që e bëjnë një ambient shumë të dashur e mikpritës, që të nxit fantazinë e të bën të udhëtosh larg. Ajo që i dallon punët është edhe përdorimi i elementeve natyral,si druri, pemë të vendosura në interier, gurë, hekuri i papërpunuar, motivet floreale të përdorura si mozaik në dysheme dhe piktura murale.

Kush ju frymëzon në krijimet, punët tuaja?

Natyra është frymëzuese për mua. Magjia e saj, harmonia, ekuilibri, përsosmëria e kombinimit të ngjyrave e formave. Gjithashtu burim frymëzimi janë udhëtimet, ndjekja e panaireve apo ekspozitave kombëtare e ndërkombëtare, designer-at e kohës e të suksesshëm; është tjetër ndjesi, të frymëzon, të vë në kontakt me materialet e reja dhe tendencat, sheh mobiljet e vendosur në hapesire, i prek, ndjen energjinë e tyre dhe menjëherë i fantazon ato në vendin ideal ku do të vendosen për të marrë jetë. Frymëzohem dhe nga karakteret njerëzore. Më pëlqen të njoh dikë dhe të fantazoj shtëpinë e tij. Besoj se çdo gjë mund të bëhet burim frymëzimi.

Çfarë ështe diçka (mbase hobi) që nuk e keni realizuar?

Shumë do desha të bëja. Më mrekullon veçanërisht fotografia profesionale. Ai kliku që fikson një moment e që zgjat ndër shekuj.

Mendimet dhe idetë tuaja janë shumë të bukura dhe me jetë. Po si mundeni që t’i realizoni ato?

Në fillimet e mia ka qenë e vështirë për të gjetur bashkëpunëtorët e duhur, sepse edhe mundësitë në Shqipëri ishin të pakta. Sot situata ka ndryshuar dhe bashkëpunëtorët janë të shumë.  Megjithatë do të veçoja bashkëpunimin cilësor që kam prej shumë vitesh me mobilerinë “Casa Dolce Casa”. Ata punojnë me fabrika prestigjoze në Itali dhe janë shumë korrekt në punën e tyre.

Kush është projekti i ëndrrave tuaja?

Nuk dua të them fjalë të mëdha. Çdo projekt është një ëndërr që bëhet realitet. Nuk dua akoma të braktis ëndrrën që quhet arkitekturë. Shpesh herë gëzimin, lumturinë e gjen tek gjërat e vogla. Përfundimisht, mendoj se nuk do ndaloj kurrë se ëndërruari.

Kush janë arkitektët dhe designer-at e tu të preferuar?

Adhuroj punët e Zaha Hadid dhe Karim Rashid. Më mahnit dhe emocionon gjithmonë arkitekti Spanjoll Katalanas, Antoni Gaudi.

Kush është projekti i ëndrrave tuaja?

Nuk dua të them fjalë të mëdha. Çdo projekt është një ëndërr që bëhet realitet. Nuk dua akoma të braktis ëndrrën që quhet arkitekturë. Shpesh herë gëzimin, lumturinë e gjen tek gjërat e vogla. Përfundimisht, mendoj se nuk do ndaloj kurrë se ëndërruari.

 

Botuar në revistën “Bordo”

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF