KreuBusull

Ju lutem, shpallni një këngë fituese që ta duam, jo ta fishkëllejmë!

Nga Ilda Lumani

Shpresa për të mos pasur një fitues të përzgjedhur në Festivalin në Radio Televizionin Shqiptar pa nisur gara duket se tashmë ka vdekur që me pjesëmarrjen e Shqipërisë në Eurovizion. E vërtetuar ndër vite tashmë, që ai/ajo, i cili është përfolur pa iu dëgjuar ende kënga ka fituar dhe mandej ka marrë pjesë duke lënë zero shenjë në kompeticionin europian ka bërë që emri i këtij Festivali (të Rtsh-së) të venitet. Për vit flitet se “këtë vit është ndryshe”, po për vit kemi parë fitues emra këngëtarësh të mrekullueshëm me këngë që askush ndër shqiptarë nuk ju di sot një rresht, apo t’ju këndojë një refren. Sepse askush nuk sjell një këngë që të pëlqehet e të bëhet hit, por bëjnë një këngë që të pëlqehet atje… Dhe shkojnë me ca ritme allasoj “atje” sa shpesh ngjajnë qesharak. Se “Atje” nuk është një Festival folklorik, por një festival modern, ku gjithashtu me vështirësi fiton më i miri, për shkak të lobimit në votim që bëhet, aq i njohur tashmë (falë të cilit edhe ne marrim ndonjë votë, ku “më jep të të jap” funksionon më mirë se në çdo pazar tjetër!) dhe gjithashtu po rrallë dhe “Atje” ndonjë këngë kthehet hit!


Por, të kthehemi tek gara jonë, tek Festivali të cilit ndër këto vite i ngelet ndonjë këngë, por asnjë fituese nuk i kthehet në hit… Këtë edicion ka ngjallur sadopak kërshëri për vetë pjesëmarrjen e hitbërësve të tij, atyre që kanë lënë shenjë, këngët e të cilave prej dekadash janë të preferuarat e publikut dhe koha veç i ka bërë si vera!

Rikthimi i Manjola Nallbanit, i superartistes fituese të dy Festivaleve të njëpasnjëshme “Pesha e fatit”, por veçanërisht “Kur e humba një dashuri” e mandej i hiteve si: “Përse të dua”, “Një tren drejt Lindjes”, “Ikën dallëndyshet” etj. është vlerë për këtë edicion. Personalisht nuk më intereson nëse kjo është kënga e duhur për në Eurovizion, pavarësisht se i ka të gjitha premisat për të qenë në atë skenë! Unë mendoj se kënga “I njëjti qiell” do të shoqërohet dhe nga publiku, kur ajo ta interpretojë në këtë Festival. Është një këngë që tani hit!


I preferuari im dhe i gjithë shqiptarëve pas viteve ’90, që me këngën “Na lini të jetojmë” rrëmbeu jo vetëm trofeun e të rinjve, por edhe te zemrave të shqiptarëve, e mandej me këngë të pavdekshme, unike si “Qyteti i vjetër”, “Nuk kërkoj tjetër njeri” Elton Deda ështe një ngjarje. Ai konkurron me “Fjalët”, një këngë të cilën Eltoni e shijon vetë dhe na e servir pa fare ambicie për konkurrimin, edhe pse padyshim një pretendente e denjë për të fituar këtë edicion të 56-të të Festivalit!

Të them “Merre lehtë” apo “Asgjë e largët” dhe nuk ka nevojë që të kumtoj emrin e Bojken Lakos! Artisti që merr pa rreshtur pjesë në Festival për kënaqësinë e të kënduarit ‘live’ në këtë skenë, për të jetuar emocionet e ‘Lot, Dashuri, Lot” apo “Të ndjej”. Bojken Lako këtë vit vjen me “Sytë e shpirtit”! Sa ajër tjetër që i jep Lako garës!


Dhe nuk e fsheh një nga të parapëlyerat e mia të këtij edicioni është “Ekziston” e Redon Makashit, zërit melankolik që ka bërë gjithë femrat shqiptare të paktën njëherë në jetë për të qarë! Hitbërësi i të pazëvendësueshmes “Dikur luaja me ndjenjën e saj” këtë edicion na sjell një tjetër këngë romantike, që do të duartrokitet dhe do t’i sjellë atij fansa të një brezi të ri!


Solla këta emra që vërtetë i japin tjetër nivel, ajër, shpresë dhe art kësaj gare! Sepse në këngët e tyre nuk pashë asnjë largim apo devijim tw karakterit dhe natyrës së muzikës së tyre për hir të Eurovizionit! Që për mua “shkoftë në djall se na mori në qafë Festivalin dhe artistët!”

Emrat e mësipërm, artistët e rrallë që kemi fatin t’i kemi, fare pak i kam dëgjuar të lakohen si fitues të këtij edicioni.
Ashtu siç sa më shumë afron dita e nisjes së Festivalit kanë filluar të lakohen dy emra, që më shumë se pretendentë komentohen si të paracaktuar. Inis Neziri këngëtarja e re me zërin e mrekullueshëm është një nga të komentuarat si fituese e këtij edicioni, e nga ana tjetër një tjetër artist shumë i talentuar Eugent Bushpepa (Fatkeqësi nëse gojet e liga e marrin më qafë atë!) përflitet si fitues! Zërat nëpër ambientet e Radios duket sikur i legjitimitoi edhe mikesha e tij Juliana Pasha, e cila më shumë sesa e komplimentonte për këngën e vlerësonte se “zëri i tij i duhej Eurovision it”! Eurovizionit sikurse e di çdo njeri i duhet nga Shqipëria vetëm numri! Ndërkohë për artistët shqiptarë (e kam thënë dhe në një shkrim për gazetën Mapo, në vitin 2011), është rasti më i mirë, ndoshta dhe i vetëm në jetë për të interpretuar në një skenë gjigande me audiencën më të madhe të jetës së tyre! Ato 3 minuta, apo për më fatlumët 6 minuta të Shqiperisë në Eurovizion janë kulmi i ëndrrës dhe karrierës së tyre! Por, për të arritur atje, bëni këngë të mira se koha ka dëshmuar se vetëm me zë nuk ia dilet, atje jo e jo, po as në Shqipëri nuk bëhet fjalë! Ndaj na shpallni një këngë fituese që ta duam, jo që si çdo vit pas fitores i fishkëllejmë!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF