Në shtëpinë e Florian Agalliut, aktori që të gjithë e njohim si moderator 0 612

Nga Brunilda Kazani

Bën pjesë në grupin e atyre personazheve që mund të themi me bindjen e plotë që ekrani e ‘do’ shumë.

E kemi parë të prezantojë emisione që kanë në thelb kuzhinën, gara kërcimi apo talentesh, së fundmi e shohim çdo ditë në mëngjes në Top Channel në një emision mëngjesi… dhe të gjitha formatet i përshtaten më së miri.  Ndoshta është talent që e zotëron vetëm Florian Agalliu, ose ndoshta fakti që vjen nga një shkollë aktrimi e ka ndihmuar atë të shndërrohet në një ‘kameleon’, të marrë ngjyrat e ambientit ku qëndron.

Prej disa muajsh, Flori moderon së bashku me Anjeza Majën emisionin e mëngjesit ‘Në shtëpinë tonë’ në ekranin e Top Channel. Për bashkëpunimin e tij me Anjezën, të punuarit në një ambient me bashkëshorten e tij (që shumë prej nesh e konsiderojnë të vështirë), raportin me vajzën e vogël Mian, Flori vjen në një rrëfim të sinqertë për Revista Bordo.

1.Si po shkon puna juaj në ‘Top Channel’?

Puna shkon vaj, nga ai i ullirit extra i virgjër…

2.Sa e vështirë është të bësh një emision mëngjesi…zgjimi herët, përzgjedhja e temave, të ftuarve?

Në fakt puna është aq e mirë organizuar saqë pjesa ime më e veshtirë mbetet zgjimi në mëngjes, por edhe ky si problem ka filluar mos të ekzistojë më duke qenë se është bërë rutinë tashmë… u bënë disa muaj transmetim dhe pothuajse nuk e ndjej si shqetësim.. madje dhe të dielën zgjohem si gjithmonë, rreth orës 06:00. Sa i përket temave e të ftuarve është autorja bashkë me një grup gazetarësh të cilët e bëjnë këtë punë më së miri që prej fillimi të këtij formati në Top Channel…

3.Si do e përkufizonit bashkëpunimin me Anjeza Majën?

Rezultoi frytdhënës.. u përshtatëm shpejt dhe filluam ta kuptojmë njëri- tjetrin… Anjeza është natyrë bashkëpunuese sikundër dhe unë u përpoqa të bëhem pjesë e emisionit sa më shpejt dhe mendoj se tashmë është konsoliduar si marrëdhënie… ‘Shtëpia jonë’ mbetet e para gjatë paraditeve të shqiptarëve, përpiqemi t’u rekomandojme produkte të mira të shëndetshme dhe receta interesante…


4.Më mirë të prezantosh një emision i vetëm, apo me një bashkëprezantuese?

Varet nga formati… ka formate që nuk pranojnq më shumë se një moderator ka dhe të tjerë që u duhet patjeter dy. ‘Shtëpia jonë’ i ka të domosdoshëm dy. Është format i gjatë, me lokacione të ndryshme dhe volum pune. Duke qenë dy edhe lodhja sikur shpërndahet… unë i kam provuar të dyja variantet në formate të ndryshme dhe më mirë më rezulton me dy moderatorë…  je më komod se hedh e pret batuta dhe nuk bie pre e klisheve televizive…

5.Duket se e aktrimi ka kaluar në plan të dytë për ju dhe moderimi është bërë më i rëndësishëm. Është e vërtetë?

Kjo nuk është aspak e vërtetë! Aktrimi është dhe do të mbetet gjithmonë prioritet për mua. Është dega që kam studiuar dhe investuar prej vitesh dhe nuk do të doja kurresesi ta braktisja. Përpiqem të punoj sa më shume në teatër, sigurisht atëherë kur ka dhe oferta se ka dhe raste që s’ka. Për momentin vazhdojmë të luajmë shfaqjen ‘Nata e 12’ në teatrin e metropolit, aty ku unë luaj Kont Orsinin.

6.Thonë që të punosh në një ambient me bashkëshorten, jo gjithmonë është një zgjedhje e mirë. Ju si do e vlerësonit?

Nuk di kush e përhap këtë lloj paniku… nuk është hera e parë që punojmë bashkë në një ambient pune apo redaksi… deri tani gjërat na kanë shkuar mirë… flasim për punën në punë dhe në shtëpi merremi me familjen.. po të respektohen këto dy pika gjërat shkojnë “Ok”



7.Të kemi parë shumë në emisione për gatimin, po cili është raporti juaj personal me kuzhinën?

Raporti im është në stadin e amatorit, kam dëshirë shumë të gatuaj po jam shumë rrëmujaxhi… kur gatuaj unë më mirë mos hyr në kuzhinë… kam probleme me fazën përgatitore se kur vjen puna tek tigani jam usta.

8.Kush gatuan në shtëpi?

Në shtëpi gatuan Renisa ndërsa unë me raste… kur ajo është e lodhur ose kur jam vetëm me Mian… Mias nuk i them do jo kur ka uri, se për vete mund edhe ta shmang ndonjë vakt .

9.Cila është pjata që dini të bëni më mirë?

Po tani unë di të bëj një mori pjatash, por ato që godas më mirë janë në raste qejfi, kur jam në humor të mirë, por nuk di të them ekzaktësisht çfarë.. unë gatuaj me ç’të më ndodhet. Ndër to përpiqem të bëj kombinimin më të mirë të mundshëm.

10.Keni “dështuar” ndonjëherë në kuzhinë?

Hahahahhahahaah shpesh dështoj me kripën. Gjithmonë harroj t’i hedh kur gatuaj për të tjerët, ngaqë për vete se përdor kurrë dhe më është bërë forcë zakoni të mos i hedh… por edhe kam djegur tava apo nxjerrë dhe pa pjekur…

11. Si është Flori në rolin e babait? Sa kohë shpenzoni me vajzën tuaj?

Përveç orarit të punës dhe të palestrës gjithë pjesa tjetër i përket Mias… nuk para dal apo të bëj mungesa të gjata. Jam shumë i lumtur që prej Mias nuk humbas asnjë dite pa e parë si rritet dhe edukohet. Ka raste që shkoj ndonjeherë vone dhe me duket sikur ka kaluar një shekull pa e parë. Jam i dashuruar me Mian, kokë e këmbe , dua vetëm ta përqafoj pafundsisht dhe ta shoh tek rritet e lumtur.

12.A mendoni se ju ka ndihmuar pamja e jashtme për t’u bërë më lehtë pjesë e ekranit?

Cila pamje? Gjithmonë e kam ndjerë veten inferior në këtë aspekt! S’mendoj se më ka ndihmuar!

13.A e shihni veten në ritrasmetim? Nëse po, çfarë i thoni vetes më shpesh?

Të shtunën zor se me shkon mendja të rishof veten time… madje e kam bezdi… asnjëherë s’më pëlqen vetja dhe besoj këtë si problem se kam vetëm unë. Unë e di shumë mirë se ku çaloj dhe përpiqem që dita ditës t’i korrigjoj si problem, po mesa duket po më merr shumë kohë.

14.Sa kohë shpenzoni në palestër?

Unë në palestër shkoj përditë dhe shpenzoj nga 60 deri në 90 minuta. E bëj me shumë qejf tashmë, e kam bërë stil jetese dhe për këtë jam mjaft i lumtur. E shoh si një mundësi që i jap vetes sime gjatë ditës për t’u relaksuar. Kur futem atje brenda harroj çdo gjë, edhe komuniteti është super. Djem e vajza që stërviten për një jetë më të shëndetshme dhe trupa më të bukur. Mund të them që kam gjetur stërvitjen e jetës dhe mendoj se do ta ushtroj gjatë. Crossfiti është ajo që më ka munguar gjithë këto kohë!

15.Do t’ju shohim së shpejti me ndonjë rol në teatër/ film?
Për momentin po pres të mbaroj shfaqjet me ‘Nata e dymbëdhjetë’ dhe besoj për disa kohë do ia fal vetes pushim pasditet… kam shumë nevojë të pushoj dhe të rri me familjen time!

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *