Pamë çmimin dhe na u pre uria/ 7 ushqimet më të shtrenjta në botë!

Ushqimi i mirë është një nga kënaqësitë më të mëdha të jetës, madje disa mund të argumentojnë se është kënaqësia më e madhe!

Jo pa shkak, sepse në larminë e shijeve që ekzistojnë në botë, ushqimi nuk resht kurrë së na habituri… përveçse kur vjen puna te çmimi i tij. Nuk do t’i besoni çmimet stratosferike të disa prej pjatave më të shtrenjta në botë, shumë prej të cilave kushtojnë sa një makinë.

Nga njëra anë na ikën uria kur shohim zerot në çmim, nga ana tjetër na pikon zemra, pasi zor se do t’i provojmë ndonjëherë këto ushqime luksoze. Ç’t’i bëjmë, kështu e ka jeta!

Ja 7 pjatat me ushqimet më të shtrenjta në botë!

 

1. Puding me çokollatë (Lindeth Howe Country House Hotel, Britani)

Një vezë Fabergé prej çokollate ju vjen bashkë me këtë puding luksoz, bërë nga çokollata më cilësore, dhe mbushur me reçel shampanje. Kryevepra kurorëzohet me fletë ari dhe havjar, e madje i shtohet edhe një diamant për dekorim.

Çmimi: 35.000 dollarë

2. Bagel-i i Westin Hotel (Nju Jork)

Bagel-i supozohet të jetë një ushqim i shpejtë, rrëmbyer te furra buzë rrugës, ndërsa nxiton për në punë. Por jo për shefin e hotelit Westin në Nju Jork, i cili krijoi një bagel me krem djathi prej tartufi të bardhë, reçel vere Riesling, dhe fletë ari.

Çmimi: 1000 dollarë

3. Akullorja “Golden Opulence” (Serendipity 3, Nju Jork)

NJë akullore luksoze me vanilje, me kokrra vaniljeje nga Masagaskari, dhe copëza çokollate Chuao nga Venezuela. Spërkatet me një ndër çokollatat më të shtrenjta nga Amedei Porcelana, dhe dekorohet me bajame të veshura në ar, tartuf me çokollatë, qershi marzipan, dhe fletë ari 23-karatëshe. Të mos harrojmë dhe lugën me havjar dhe lulen prej sheqeri.

Edhe gota është luksi vetë: një kupë kristali Baccarat, me një lugë ari.

Çmimi: 1000 dollarë

4. Fritata “Zillion dollar” me aragostë (Norma’s, Nju Jork)

Ndërkohë që ne gatuajmë shpejt e shpejt një omëletë në mëngjes, dhe vazhdojmë punët tona të përditshme, restoranti Norma’s në Nju Jork e ka ngritur këtë ushqim të lirë në një tjetër nivel.

Plot 280 gramë havjar, si dhe një aragostë e tërë vendoset mbi omëletën, e cila përbëhet nga 6 vezë normale.

Çmimi: 1000 dollarë

5. Pica me tartuf të bardhë dhe ar (Margo’s, Maltë)

Pak vite më parë, piceria Margo’s në Valetta, Maltë, vendosi rekordin për picën më të shtrenjtë në planet, me picën e saj me tartuf të bardhë dhe ar.

Brum i hollë, djathë mocarela, tartuf i bardhë dhe spërkatur me fletë ari 24-karatëshe. Nuk ka salcë domatesh, sepse nuk përputhen me shijen e tartufit.

Çmimi: 2420 dollarë

 

6. Ëmbëlsira “Fortress Stilt Fisherman Indulgence” (The Fortress Resort & Spa, Sri Lanka)

Kjo ëmbëlsirë e shtrenjtë është një kasatë italiane, mbushur me krem irlandez dhe fruta të stinës. Një komposto shege dhe mangoje formon bazën e kasatës, së bashku me krem shampanje. Dekorohet me siluetën prej çokollate të një peshkatari, dhe me një mur transparent sheqeri. Për ta mbyllur, një gur akuamarine vjen bashkë me të.

Çmimi: 14.500 dollarë

7. Hamburgeri “FleurBurger 5000” (Fleur, Las Vegas)

Bifteku Wagyu, më i shtrenjti në botë, përdoret për këtë hamburger, po ashtu edhe foie gras, skuqur me gjalpë, dhe kurorëzuar me pak tartuf të zi të grirë. Të gjitha vendosen në një panine briosh.

Hamburgeri shoqërohet me një shishe “Petrus”, të vitit 1995, arsyeja kryesore pse çmimi është aq i lartë. Kombinimi i hamburgerit me verën është perfekt, dhe shija e hamburgerit është hyjnore.

Çmimi: 5000 dollarë

 





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.