KreuArt

Një dhjetor i lumtur për artdashësit, “Nata e Dymbëdhjetë” premierë në Teatrin Metropol!

Teatri Metropol çel këtë fillim dimri premierën absolute “Nata e Dymbëdhjetë” të Uilliam Shekspir. Kjo komedi, e cilësuar si nga veprat më të mira të Shekspirit, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Iliri, vihen në skenë nga regjisori amerikan Justin Anderson,  i cili ka një eksperiencë të gjatë artistike si regjisor dhe drejtor i Teatrit Aurora në Atlanta.

“Nata e Dymbëdhjetë” është një premierë tipike shqiptare, me vendngjarje në Iliri, ku ndërthurren traditat shqiptare nga jugu në veri, me emra personazhesh, muzikë e kostume, aq sa vetë shfaqja të kthen pas në kohë e të kujton rrënjët shqiptare, kohën e Lord Bajronit dhe Ali Pashë Tepelenës.

E tillë mund të vinte kjo shfaqje,  falë bashkëpunimit mes dy artistëve; njërit amerikan, regjisorit Justin Anderson dhe njërës shqiptare, drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo. “Partneriteti ynë le të themi ka nisur nëntë vjet më parë në bashkëpunime të mëparshme që kemi patur me Jonidën. Ndërsa biseda konkrete për “Natën e Dymbëdhjetë”, ku ka një ndërthurje mes dy kulturave asaj shqiptare dhe amerikane, nisi një vit më parë. Duke qëne se kjo vepër e Shekspirit ekziston prej 400 vitesh, e botuar në shumë gjuhë të botës dhe meqë specifikisht autori e ka vendosur në Iliri, menduam që do të ishte një mundësi shumë e mirë e ndërthyrjes së këtyre dy kulturave. Unë isha shumë i vetëdijshëm se ajo pjesë që ne po krijonim të ndihej si pjesë e vendit, pjesë e kulturës dhe estetikës. U përpoqëm, duke filluar nga detajet,  kostumet, lëvizjet, dialektët, muzika të ishte specifike dhe përfaqësuese e trevave shqiptare”, thotë Justin Andeson.

Ashtu si shumë komedi të tjera të Shekspirit, edhe kjo komedi përqendrohet mbi identitetin e rremë. Ndërthuren karaktere e situata nga më të ndryshme me nota realiste e lirike, komike e dramatike, plot humor e trishtimin.

Premiera nis sot në datën  6 dhjetor deri në 17 dhjetor e pastaj do të vijoj në muajin janar e shkurt 2018.  Në skenë do të ngjiten disa nga aktorët më në zë të momentit, si : Mehmet Xhelili, Rozi Kostani, Florian Agalliu, Klea Konomi etj.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF