KreuBusull

Media dhe filmat/ Si keqinterpretohet komenti i Cameron mbi “Wonder Woman”…

Nuk po flasim për çdo lloj media. Natyrisht, një pjesë e konsiderueshme i është kushtuar vetëm artit në veçanti, duke dhënë jo vetëm informacion mbi të rejat më të fundit kjnematografike, por shpesh duke sjellë dhe opinione të ndryshme, që shpesh parapëlqejmë t’i njohim me emrin ‘kritika’. Por, çfarë ndodh kur portale VIP-ash ndërmarrin përsipër të bëjnë komente mbi replikat mes regjisorësh e aktorësh?

Rasti më i fundit ka qenë ai i James Cameron dhe Gal Gadot, e cila bëri jehonë në 2017-tën me filmin “Wonder Woman”. Një film i vlerësuar mirë, i shumëpritur nga publiku e shumëçka tjetër. Nga ana tjetër, James Cameron, mendja pas shumë prodhimesh kinematografike, talenti i veçantë në përdorimin e teknologjisë në kinema (inovator në këtë drejtim), kishte shprehur opinion e tij lidhur me “Wonder Woman”, në një intervistë për The Guardian. “(Referuar personazhit) Ajo është një ikonë e objektifikuar, dhe përballë qendron mashkulli tipik i Hollywood-it që bën po të njejtën gjë si më parë! Nuk po them që nuk më pëlqeu filmi, por, për mua ky është një hap i hedhur pas”, ka thënë ndër të tjera, Cameron. Gal Gadot, që nuk është as më shumë e as më pak se sa aktorja protagoniste në film, ka vendosur të përgjigjet së fundmi, pas shumë kohësh.

Pas shumë lavdërimesh dhe admirimesh të shprehura për punën e regjisorit, Gadot e ka përmbyllur përgjigjen me këtë frazë: “Megjithatë, kur Cameron bëri këtë deklaratë, do të publikonte filmin e tij të ri…kishte nevojë për publicitet, dhe unë nuk ia dhashë vëmendjen”…Le të themi se nuk po e mendojmë faktin se Cameron ka një karrierë që numëron dekada në kinematografi (me uljet e ngritjet e veta), ndërsa Gadot është thjesht një fytyrë tjetër e afirmuar në xhunglën hollivudiane, që shpesh përflitet për veshjet e saj të mahitshme. Ta lëmë mënjanë këtë pjesë, dhe të merremi me komentin (konkretisht) të Elle. “‘Wonder Woman’ ishte një sukses i jashtëzakonshëm. James Cameron nuk meritoi asnjë rreze drite nga filmi, kështu që Gadot nuk i fali vëmendje. Perfekt!”, shkruan Elle në fund, me kopetencën e jashtëzakonshme të të vlerësuarit një film si ‘sukses i jashtëzakonshëm’.

Nëse janë bazuar tek fitimet apo audienca, me të njejtën përllogaritje mund të themi se Michael Bay dhe Zack Snyder janë gjeni! Epo, nuk është se Elle nuk e di këtë, nuk është se Elle nuk e kupton se për çfarë po fliste në të vërtetë Cameron; Elle ka një qëllim: propagandën e feminizmit dhe çdo lloj të drejte femërore (dhe nga ato që nuk i quan dot as të drejta në normalitetin e tyre), gjë që Gal Gadot e bën më së miri. Aktiviste në fushatën kundër ngacmimeve seksuale e plot deklarata mbi gratë në tërësi, nuk ka se si Elle të mos i falë vëmendje as në një çështje që nuk i përket aspak Gadot. Pse nuk i përket Gadot?

Gadot është imazhi i padiskutueshëm i “Wonder Woman”, por në një rast si ky, gjithçka fillon dhe mbaron këtu. Ndoshta, Cameron po përpiqej të linte të kuptonte se jemi mbingopur me superheronj. Ndoshta, po përpiqej të thoshte se kthimi tek figura të tilla është vërtetë një hap prapa për Hollywood-in e madh. Ndoshta, buxheti prej 149 milionë dollarësh mund të përdorej në një projekt më inovator, për një histori që (tashmë) nuk e dimë përmendsh. Në fund të fundit, Cameron e tha: “…nuk them se është film i keq”, dhe në fakt, është treguar shumë i butë. Nga ana tjetër, për aq kohë sa burime si Elle marrin përsipër të shkruajnë për tema, që në fakt, mund dhe të mos i njohin, xhungla hollivudiane do ta zhysë akoma dhe më shumë artin kinematografik në biznesin e afirmimit të fytyrave, ikonave të modës, trupit, dhe më pak talentit, kreativitetit dhe artit në tërësi. Dhe, ndoshta atëherë, sojet si Elle do ta kuptojnë që aktori kryesor nuk ka pse i merr si personale komentet për prodhime që mbajnë shumë e shumë emra nga pas. Ndoshta, atëherë, sojet si Elle mund të shkruajnë lirisht pse Gadot nuk i takonte aspak të jepte një përgjigje të atillë.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF