48 orë në Verona, qytetin e dashurisë

Bordo dhe Albawings, ju propozon një fundjavë në Verona. Brenda 48 orëve zbuloni historinë, pallatet mesjetare, kishat elegante, muzeumet dhe arkitekturën.

 

Duke ecur përgjatë Corso Porta Borsari, një nga rrugët më të famshme të blerjeve në Verona, vendasit që shëtisin shkujdesur duke ngrënë akullore, thuajse nuk dallojnë dot mrekullinë e portave romake, harqet e mëdha të të cilave kanë parë e dëgjuar dhjetëra histori që kanë krijuar këtë qytezë magjike.

Teksa kalon plot admirim poshtë dy harqeve madhështore të dëmtuara nga motet të Porta Borsari, befas të shfaqet gjithë historia, kultura, arkitektura dhe arti i Italisë. Shija tunduese e akullores artizanale me çokollatë dhe mjedër, zbehet befas nën gjuhë, sapo vë këmbët në sheshin më të famshëm të qytetit, Piazza delle Erbe.

Këtu nis historia e qytetit nga një vend i vogël tregtar, i cili u shndërrua në qendrën e artit evropian, falë pasurive të familjeve të mëdha, të cilat joshën artistë nga e gjithë Italia dhe më gjerë, për t’u stacionuar në Verona dhe për të krijuar. Nuk ka sesi të mos dallohen nga të tjerat ndërtesa, pallatet, shtëpitë e tregtarëve, kullat dhe statujat si të ngrira nga koha, e cila veçse i ka pluhurosur, por nuk i ka zbehur magjinë. Shumica e vizitorëve, preferojnë të ulen në ndonjë prej kafeneve në ajër të pastër me karrige ngjitur buzë rrugëve, pasi kanë udhëtuar nëpër çdo kthinë, rrugicë e shesh duke soditur qytetin. Piazza delle Erbe, përfaqëson zemrën e vërtetë të Veronës. Rrethuar me arkitekturën mesjetare, tregjet e vogla me prodhime vendase si suvenire dhe rroba janë një atraksion për vizitorët.

Related image

Edhe pse më i vogël dhe i qetë, Piazza dei Signori, i cili ndodhet pak minuta më tutje, ka bukuri me të vërtetë italiane. Aty gjendet Qendra e Fotografisë Scavi Scaligeri. Aty afër ngrihet Amfiteatri Romak, i njohur ndryshe si Arena, është i dyti vend më i vizituar në qytet pas shtëpisë së Romeo dhe Zhuljetës, ndërtuar jashtë mureve të qytetit, në vitet 30 pas Krishtit, ku dikur mbi 30 mijë vetë të apasionuar shkonin aty rregullisht për të ndjekur ndeshjet e gladiatorëve. Për të festuar ditëlindjen e Giuseppe Verdi nga 1913, ky u bë vendi më i madh i operës në botë, sidomos gjatë sezonit të verës, ku ngjiten në skenë shfaqje të mëdha operistike, duke rritur akoma më shumë dimensionet e Veronës si qytet i kulturës. Struktura madhështore u ndërtua në shekullin e parë për shfaqjet e gladiatorëve. Ka një strukturë të fortë dhe mbresëlënëse ku kombinohen tulla dhe mermeri veronez që krijojnë një efekt kromatik. Axhenda kulturore vjetore përfshin opera, balet dhe simfoni, në verë, mbahet Festivali i Veror Operistik, skenë ku kanë interpretuar nën dritën magjepsëse të hënës emra si Maria Callas.

Image result for verona

Po aq i rëndësishëm është edhe Teatri Romak, i cili daton 100 vjet para Krishtit dhe shndërrohet në një qendër kulturore gjatë Verës, sidomos për faktin se ofron një pamje unike të urës së famshme Pietro, e cila dallon prej së largu nga kulmet e kuqërremta, gjatë perëndimit të diellit. Lumi Adige është fokusi i qytetit. Vëmendja më e madhe aty është sidomos nga çiftet e të dashuruarve që shkojnë aty për të dhënë premtimet e tyre të përjetshme, për faktin se të gjithë e dinë që ky është qyteti I Romeo dhe Zhuljetës.

Image result for verona roman theater

Historia dhe legjenda ndërthuren aq shumë me njëra-tjetrën saqë nuk dallohet dot se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, kjo vlen edhe për luftën e dashurisë mes Romeos dhe Zhulietës. Nëse është apo jo shtëpia e vërtetë ku ka jetuar Zhulieta, është e vështirë të mos emocionohesh nga pamja e ballkonit, nga ku ajo dhe Romeo i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme dhe nga ku vendosën të martoheshin fshehurazi. Shekspiri vendosi historinë e dashurisë mes Romeo Montague dhe Juliet Capulet pikërisht në Verona, sepse ky qytet ndoshta më shumë se asnjë tjetër në Evropën e asaj kohe, nuk ofronte një panoramë kaq romantike. Por jo vetëm kjo vepër, edhe 2 të tjera si “Dy zotërinj nga Verona” dhe “Zbutja e Kryeneçes” i morën ngjarjet nga njerëzit dhe lagjet e këtij vendi. Basilica di San Zeno, edhe pse është një bazilikë e vogël, fama e saj qëndron pjesërisht në arkitekturën e saj, më shumë sesa tek një dhomë e nëndheshme, vendi ku Shekspiri martoi Romeo dhe Zhuljeta.

Verona ka më shumë gjurmë të epokës romake, se çdo qytet tjetër i Italisë dhe kjo është e dukshme ngado, e sidomos spikasin elemente të fortë të periudhës së Rilindjes të gdhendura fort gjatë periudhës mesjetare. Ndërtesat kanë ruajtur të njëjtën pamje historike, ndërsa dyqanet i balancojnë ato me një ndjenjë të modernizmit italian.

Edhe pse Verona njihej dikur si Meka tregtare, ky qytet shfaqet papritur si një oaz për artistët. Asokohe qyteti ishte ishte një qendër e zhvilluar tregtare, vendi ku mori zhvillim arti, muzika, arkitektura dhe letërsia, duke e kthyer këtë qytezë të vogël në qendrën më të madhe të Evropës, çka ndihet edhe sot në çdo rrugicë, ndërtesë dhe muze.

Image result for giardino giusti

Një eksperience unike është Giardino Giusti, një nga kopshtet më të bukura të Rilindjes së Italisë me një panoramë të mrekullueshme, e cila sheh drejt kështjellës San Pietro. Kopshti është vizituar nga Mozarti dhe Gëte që në vitin 1570 dhe është i dekoruar me disa shatërvane, oaze të vegjël dhe pafundësi bimësish të rralla. Nuk mund të largoheni nga kjo zonë pa drekuar në restorantin La Fontana, më eleganti i qytetit i vlerësuar me çmimin Michelin dhe gjendet në një nga qoshet e arenës. Aty shërbehen pjata tradicionale dhe produkte tipike vendase.

Image result for piazza bra

Piazza Bra, një nga sheshet më të mëdha në Europë, ka stil unik. Aty mund të shohësh detajet me mermer rozë të sjellë nga Valpolicella, i njëjti që u përdor për të ndërtuar Amfiteatrin Romak. Pikërisht aty gjen një pafundësi baresh tejet fashion ku mund të konsumosh një kafe ose një aperitiv. Mund të ndaloni në Caffé Tubino, një kafene e vogël, e cila dallon për stilin, dhe shijet unike të kafesë të cilat i shërben që nga 1969-ta.

Nëse doni një pamje të hatashme të qytetit, mund ta keni vetëm në majën 84 metra të kullës Lamberti. Po ashtu, në verandën e Roïalto mund të shijoni diellin e ngrohtë, muzikën e rafinuar, një aperitiv apo diçka të shpejtë për të mbyllur turin tuaj në Verona.

Related image





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.