KreuBusull

Rexhep Çeliku, një emër që nuk do të harrohet ndër breza…

Sa herë flasim për personalitete të artit, nuk i referohemi vetëm figurave apo emrave. Artistët në vetvete mbartin peshën e trashëgimit të kulturës së një vendi, e kjo është dhe një ndër arsyet pse pas ndarjes nga jeta, çdokush i cilëson si ‘të pavdekshëm’. Kjo e premte na solli lajmin e hidhur të largimit njëherë e përgjithmonë të Rexhep Çelikut, i cili humbi betejën me një sëmumdje të rëndë në moshën 63-vjeçare.

Lindur në Tiranë, më 19 korrik 1954, Çeliku ishte i destinuar të linte gjurmë në sytë e publikut shqiptar. Që nga viti 1971, valltari do të ishte pjesë e Ansamblit të Kengëve dhe Valleve Popullore, duke u bërë kështu i pari solist në AKVP. Mesi i nëntorit që lamë pas, shënoi njëkohësisht edhe 47-vjetorin e karrierës së Çelikut, ndërsa aktiviteti i tij artistik është vërtetë i paimagjinueshë. Plot 8 mijë shfaqje dhe 32 mijë role të interpretuara numëron sot valltari që do t’i mungojë kaq shumë publikut…Koleget e mirënjohura që i janë bashkuar valltarit në skenë kanë qenë emra, si: Lili Çingu, Lili Këlliçi, Lefta Musilli, Veronika Mane e Brikena Jaupaj. Përgjatë gjithë viteve karrierë e mes veprimtarisë më shumë se të pasur artistike, Çeliku vlerësohej veçanërisht për lëvizjet burrërore, plastikën e zhdërvjelltë, si dhe për karakterin e kërcimit flutarak. I nderuar nga ish-Presidenti Aleksandër Moisiu me titullin “Mjështër i Madh”, vetëm para katër ditësh, ishte Ilir Meta ai që i dha një tjetër titull, “Nderi i Kombit”, që e gëzoi së bashku me partneren e skenës, Lili Çingun.

Përpos angazhimit skenik, Çeliku ka punuar edhe si pedagog në Akademinë e Dancit Shqiptar, si dhe prej shumë vitesh ka drejtuar trupën e Ansamblit Shtetëror. Disa nga shfaqjet që janë duartrokitur me dhjetëra herë nga publiku, janë: “Dueti i shqipeve”, “Maratonomaku”, “Luftëtarët e lirisë”, “Bilbilenjtë” etj., ashtu sikurse talenti i tij i pashoq u vulos me pjesëmarrjen në baletet “Bijtë e peshkatarit” dhe “Shota dhe Azem Galica”. Sot, që gjithçka flasim ia referojmë të shkuarës, mund ta themi me bindje se figura dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Çelikut në art, nuk do të harrohet ndër breza.

I paharruar qoftë kujtimi i Rexhep Çelikut!

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF