Hueyda El Sayed: Edhe unë i besoj babagjyshit

Transformimi i pushimeve të artistes, nga Viti i Ri në Krishtlindjet e para në Paris kur ishte 19 vjeç, deri tek festat që tani i organizon  për të birin Gabrielin, lista e dhuratave dhe çfarë pret nga 2018-ta.



Si i kujton Hueyda Krishtlindjet e para?

Krishtlindjet e para i kam festuar në Paris, tek familja e miqve të ngushtë dhe ishte një mbrëmje e bukur.

A ndjen nostalgji për Krishtlindjet e fëmijërisë?

Nuk mund të kem nostalgji për diçka që nuk e kam jetuar. Kam filluar t’i festoj Krishtlindjet vonë, rreth moshës 19 vjeç në Paris. Jam rritur në Shqipërinë ateiste dhe vij nga një familje muslimane ku festonim vetëm Vitin e Ri.

Tashmë që mund të rikthehesh pas në kohë, çfarë mendon se të mungonte më shumë?

Kur je fëmijë çdo gjë të duket e madhe, e bukur, impresionuese. Nga ana materiale kam qenë me fat, im atë më dërgonte veshje dhe lodra të bukura për Vitin e Ri, por jo vetëm. Megjithatë ajo që më mungon ndonjëherë fakti që kur je i vogël pak gjëra të shqetësojnë si dhe kalon nga lotët në të qeshur në të qintën e sekondit.

Si mundohesh t’i organizosh festat e fundvitit tani?

Tashmë që kam Gabrielin, kam filluar dhe unë të besoj tek babagjyshi i Krishtlindjeve. Ndaj mundohem të organizoj sa më këndshëm për të dhe për veten. (qesh) Aq më tepër që tashmë Gabrieli mundohet të më ndihmojë…

Ku preferon ta kalosh këtë periudhë të vitit, në vendin kur jeton aktualisht apo preferon të largohesh nga e përditshmja?

Krishtlindjet preferoj t’i kaloj në familje, por Vitin e Ri më pëlqen shumë ta kaloj në një vend të ngrohtë ose diku ku nuk kam qenë më parë.

Kur nis zakonisht të dekorosh ambientin e shtëpisë?

Në përgjithësi vendosim pemën në datën 6 dhjetor.

Një pemë e thjeshtë apo e ngarkuar me zbukurime?

Nuk më pëlqejnë gjërat e rënduara.

Të dhurosh apo të të dhurojnë?

Padiskutim kur dhuroj… Më pëlqen shumë momenti kur filloj të mendoj se çfarë mund të blej për t’i kënaqur të afërmit apo miqtë e mi për festat e fundvitit…

Si çdo fëmijë, me siguri edhe Gabrieli i adhuron këto festa. Ka diçka speciale që organizohet enkas për të në natën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri?

Deri këtë vit Gabrieli nuk i kuptonte mirë festat e fundvitit. Tashmë ai beson tek Babagjyshi i Krishtlindjeve. Por i kupton shumë mirë dhuratat se është një nga fjalët që thotë më shpesh. (qesh)

Çfarë i dhuron Gabrielit në këtë periudhë të vitit?

Unë nuk i dhuroj asgjë, është Babagjyshi i Vitit të Ri që i dhuron atij listën e dhuratave që ka kërkuar. (qesh) Në atë listë këtë vit është një biçikletë.

Po ti, ke marrë ndonjë dhuratë nga Gabrieli deri më tani?

Por për festën e nënës në çerdhe Gabrieli më përgatiti një fotografi të tijën teksa mbante një zemër të madhe në krah. Është dhurata më e bukur që kam marrë deri më tani.

Cila është dëshira e pandryshueshme që shpreh çdo vit të ri?

Prej tre vitesh dëshirat e mia rrotullohen rreth Gabrielit, dua që im bir të rritet i shëndetshëm…

Sa nga dëshirat janë realizuar përgjatë këtyre viteve?

Ndihem njeri me shumë fat, shumë nga dëshirat më janë realizuar.

Çfarë kërkon Hueyda nga 2018?

Ah s’mund ta them, kam frikë se mos nuk realizohet pastaj (qesh)

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *