KreuBusull

E mikprita Festivalin e RTSH, por dua të them dy fjalë…

Nga Danja Bonollari

Për 3 netë me radhë ndoqa me vëmendje si telespektatore Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. Në edicionin e 56 të tij, ky Festival më kuriozoi ta ndiqja jo vetëm sepse e prezantonte i preferuari im Adi Krasta , por edhe sepse lexova disa artikuj në media ku premtohej se ndryshimi i shumëpritur për këtë event të madh artistik tashmë kishte ndodhur. E kështu natën e parë u ula para ekranit të televizorit tim modest plot emocione mikprita Krastën, model i prezantuesit të cilin e kam pëlqyer gjithmonë. Pasi u çmalla me monologjet e tij, që të themi të drejtën disa janë tepër filozofike për veshët e një pjese të shoqërisë sonë, mikprita nisjen e Festivalit. Por, jo. Mikprita fillimisht Riccardo Cocciante-n. Një muzikant i këtij kalibri mendova do të ishte më i denjë për natën finale.  Nuk e kuptova këtë nxitim të organizatorëve të Festivalit, ndërsa mbeta e dyzuar kur Krasta tërhoqi karriget dhe tha se do të bënte një intervistë me artistin e madh italian. Për ne që punojmë në media me një të rënë të lapsit e kuptojmë lehtë se intervista e gjatë me Cocciante-n mund të bëhej më vete dhe të transmetohej në edicionin qëndror të lajmeve, të publikohej në Youtube, por dukej se Krasta donte patjetër të prodhonte lajm brenda një Festivali ku lajmi ishte vetë eventi. Rrjetet sociale ishin mbushur me statuse të tipit: “A fillloi gjë Festivali?”

Filloi, filloi… por pas kësaj nuk vonoi që dy fjalë Krastës t’ia këndonte “me të qeshur e me të ngjeshur”, kantautori Elton Deda për shkak se kishte pritur gjatë pas kuintave pasi kënga e tij ishte caktuar që të hapte festivalin. Gjithçka ndodhi mes batutash dhe duartrokitjesh ku këto të fundit u kërkuan disa herë gjatë tre netëve me insistim nga moderatori që salla, atmosfera të mos dukej e vakët. Krasta që të sillte një Festival plot shkëlqim ndryshe nga ndryshkja që prej vitesh e ka kapur këtë event, sakrifikoi dhe pagën e tij duke u shprehur publikisht se ishte vullnetar në drejtimin e këtij organizimi të madh artistik, dhe po kaq vullnetarisht pranoi të sakrifikonte duke kënduar në italisht.

Vërtet që nuk është e lehtë të bësh ndryshimin, këtë e di mirë çdo drejtues, çdo organizator në media apo jashtë saj, ndaj mikprita me qejf bashkëprezantimin.

Personalitete të njohur të botës së artit, Shoqërisë Civile falë Zotit asnjë politikan nga ata që thyejnë ekranet e TV në përditshërinë shqiptare. Një, dy, tre, katër, pesë, në sinkron më erdhën në memorie portretet e tyre. Gati të gjithë këta personalitete i kisha parë në intervistat e Krastës në televizione të tjera ku ka punuar si moderator. Fundja ka rrethin e tij shoqëror, personalitete janë, edhe pse gjithmonë këto vite kam dëgjuar që RTSH duhet të ndryshojë, duhet të tregojë që është shkëputur nga ajo fryma e miqësive dhe është bërë komplet një media e pavarur. Por duket se ndryshimi nuk vjen menjëherë, pasi është njësoj si të bësh moderatore profesioniste, modelet 2 metroshe me fustane gala që recituan gjatë natës finale.  Por nuk arrita të mikpres një këngëtar që më shfaqet në cdo edicion të Festivaleve të RTSH, por që publiku nuk i njeh asnjë këngë përvec mbiemrit Prodani. Djaloshi kapi madje dhe finalen, por dhe ju që po lexoni këto rreshta tani jeni të bindur që nuk po e kapni dot fillin se për cilin bëhet fjalë, pasi jemi në ende në rrethin e miqësive. Por jam e bindur që më shumë njihni Kastro Zizon dhe këngën e tij që u përjashtua nga Festivali pasi sipas ekspertëve të muzikës nuk ishte prodhim që plotësonte të gjithë kriteret artistikisht.

Megjithatë mos të zbehim pjesët kur shkëlqeu Festivali. Duhet të pranojmë që plot potencial e duartrokitje erdhi kënga e Redon Makashit, Orgesa Zaimit, Eugent Bushpepës, Bojken Lakos, Manjola Nallbanit, disa këngëtarëve të rinj me zëra magjikë përfshirë mes tyre dhe një 16-vjeçare, Inis Neziri që ngriu publikun me vokalin e saj. Magjinë e tyre nuk e zbehën as të ftuarit e nderit , dy labët si Aurela Gace dhe Alban Skënderaj që ngritën skenën në këmbë. Madje Skënderaj zbuloi dhe sekretin e suksesit duke u shprehur se pëlqen të bëjë këngë që t’i këndojë çdo moshë dhe të kujtohet ndër breza.

Habi shfaqi dhe Adelina Ismaili që erdhi e iku pasi u çmall me skenën e Festivalit, por pa përshëndetur qoftë dhe me një këngë. Ndryshe erdhi e ftuara e nderit Elsa Lila. Publiku e priti me mall. Siç tha dhe vetë, ajo kishte 9 vjet që nuk kishte shkelur në skenën e këtij festivali dhe ndër mend çdokujt me siguri i erdhi dueti i saj me Pirro Çakon. Ndoshta dikush mbeti i zhgënjyer kur Elsa prezantoi Elsën e re, Elsën Baroke. Eksperimenti i saj muzikor, ndërthurja e muzikës baroke me poezi. Elsa për ata që e dëgjuan dhe ata që nuk e patën këtë fat, solli kompozime të Mozart e Vivald me vargje të Lasgush Poradecit apo me tekste të operave të Puçinit. Këtu na zuri gafil. Nga këngëtarja që i këndonte pikës së lotit, Elsa ulur serbes në një karrige në mes të skenës solli një lloj xhazi me disa vargje të recituara e bindur se ky zbulim do jetë suksesi i ardhshëm i saj në skenat botërore.

Nga ‘Alegria’ e Mike Bongiornos që Krasta si idhull që e paska u mundua fraza të tij ti citonte disa herë gjatë atyre tre netëve, atmosfera u nder teksa këngëtarja interpretonte një nënë që sapo kishte vrarë të birin. Pas premtimit se ajo do të japë së shpejti një koncert, publiku shqiptar nuk e tradhëtoi dhe ia dhuroi duartrokitjet e gjata vajzës që ishte rritur artistikisht në atë skenë, por edhe i madh e i vogël e kuptoi që nuk ishin si ato duartrokitje që mori realisht Alban Skënderaj, këngët e të cilit u kënduan nga dhjetra e dhjetra spektatorë në sallën madhështore.

Qëndrimi zgjuar pas orës 12:00 në mesnatë ia vlejti pasi juria, me të cilën u prezantuam në fund të natës së tretë shpalli fituesin. Një këngë që publiku e kishte zgjedhur paraprakisht si fituese dhe vendimi i jurisë ishte kurora e artë e këtij Festivali “të shkëlqyer” ashtu siç u kujdes të thoshte disa herë Adi Krasta.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF