KreuStil Jetese

Këmbë të ënjtura? Shmangni këto gabime!

Ky është një problem që ndodh shpesh, pothuajse tek të gjiha femrat, si pasojë e disa gabimeve që mund të bëjmë, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme. Mos u shqetësoni, ndiqni këshillat tona e zgjidhni problemet!

Kur kuptojmë se kemi të bëjmë me ënjtje në pjesën e këmbëve, e cila nuk shkaktohet nga ndonjë traumë apo nga problemet e qarkullimit të gjakut, atëherë kemi të bëjmë me probleme me sasinë e ujërave të mbledhur në këmbë të cilat shkaktohen për arsye nga më të ndryshmet.

Këmbët dhe kaviljet e fryra janë simptoma e parë e qarkullimit të dobët të lëngjeve si pjesë  e sistemit limfatik. Me grubullimin e lëngjeve krijohen edema të cilat shoqërohen me ënjtjen. Zonat më të prekura të trupit janë gjymtyrët e poshtëm.

Kjo ndodh kur qëndrojmë në këmbë për një kohë të gjatë, kur bën nxehtë, ose kur jemi përpara ciklit menstrual.

Zakonet e këqija që shkaktojnë  fryrjen e këmbëve

Pak ose aspak aktivitet fizik, një regjim jo i rregullt ushqimor shkaktojnë probleme me lëngjet në trup. Shmangni kripën e tepërt, sallamrat dhe djathërat. Ulni sasitë e kafesë, cigares dhe alkoolit. Ushqehuni sa më shëndetshëm me produkte të pasura me vitamina e minerale.

Aleatët tuaj janë frutat, perimet e çajrat bimorë. Bëni kujdes me këpucët! Zgjidhni gjithmonë ato të duhurat! Takat e larta përgjatë gjithë ditës janë një nga faktorët kryesore të fryrjes së këmbëve.

Si ta luftoni ënjtjen e këmbëve?

Një nga këshillat kryesore për të shmangur këtë problem ka të bëjë me qëndrimin në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë. Nëse rrini në këmbë ose ulur, është ideale që të përpiqeni t’i lëvizni këmbët herë pas here. Kjo i bën mirë qarkullimit të gjakut dhe lëngjeve në trup.

Një zakon tjetër që duhet të ndiqni është në përfundim të dushit, të hidhni ujë të ftohtë në pjesën e këmbëve. Uji i ftohtë i bën shumë mirë qarkullimit, e favorizon dhe është një kullues shumë i mirë.

Nëse keni kohë dhe mundësi, ideale është një shëtitje në ajër të pastër dhe noti në pishina. Do ju lehtësonte dhe ndihmonte shumë!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF