Todi Bozo, ndahet nga jeta një nga pionerët e kinemasë shqiptare

Mjeshtri i kinematogrfisë shqiptare, Todi Bozo është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të diele, në moshën 84-vjeçare. Ky lajm i hidhur u dha nga familjarët e tij, ku me dhimbje dhe fjalë të ndjera, nusja e djalit të tij Petri Bozo, Alda Bida shkruan: “Nuk eshte e lehte te shkruaj per te te treguar se ti nuk jeton me Todi Bozo. Ti heroi i heshtur i endrres se kinemase shqiptare…pionier i prodhimit te filmit shqiptar…ti baba e shok qe na le pas kujtime te bukura. Te dielen dt 4 shkurt ora 10:00 me 12:00 ne Muzeun Kombetar do te jene homazhet per ti dhene lamtumiren e fundit.E kam te pamundur ta besoj o Baba Todi! Te desha e do te te dua ne perjetesi si njeriun qe me ka dhene bekime e besim.”

Shumë vite në Kinostudio. Bozo ishte një nga kuadrot e parë si producent dhe pjesë e stafit të disa filmave të njohur të asaj kohe. E kush i harron sot filma si “Debatik”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Oshëtimë në bregdet”, etj,  filma në të cilët, mjeshtri i madh do të jetojë gjatë mes nesh.

Kineasti i mirënjohur e filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e re” më 1958. Filmi i tij i parë ishte “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me “Moskëfilm”. Më pas e vazhdoi veprimtarinë e vetë krijuese me disa filma dokumentarë, sidomos artistik. Më pas  do të ishte drejtor në filmat “Debatik” (1961), “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra (1969).

Ai ka qenë skenarist dhe regjisorë i shumë filmave të tillë, mes të cilëve “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Pejsazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegtimi”, “Moj e bukura Arbëri!”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. etj.

Edhe pas daljes në pension, Todi Bozo nuk e ndërpreu veprimtarinë e vetë prodhuese e pedagogjike. Ai vazhdoi të jepte leksione në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Paralelisht me këtë, vazhdoi punën edhe si kineast. Kështu, deri në vitin 2008 punoi si producent ekzekutiv në filmat “Kolonel Bunker’ dhe “Syri magjik” me regjisor Kujtim Çashkun, në filmin “Kronikë provinciale” me regjisor Artan Minarollin dhe në filmin “Koha e Kometës” me regjisor Flamur Koçin. Ndërsa sot ai është përcjellë për në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për breza të tërë.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *