KreuBordo Men

Fast & Furious, makinat më të shpejta në botë

Të gjithë duan makina të bukura, por mbi gjithçka, kriteri kryesor është shpejtësia. E kur flitet për makina që shënojnë 435 kilometra në orë, fakt duket e pabesueshme, por realisht super automobila të tillë ekzistojnë. Bordo sjell në rubrikën e automobilizmit pesë makinat më të shpejta në botë, që po ashtu kanë shifra marramendëse në shitje.

Hennessey Venom GT/(435 km/h)

Falë një testi të realizuar në pistën prej 3.2 miljesh të qendrës Kennedy Space, automobili më i shpejtë në botë është Hennessey Venom GT. Rekordi që ka shënuar gjatë shpejtësisë maksimale është 435.311 km/h. Nuk mund të habitesh, sepse makina ka motor V8 turbo të dyfishtë plot 1,244 kuaj fuqi, duke garantuar një performancë absolute. Për të arritur këtë shpejtësi, Hennessey Venom GT i vijnë në ndihmë edhe disa elementë të tjerë, një prej të cilave është dizajni, i cili bazohet në modelin Lotus Elise, me forma të lakuara dhe tejet aerodinamike totalisht prej alumini, duke e bërë atë të jetë jo vetëm të fuqishme gjatë lëvizjes, por edhe të lehtë në shtytje.

Bugatti Veyron Super Sport/(434 km/h)

Të gjithëve u erdhi keq që Bugatti Veyron Super Sport nuk arriti të zinte vendin e parë të makinës më të shpejtë në botë, vend që e mbante prej 7 vjetësh. Ky version është modifikim i modeleve të mëparshme, por me një performancë absolute në sajë motorit W16 turbo të katërfishtë me 1200 kuaj fuqi. Shpejtësia maksimale që mund të arrijë kjo makinë është 434.298 km/h. Analistët thonë se pjesë e këtij suksesi janë edhe gomat që Bugatti Veyron përdor: një lloj gome të Michelin, e cila është prodhuar enkas për t’u përshtatur me shpejtësinë dhe të dhënat e këtij modeli. Doni të flasim për shifra: Bugatti Veyron Super Sport kushton 2.2 milionë USD, ndërsa vetëm një gomë 70 mijë euro.

Koenigsegg Agera R/(418 km/h)

Mund të ngjajë një emër jo fort i njohur, por në fakt Koenigsegg Agera R, një prodhim i suksesshëm dhe super luksoz suedez, rezulton të klasifikohet në vendin e tretë për shpejtësinë e saj. Motori V8 5.0 litra turbo i dyfishtë, ka arritur një shpejtësi maksimale prej 418.429 km në orë dhe mund të arrijë 100 km në orë në 2.9 sekonda. Koenigsegg Agera R kushton 1.6 milionë dollarë. Airbaget inteligjente janë të dizajnuara dhe qepur duke llogaritur tronditjen nga aksidenti, përmasat dhe sjelljen e drejtuesit të automjetit, duke e bërë atë tejet të sigurt. Nga ana tjetër ky automobil zë vendin e parë përsa i takon performancës sportive ultra të lartë, e sidomos luksit të saj.

Porsche 9ff GT9-R/(413 km/h)

Struktura e modelit GT9-R ka motor V6 4.0 litra turbo të dyfishtë, e cila prodhon 1120 kuaj fuqi dhe bazohet tek platforma origjinale e versionit Porsche 911 dhe ka një pamje të hatashme. Testimet kanë nxjerrë në përfundimin se shpejtësia maksimale që mund të arrijë kjo super-makinë është 413.601 km/h, ndërsa shifra që duhet për ta patur një model të tillë arrin në plot 695 mijë dollarë. Nga ana tjetër kjo makinë konsiderohet një nga më të suksesshmet përsa i takon rezistencës, pasi testet e deri tanishme e kanë renditur atë të parën, qoftë edhe në rrugë të zakonshme, ndryshe nga konkurentet e tjera që kanë fituar garën e shpejtësisë maksimale në pistat e testeve standarde.

SSC Ultimate Aero/(412 km/h)

E lavdishmja makinë SSC Ultimate Aero, e cila dikur mbante vendin e parë si makina më e shpejtë në botë, ka zbritur poshtë. Edhe pse ajo ka motor V8 6.8 litra turbo të dyfishtë dhe prodhon 1,268 kuaj fuqi, shpejtësia maksimale me të cilën ajo mund arrijë është 412.282 km/h. SSC Ultimate Aero është e pajisur me sistem karbon-qeramike Brembo për frenat, e cila ndihmon frenim e menjëhershëm, ndërkohë konsiderohen ende sukses i padiskutueshëm format aerodinamike të punuara me material prej fibrash karboni që e bëjnë atë të jetë një ‘raketë’ në xhirot e para të startit. SSC Ultimate Aero mban ende titullin ‘Makina më e Shpejtë në botë” sipas rekordit Guinness nga viti 2007.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF