KreuCelebrity

Jamie Dornan e thotë pa dorashka: “Nuk dua ta luaj më në ‘Fifty Shades’!”

Ai ishte një aktor relativisht i njohur në industrinë e filmit, e kryesisht të gjithë e kujtonin nga pak edhe për hir të romancës disa mujore me Keira Knightly. Shumë shpejt, do të vinte koha që Jamie Dornan t’u bëntë ylli i triologjisë ‘Fifty Shades’, e tashmë të gjithë i referohen me emrin e personazhit në të njejtin film, Christian Grey. Që në daljen e pjesës së parë të filmit, u përfol se Dornan nuk ishte tejet i kënaqur me eksperiencën, kryesisht sepse ky prodhim u konsiderua si një projekt i dobët dhe aspak artistik, me një skenar deri diku amatoresk.

Megjithatë, në po të njejtën kohë u dha lajmi se irlandezi do të vazhdonte të ishte edhe në dy pjesët e mbetura të filmit përkrah Dakota Johnson, për hir të kontratës së nënshkruar që në fillim. Këtë herë, në një nga intervistat më të fundit, Dornan ka deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e ndonjë vazhdimi të po së njejtës histori, edhe në rast se do të bëhej diçka e tillë. “Nuk ka më libra të shkruar mbi këtë histori ku mund të bazohemi. Erica i rishkruajti dy vëllimet e para nga perspektiva e Christian Grey, por tashmë të gjitha historitë janë parë në filmat e prodhuar deri më tani”, ka shpjeguar fillimisht aktori 35-vjeçar.

“Por, edhe nëse vazhdojnë të merren ende me këtë projekt, unë në veçanti ndihem shumë i plakur për një rol të tillë”, ka vijuar edhe më tej, Dornan. Nga ana tjetër, në një prononcim për The Sun, irlandezi deklaroi se i kishte dhënë fund një herë e mirë me ‘Fifty Shades’. “Unë lëviz shpejt me mendje. E di që së jashtmi shumë njerëz mendojnë se aktori është një me karakterin, por unë kam një parim: kur përfundon, përfundon. Kështu, shoh se çfarë personazhi do të më ofrohet në projektin e radhës dhe nis punën për të ndërruar lëkurë”, është shprehur Jamie.

Epo, mesa duket aktori ndjehet gati për të lënë pas role që i ofruan veç famën, dhe asgjë më tepër përpos kësaj. Sepse, kjo ishte e gjitha ne ‘Fifty Shades’ në pak fjalë, apo jo?

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF