KreuCelebrity

Rajmonda Bulku: “Ja jeta ime jashtë skenës!”

E ftuar sot në emisionin e pasdites së Rudina Magjistarit, Rajmonda Bulku nuk foli vetëm për shfaqjen më të re të saj, “Dama Me Kamelie”. Aktorja zbuloi jo pak dhe nga jeta personale, për të cilën është treguar shumë e rezervuar ndër vite. “Nuk preferojmë Facebook-un apo forma të tjera ekspozimi, edhe pse si njeri publik nuk i shpëtoj plotësisht vëmendjes për jetën personale”, ka thënë Bulku, teksa ka zbuluar një fakt mjaft interesant.

Edhe pse në sytë e publikut mbetet një nga femrat më të bukura shqiptare, plot energji e feminitet, artistja e filmave dhe teatrit gëzon një martesë plot 39-vjeçare! Disi e pabesueshme, por tashmë Bulku po përjeton edhe eksperiencën si gjyshe, pasi si djali, dhe vajza e saj tashmë janë bërë prindër. “Djali ka dy djem, ndërsa vajza një djalë, dhe pret të bëhet mami për herë të dytë”, ka rrëfyer Rajmonda. Nipërit i kanë bërë një surprizë me video-mesazh në studio, ku përshëndetën Bulkun dhe i uruan suksese për shfaqjen e re.

“Sa mirë që ma bëtë këtë surprizë, sepse të tilla përshëndetje që mbahen mend janë surprizat e vërteta për mua”, i është drejtuar aktorja, Rudinës. Bulku rrëfeu edhe një rast me një nga nipërit e saj, Joenin: “Sa herë e merrja nga kopështi, më pyeste: ‘Pse më thonë nipi i Monda Bulkut dhe jo djali i mamit?’ I kishte mbetur në mendje dhe u përpiqja t’ia shpjegoja se njerëzit më shohin në filma, prandaj thonë ashtu…”

Për sa i përket raportit me miqësinë, Bulku u shpreh se ruan raporte të mira edhe me kolegët, pavarësisht se pak prej tyre mund t’i quajë me plot gojën miq. Ndërsa, pyetjes se kë zgjidhte mes teatrit dhe kinemanë, si rrallëherë për artistët, Rajmonda bëri zgjedhjen e saj. “Kinemanë do të zgjidhja, nëse do të punonim në kushte të barabarta dhe do të na jepej mundësia të gjithëve të luanim në filma. Teatri është shumë i lodhshëm, plot emocion, por pafund i lodhshëm. Kinemaja të jep më shumë mundësi”, është shprehur Bulku, ndërsa nuk e ka mohuar se e kanë mbërthyer emocionet e ‘Dama Me Kamelie’.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF