KreuBusull

Shën Nikolla, ose legjenda e babagjyshit

Miti i Babagjyshit rrjedh nga legjenda e Shën Nikollës, i cili jetoi në shekullin e katërt, ditë e cila festohet tradicionalisht më 6 dhjetor. Në Mesjetë kjo ditë festohej duke kujtuar Shën Nikollën, një traditë mes njerëzve të cilët shkëmbenin dhurata. Ky zakon ndiqet ende në Holandë, Gjermani, Austri dhe Itali, derisa u kthye në Krishtlindje, kryesisht në vendet protestante, ku Shën Nikolla një peshkop katolik, i njohur me emrin e Samiklaus, kishte ndihmuar 3 vajza të varfra duke i dhuruar atyre prikën e dasmës.

Por potreti i burrit trupmadh me mjekër të bardhë dhe me një thes plot me dhurata, lindi në Amerikë nga pena e Klementit C. Moore, i cili në vitin 1822 shkroi një poemë ku e përshkruante babagjyshin, ashtu si e njohim të gjithë sot. Babagjyshi u bë i njohur, aq sa në vitet pesëdhjetë pushtoi edhe Evropën. Po diçka mbetet e vërtetë, peshkopi Shën Nikolla, mendohet se ka jetuar në një shtëpi pranë Digës së Amsterdamit në shekullin e 16-të dhe prej asaj kohe, ai është shenjtori dhe mbrojtësi i kryeqytetit holandez.

Kush ishte shën Nikolla?

Ndryshe nga Santa Claus, megjithatë, Shën Nikolla ka ekzistuar me të vërtetë. Ai u lind në Patara në vitin 270 dhe ishte peshkop i Myras, në Lycia, ku ndodhet Turqia e sotme. Kjo është një figurë plot mister, por ka prova arkeologjike që thonë se ai ka jetuar me të vërtetë. Emri i tij shfaqet në disa nga listat e lashta të pjesëmarrësve në Këshillin e Parë të Nikesë në 325, një takim i të gjithë peshkopëve të Kishës së Krishterë, e cila u mblodh për të sqaruar dallimet teologjike mbi natyrën e Krishtit.

Në mungesë të informatave historike, biografët e kanë rindërtuar jetën e Nikollës, duke i shtuar shpesh edhe  të dhëna që lidhen me shenjtorë të tjerë. Ai ishte biri i vetëm i një familje të pasur. Qysh fëmijë ai tregoi shenja të shenjtërisë së tij: të mërkurën dhe të premten, ai ushqehej vetëm një herë në ditë, për të respektuar rregullat e Kishës së Krishterë. Edhe pse nuk pati ndonjë vdekje spektakolare si martir: besohet se ai vdiq në moshë shumë të madhe, dikur rreth viteve 345 ose 352. Ashtu siç i ndihmoi njerëzit kur ishte gjallë, vazhdoi të mbrojë komunitetin e tij edhe pas vdekjes, pasi nga reliket e tij të mbajtura në katedralen Myra, rridhte një lloj vaji aromatik me fuqi të mbinatyrshme. Kjo zgjati deri në shekullin e njëmbëdhjetë, derisa u hoq në 1087.

Por fama e tij mbeti e lidhur me Lycian. Pika e kthesës erdhi midis shekujve të shtatë dhe të tetë, kur, përballë brigjeve ku ndodhej shenjtërorja, bizantinët dhe arabët luftuan për epërsi mbi det. Nga kjo kohë Nikolla u bë pikë referimi për marinarët bizantinë, të cilët e quajtën mbrojtësin e tyre, duke u kthyer nga një shenjt vendas, në një shenjtor ndërkombëtar. Kultin e tij u përhap shumë përgjatë brigjeve të Mesdheut, duke arritur në Romë, Jerusalem, Konstandinopojë dhe Rusi, duke vijuar deri në Perëndim. Ndërsa në shekullin e nëntë u përhap edhe në Gjermani.

Shpëtimtar i fëmijëve

Në të njëjtën kohë, biografia e tij u pasurua edhe me episode të reja. Një nga më të famshmet është historia e tre vajzave, e përhapur veçanërisht në shekujt e 12-të. I prekur nga fati i tre vajzave të varfëra, të cilat i ati mendonte t’i bënte prostita, sepse nuk kishin para për të bërë pajat e tyre, për tre netë Nikolla i vendosi atyre në dritare çanta prej ari, ose torba, të cilat simbolizohen në ikonografi sot me topat e artë, si një prikë që ato të martohen. Kjo histori i dha Nikollës famë për bujarinë, duke e lidhur me dhuratat, por edhe si shenjtor, mbrojtës i virgjëreshave dhe garantues i pjellorisë.

Marrëdhënia e tij e veçantë me fëmijet, lidhet me një histori të zymtë mesjetare, e denjë për tregimet e vëllezërve Grimm: një natë tre djem kërkojnë të bujtin në një han. Pronari dhe gruaja e tij i mirëpresin, por nuk kanë mish, ndaj ata i therrin tre djemtë dhe i kriposin me shëllirë për t’i ruajtur. Pas masakrës, Shën Nikolla troket në derë dhe kërkon një pjatë mishi. Të zotët e hanit refuzojnë t’i japin mish, ndaj prifti i nxjerr tre të rinjtë gjallë nga shëllirë. Kjo histori qarkullonte dikur kryesisht në shkollat kishtare, ku më 28 dhjetor festohej Festa e të Pafeve, të cilëve u jepeshin dhurata.

Nga fundi i shekullit të 13-të, 6 dhjetori u bë dita kur peshkopët e Nikollës u ngjitën në bankat e tyre. Tradita arriti kulmin në shekullin e 18-të, kur Kisha, e skandalizuar, filloi t’i ndalonte këto karnavale pagane, gjithsesi Nikolla mbijetoi në shkolla dhe në shtëpi falë fëmijëve, të cilët vazhduan të festonin dhe të merrnin dhuratat e tij.

Devotshmëria italiane

Historia dhe përkushtimi ndaj Shën Nikollës është shumë i përhapur në dy qytete italiane: në Bari dhe Venecia. Pas rënies së Myras në duart e muslimanëve, në 1087 banorët e Barit e shëtitën atë nëpër qytet. Mendohet se reliket dhe kockat, e shenjtit ranë pre e plaçkitjeve. Rreth 10 vjet më vonë, venecianët çuan në Myra disa kocka të tjera, të harruara në Bari, që mendohet se i takojnë shenjtorit. Venecianët transportuan këto mbetje në abacinë Shën Nikolla në Lido, duke pretenduar se posedonin eshtrat e shenjtorit. Ata e shpallën atë mbrojtës të flotës veneciane. Venecianët i dedikuan atij shumë vepra arti, si katedralja ‘Giardino della Serenissima’.

Por a i takon Shën Nikolla Barit apo Venezias? Në vitin 1992, nga analiza e ADN-së, u konstatua se eshtrat i përkasin të njëjtit person.

Zbulimi i eshtrave

Kohët e fundit në Turqi, disa arkeologë kanë zbuluar një varr, i cili sipas shkencëtarëve besohet se është pikërisht i Shën Nikollës. Eshtrat e njeriut që për krishterimin është Shën Nikolla i Barit, një figurë që e ktheu në ritual dhe traditë Babagjyshin e Vitit të Ri, nuk ishte aty ku besohej gjithmonë, pra as në Bari, as në Venecia. Përmes përdorimit të teknologjive të reja, një ekip arkeologësh turq, njoftoi në nëntor të këtij viti se ka zbuluar një tempull të paprekur në kishën e Shën Nikollës në Demre, pikërisht aty ku ai ka qenë peshkop në shekullin e katërt. Në tempull u gjet një varr, që sipas shkencëtarëve besojnë se është e shenjtorit. Por misteri do të zgjidhet, vetëm pas hapjes së sarkofagut, i cili ndodhet në një mozaik të vjetër, i cili do t’i nështrohet analizave. Por, deri atëherë, misteri në vend që të zgjidhet, do të mbetet edhe për pak kohë në harresë.

Portreti i babagjyshit

Besohet se figura babaxhane, me kapuç, veshje të kuqe dhe thesin plot me dhurata, përpos historive dhe fazave që ka kaluar, është formësuar falë miteve nordike, e më pas me futjen e krishtërimit nga dy shenjtorët, Shën Vasili dhe Shën Nikolla, duke shtrembëruar emrin origjinal holandez Sinterklaas në Santa Claus. Ikonografia u kristalizuar më vonë, në vitin 1875, kur një piktor suedez, Jenny Nyström, nisi një sere kartolinash urimi me imazhet e para të një babagjyshi modern të veshur me të gjelbra dhe një slitë drerësh. Ndërsa, piktori amerikan Haddon Sundblom në vitin 1930 e kodifikoi veshjen e tij të kuqe, me një klient i cili pinte Coca-Cola, imazh ky i cili vijon ende të pushtojë botën dhe imagjinatën e fëmijëve.

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF