KreuCelebrity

Vajzat që na krenuan në botë dhe nuk fshehën origjinën shqiptare!

Pavarësisht se përfshirja e artisteve shqiptare në tregun ndërkombëtar nuk është më një rast i rrallë, nuk mund ta mohojmë se jemi krenuar jo pak me disa nga artistet më në zë të momentit. Përpos aludimeve se shumë hollivudianë kanë origjinë shqiptare, katër nga vajzat më të njohura në tregun e huaj kanë qenë ato të cilat kanë deklaruar me krenari prejardhjen e tyre. Edhe pse tashmë i kemi dëgjuar me qindra herë emrat e tyre, Eliza Dushku, Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha mbeten të paharruara në imazhet me simbolet e shqiponjës dhe flamurit shqiptar.

Eliza Dushku
Çfarë duhet të përmendet fillimisht për Elizën është tatuazhi i shqiponjës së flamurit në shpinë, identifikues i origjinës gjysmë-shqiptare nga i ati. Të njejtin tatuazh e mbart edhe vëllai dhe babai i aktores, ndërsa Dushku ka vizituar jo pak herë Shqipërinë. Projekti më i fundit, i rreth dy viteve më parë, solli Elizën në bashkëpunim me të vëllain, si realizues të dokumentarit ‘Dear Albania’, ku gjenden imazhe e filmime të Shqipërisë së sotme. Eliza ka luajtur edhe rolin e një vajze amerikane me origjinë shqiptare në një nga filmat e saj të parë, “The New Guy”.


Rita Ora
Këngëtarja me origjinë kosovare është shpërngulur në Angli në moshë fare të vogël, së bashku me familjen e saj. Rreth moshës 10-vjeçare, ajo mori pjesë në një film me një rol fare të vogël, por ky ishte vetëm fillimi i një karriere që do të merrte kryesisht trajtat e përfshirjes në industrinë e muzikës. Duke mos e fshehur kurrë prejardhjen, Rita realizoi klipin “Shine Your Light” në Kosovë, në vitin 2012. Duke mbajtur flamurin kosovar të lidhur në qafë dhe duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, Rita vulosi dashurinë dhe krenarinë për origjinën. Jo më larg se këtë verë, ajo ishte e pranishme në një dasëm të organizuar nga një i afërm, ndërsa në intervistën më të fundit për Italinë bëri thirrje të mos harronte askush origjinën e saj shqiptare.


Dua Lipa
Dua Lipa ishte adoleshente kur u largua drejt Anglisë, por kjo ishte thjesht një ogur i mirë i një karriere muzikore që sa vjen e rritet edhe më shumë. Në klipin “Last Dance”, Dua bën shenjën e shqiponjës me duar, ndërsa në një nga performancat në Frankfurt, këngëtarja shpalosi pa problem flamurin shqiptar. Njoftimin për koncertin në Paris, Dua e bëri të ditur nëpërmjet dy fotove, ku shihet me një bluzë të bardhë me shqiponjën e stamposur. Ndërsa, nuk është e nevojshme të thuhet që në çdo intervistë e ka pranuar me krenari prejardhjen!


Bebe Rexha
Bebe ka një lidhje të ngushtë me Shqipërinë, e këtë verë kaloi një pjesë të pushimeve në bregdetin vendas, nën shoqërinë e familjes Meta-Kryemadhi (lidhje fisnore). Simboli i shqiponjës me duar nuk ka munguar as nga Rexha, ndërsa në një nga vizitat e saj në Paris, këngëtarja është parë me një kapele kuq e zi rrugëve të kryeqytetit francez. Jo më larg se të dielën që lamë pas, Bebe ishte e pranishme në mbrëmjen e organizuar nga shqiptarët në SHBA, në nder të 28 nëntorit. Foto së bashku me Vedat Ademin, u publikua dje, ndërsa Rexha po korr një karrierë të suksesshme në tokën amerikane.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF