‘Portokalli’ sheh konkurrencë apo gjen frymëzim tek Klan?! 0 74

‘Portokalli’ është bazuar jo rrallë herë në imitime, për të mos thënë që një pjesë e mirë e spektaklit është mbajtur shpesh mbi të tilla performanca. Kujtojmë se politikanët kanë qenë shënjestra e preferuar e autorëve të programit të së dielës mbrëma, madje prej tyre shumë nga aktorët e ‘Portokalli’ etiketohen ende me emrat e personave realë. Por, duket se këtë sezon, spektakli ka preferuar një natyrë tjetër imitimi.

‘E Diela Shqiptare’ dhe Ardit Gjebrea në veçanti, ‘Zonë e Lirë’ me në krye Arjan Çanin, Robert Aliaj janë disa nga emrat e televizionit Klan, të cilët janë bërë pjesë e ‘Portokalli’ me anë të imitimeve të performuesve në këtë format. ‘Ujvara e Ëmbëlsisë’ përfaqëson dukshëm spektaklin e Gjebreas, ndërsa ‘Zona e Bryllit’ sjell gjithçka kemi parë në gjithë këto vite nga Çani. Florian Binaj, i improvizuar me mantel të zi, syze e thonj të po së njejtës ngjyrë ishte një version humoristik i Robert Alisë, që nuk linte vend për dyshime mbi të kundërtën. E kur i mendon të gjitha këto, çfarë po përpiqet të tregojë Top Channel me këtë shënjestrim të radhës?

Kujtojmë se ky vit solli një fluks largimesh nga ‘Portokalli’, e këtu nuk po flasim për ‘venitje’ figurash. Të fundit që u larguan ishin Bes Kallaku dhe Erion Isai, dy performues që rendën menjëherë tek dyert e telivizionit konkurrent të Top-it, pikërisht në Klan. Si për të mos mjaftuar kjo, bashkarisht u prezantuan nga vetë Arditi si dy nga emrat që do të drejtojnë “Kënga Magjike 2017”. A ka lidhje kjo me ironizimin e Gjebreas në ‘Ujëvara e Ëmbëlsisë’…?

Nuk besojmë se e keni harruar shkrimin e bordo.al, i cili fliste për të gjithë të larguarit nga spektakli i Top-it, në Klan (për ju që nuk e keni lexuar: http://bordo.al/2017/10/15/te-gjithe-te-ikurit-e-portokalli-falen-tek-arditi/). Përmenden emra si Gent Zenelaj, i cili punon ende për Klanin, Julian Deda, që u pa në “E Diela Shqiptare”, e pastaj në “Kënga Magjike”, Agron Llakaj me pjesëmarrjen në të njejtin festival në 2010, Ermal Mamaqi i cili tashmë e ka shfaqur haptazi rivalitetin me Luana Vjollcën, vetëm për shkak të emisioneve në të njejtën ditë e orë, në televizionet konkurrente… Me pak fjalë, ata të cilët i njohëm nga ‘Portokalli’, jo vetëm që u shkëputën nga formati, por ‘u falën’ aty ku Top-it nuk ia priste mendja.

Por, nuk mund të dilet në një përfundim të saktë (të paktën jo pa një reagim zyrtar). Imitimet mund të justifikohen thjesht edhe si burim frymëzimi për spektaklin e humorit, ashtu sikurse, siç e përmendëm, politikanët viheshin në shënjestër me të njejtin intensitet. Nga ana tjetër, nuk mund të mbetet larg vëmendjes mediatike një ‘shpërthim’ i tillë nga ana e ‘Portokalli’… Ndoshta, po e ndjejmë më shumë se kurrë konkurrencën mes të dy televizioneve?

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *