Bleona, pse ngjason me figurën (e harruar) të 90-tës të largët? 0 97

Sara Gurabardhi

Edhe pse një ndër personazhet më të përfolur, nuk mund të themi se gjithçka për të adresohet pozitivisht. Për të mos thënë, shumica rendin drejt kritikave, ndërsa nuk mund të bëjmë gjyqtarin nëse kjo është e drejtë ose jo. Por, asgjë nuk ndalon në daljen e një përfundimi të supozuar pse Bleona shënjestrohet shumë herë për keq…

Nuk do ndalem shumë tek ajo çka ka ndodhur më larg se e shtuna tek Ermali. “Xing”-u i famshëm mjaftoi të sillte në kujtesë figurën tipike prej të famshmeje në vitet ’90, që tashmë, duket si një periudhë demode e disi e harruar. Bleona. Fillimisht, veshja apo zhveshja e këngëtares mund të hyjë në sy të atyre që kritikojnë çdo veshje apo zhveshje të mundshme. Pse jemi mësuar me të tilla komente? Pa marrë parasysh dhjetëra femrat e botës së muzikës, që sa herë ekspozohen pretendojnë se thyejnë tabu (që për ne shqiptarët mbeti duke u thyer…), jo më larg se këtë verë, ishte Klaudia Pepa ajo që u përfol aq shumë për nuditetin e saj në plazh. Dhe Klaudia aq e pati, tashmë shumica janë mësuar, ndërsa pakica mbetet duke komentuar në rrjetet sociale. Kështu, ajo pakicë që vlen dhe për Bleonën, nuk përfaqëson opinionin e treçerekut të shqiptarëvë, të cilët jetojnë në epokën e Playboy, PornHub, Brazzers (ekspertët mund të shtojnë emra të tjerë).

Përpos kësaj, unë e kuptoj që jetesa në Los Anxhelos, për disa është mburrje. Dhe nuk kam gjë kundër mburrjes, për sa kohë ndër shtatë miliardë njerëz, diversiteti i njerëzve është nga më të shumtit. Por, për fatin e keq të Bleonës, fenomene si Era Istrefërat, Elvana Gjatërat po shtohen çdo ditë e më shumë. Mirë apo keq, deri më tani kemi dëgjuar diçka prej tyre. Nga ana tjetër, Dua Lipa ishte thjesht adoleshente kur u shpërngul në Britani, e nuk mund të themi se po korr pak suksese, përkundrazi. Kjo, pikërisht kjo pjesë, mungon tek Bleona. Ndoshta, ka patur disa projekte, por industria e shoubizit nuk pret. Nuk pret as ata që fitojnë Oscar, as ata që fitojnë Grammy, kështu që nuk ka si të presë këngën e klipin tre minutsh të radhës. Me pak fjalë, mbeten në harresë.

Bleona mburret shumë për pjesëmarrjen në kinematografi, madje e mbajti me jehonë lojën përkrah Steven Seagal. Përveç faktit që kushdo që e njeh pak kinemanë, e di fare mirë sa qesharake duket mburrja e të qenurit ‘aktore’ në një film me Seagal (sepse aty gjen çdo lloj kategorie, nga dublantët, tek striptistet), Bleona përmendi se ka mbaruar xhirimet e një tjetër projekti, ku do të shihet krah Nicolas Cage. Ok, nuk po e theksoj shumë që Cage, përpos talentit të shfaqur në disa filma, u bë vite tashmë që pranon çdo projekt të mundshëm për shkak të borxhit me miliona dollarë ndaj shtetit amerikan. Por, duke e lënë mënjanë këtë, këngëtarja përdori një shprehje: “Nuk kam folur akoma me producentët për…” Kaq më mjafton, sinqerisht. E dimë se sa ‘bujarë’ janë producentët hollivudianë në këtë drejtim. Kanë gjithë kohën e botës për të folur me këdo, kurdo! Por, prapë po them se e kam gabim.

Nuk mund të rri pa përmendur faktin se Bleona tha se punonte konkretisht, nuk ishte nga ata shqiptarë që shkojnë, bëjnë filma me celularë dhe thonë se mori pjesë në film. Bleona, kjo i përket (prapë!) 90-tës së largët. Tashmë, aktorët shqiptarë shkelin në sheshxhirime të huaja, madje dhe të regjisorëve të kategorisë A. Thjesht, duhet të informohesh pak më tepër. Ndërsa, komentet mbi kritikat për ngrirjen e vezëve (kulturë e shpërhapur tashmë dhe në telenovelat turke tek Klani), Bleona iu përgjigj me shprehje të tipit: “tregojuani mamave e grave tuaja, e dashnoreve tuaja”…Me pak fjalë, argumenta të përdorura si ato të adoleshentëve, që lejnë orët e mësimit për të vrarë edhe më tej kohën.


Dhe, e fundit nga përshtypjet e “Xing”-ut: Bleona futet në qebaptore, në një nga videot e realizuara nga emisioni. E veshur me peliçe, këngëtarja e heq këtë të fundit, ia lë në dorë një djali dhe i thotë: “Zemër, ma nxirr pak jashtë se merr erë dhe kjo nuk lahet”…Bleona, të gjithë e dimë që peliçja nuk lahet. Të gjithë kemi peliçe. Dhe, nëse këtë e kë thënë për shkak të çmimit (që pretendojmë të ketë kushtuar shtrenjtë), ky është një argument i pavlefshëm nëse jeton në një lagje me Rihanna-n… Dhe jo, nuk ishte pjesë e ndonjë skenari të mundshëm për batutë.

Por, mbetemi në kuadër të një qendrimi, nga një spektator i thjeshtë, që u mendua ca ditë për të kushtuar këtë vëmendje. Megjithatë, askush nuk mund të bëhet gjyqtar i tjetrit, sidomos kur flasim për VIP-at.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *