Vendet sekrete të Amos Zaharia 0 187

Nga kujtimet e fëmijërisë deri tek momentet që mbushin ditët e sotme, aktori Amos Zaharia ndan me lexuesit e BORDO, vende të cilat e lidhin pazgjithshmërisht me të shkuarën e të tashmen. Pasi ju desh të linte për pak shexhirimin, ku ndodhej për projektin e fundit artistik, Amosi vendos të flasë për veten dhe miqtë e ngushtë, dashurinë e parë, e sende të vyera që padyshim kanë ndikuar fort në çdo hap të jetës. Zbuloni cilat janë vendet sekrete të aktorit të talentuar.

 Tarraca e pallatit

“Kam qenë pikërisht në një tarracë pallati (në atë kohë 14 vjeç) kur kuptova që kisha përpara vetes vajzën e parë me të cilën do të dashurohesha. Ishim ne, qielli dhe plot antena të drejtuara nga Dajti. Tani sa herë më rastis të gjendem në një tarracë, detyrimisht më shkon mendja tek ajo, kush e di ku do jetë…”

Deti

“Nuk them që është një vend sekret, por deti është mbase kujtimi im i parë që kam nga kjo jetë. Babai e kishte zakon të më hidhte në mes të detit, ndërkohë që unë isha vetëm 4 ose 5 vjeç, me idenë që kështu mësohem me detin, dhe në fakt kishte të drejtë, deti kurrë nuk më tremb, përkundrazi”.

Një shtëpi e abandonuar

Aktori Amos Zaharia e mban ende si një kujtim të bukur një vend i cili ishte një shtëpi e braktisur në lagjen ku ka kaluar fëmijërinë. Bashkë me dy shokët e ngushtë, shkonin dhe pinin cigare fshehurazi prindërve, pasi në atë kohë ishin vetëm 11 ose 12 vjeç. Aty tregonin histori të frikshme dhe bënin plane për të ardhmen, andaj e quanin: Vendi Sekret.

Sheshi i xhirimit

“Është gjithnjë në vendndodhje të ndryshme, ama gjithnjë më krijon të njëjtën ndjesi, lumturi!” Sheshet e xhirimit i ka shkelur që i vogël, qysh kur ishte ende fëmijë kur shkonte pas të ëmës, aktores Yllka Mujo në filmat që gdhendi në historinë e kinemasë. “Tani jam 28 vjeç dhe i dua po aq shumë sa herën e parë, një dashuri e pakonsumueshme”.

Natë në Llogara

Udhëtimet duket se janë një pasion i madh për Amosin, ndaj ai nuk e fsheh aspak sesa gjurmë kanë lënë ato tek ai. “Po kthehesha me miqtë e mi nga pushimet, dhe në majë të Llogarasë autobusi pati defekt, kështu që dolëm për pak në ajër të freskët. Aty kam parë qiellin më të bukur të jetës time, një pafundësi yjesh. Qielli dukej i gjallë”.

Bota e librit

“Kur nuk ke mundësi të blesh biletën e rradhës për në Indi, nuk ka asnjë problem, mjafton të hapësh një libër. Me anë të një libri mendja e njeriut është gjithnjë e lirë të udhëtojë nëpër bote dhe të jetojë jetë të ndryshme. Sa herë më jepet rasti, filloj artin e shfletimit”.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *