Karnavalet e Venecias jetojini me Albawings! 0 402

Festë në qytetin më të bukur të Italisë, mes kulturës dhe argëtimit, maskave dhe kostumeve që i japin jetë për 40 ditë karnavaleve më të famshme në Europë

Qyteti në mes të ujit, nuk njihet vetëm për gondolat e famshme, maskat, romanticitetin, perlat e artit që fsheh në muzeume apo qelqin e famshëm Murano, por edhe për karnavalet. Ndaj në muajin shkurt Bordo ju sugjeron një vizitë në Venecia, një udhëtim me Albawings, duke ju garantuar disa ditë të paharruara dhe të mbushura plot me emocione që nuk ua ka dhuruar asnjë vend tjetër. Fundja, Karnavalet e Venecias kanë  vetëm një qëllim: të hiqni dorë nga rutina dhe ta ktheheni gjithçka në lojë…

Pushimet në këtë periudhë të vitit në Venecia nuk janë vetëm një udhëtim mes kulturës, por dhe mes argëtimit, i cili ringjallet nga atmosfera festive e karnavaleve. Kostumet dhe maskat janë vetëm ato që dini, pasi gjithë pjesa tjetër duhet zbuluar.

Origjina e karnavaleve vjen nga periudha e Rilindjes, e sjellë nga kultura katolike, por me kalimin e kohës, identifikohet më shumë si një festë e qytetit, sesa fetare. Që atëherë festimet tipike baroke janë një planifikim dhe ritual i përmotshëm. Termi “carnevale” vjen nga latinishtja që do të thotë “lamtumirë mishit”, e cila sipas katolikëve nënkupton periudhën e agjërimit para Pashkëve për besimtarët katolikë. Ato startojnë që në janar dhe zgjasin deri në muajin Shkurt, sigurisht në ditë të caktuara, sipas një kalendari të përcaktuar, i cili sivjet startoi në 27 janar dhe pritet të përfundojë në mes të muajit Shkurt, ose 40 ditë para Pashkës.

Nëse doni të vizitoni qytetin, nuk mund të ikni prej andej pa qenë pjesë e karnavaleve, ngjyrave, kostumeve dhe maskave të cilave do t’i hasni ngado. E nëse doni të jeni pjesë e tyre, kjo është e lehtë: mos harroni, karnavalet kanë një kod veshje shumë të rafinuar. Respektoni traditën, së pari blini një maskë, që mund ta porosisni me çdo lloj forme dhe ngjyre, sepse jeni aty ku maskat u krijuan. Ndërsa për sa i takon kostumit, është mirë të merrni një me qira, të cilat i ofrojnë shumë prej dyqaneve të qytetit.

Nëse dëshironi të shijoni vërtet karnavalet, vendi i duhur është sheshi Shën Marko. Një prej aktiviteteve që tërheq më shumë vëmendje është Udhëtimi i Engjëllit, një ritual, ku pas rënies së kambanës së bazilikës së Shën Markos, nga qielli zbret një vogëlushe e veshur me të bardha.

Prej andej, pra nga sheshi i Shën Markos, mund të vizitoni vendet më të bukura, mes tyre bazilika e Shën Markos, më tutje Pallati i Dukës, të cilat janë edhe simbolet e vërteta të qytetit. Afër gjendet Ura e Psherëtimave, e njohur për historitë e dashurisë, kurtizanet e famshme, e sidomos vendi ku u burgos për një periudhë mashkulli më i famshëm i qytetit, Giacomo Casanova.

Festa merr një tjetër atmosferë në sheshin Shën Margarita, e cila zakonisht në këtë periudhë të vitit zbukurohet me shtëpiza të vogla prej druri, ku mund të shijoni pijet tradicionale, si vera e bardhë, por edhe koncertet e shumta që zgjasin deri në agim.

Një vend mjaft i këndshëm, i cili edhe pse nuk ka lidhje me karnavalet, por ama ka plot atmosferë është edhe lagjja e hebrenjve, ku mund të zgjidhni ndonjë suvenir të çmuar të punuara nga mjeshtrit hebrenj. Një vend tjetër, po kaq interesant që duhet vizituar është kopshti Guggenheim, ku gjenden shumë vepra arti, por prej andej ju mund të shikoni një pamje magjepsëse të lagunës.

Mos harroni të vizitoni Kanalin e madh, me një gjatësi mbi 2 kilometra ai ofron një nga pamjet më magjepsëse të qytetit, duke frymëzuar jo pak artistë. Kanali i madh dhe ujërat e tij e ndajnë qytetin në dy pjesë, me nga tri lagje secila. Por lidhja mes tyre bëhet lehtësisht e kalueshme përmes 250 urave që gjenden ngado, ose mund të zgjidhni një mjet tjetër, madje më romantik, siç janë gondolat, me të cilat mund të ecni në rrugët ujore të qytetit. Gondolat veneciane janë më magjiket në botë, sepse punohen me dorë në Venecia. Thuhet se prodhimi i tyre realizohet me 8 lloje drurësh, që i bëjnë ato të jenë të lehta, elegante dhe të paarritshme.

Pra, shijojeni si në një përrallë çdo ditë festive në Venecia, por mos humbi momentin e Ballos së Madhe, e cila mbahet ditën e fundit të karnavaleve, ku të gjithë personazhet me maska zbresin në shesh, duke dhuruar një shfaqje të vërtetë mes kërcimeve dhe argëtimit.

Blerjet Made in Italy

Venecia është qyteti më i vizituar në Itali, por një arsye e fortë janë blerjet. Maskat janë simboli i karnavaleve. Ato ndahen sipas hierarkisë shoqërore dhe me emra. Maska Bauta ka portret grotesk, Medico shpreh çudi, Columbina dhe Moretta janë të stolisura me perla e bizhu dhe u dedikohen grave. Çmimet variojnë nga 5 deri në 30 euro.

Nëpër dyqanet, të cilat ndodhen rrugicave të ngushta mund të gjeni gjithçka, nga maskat tek librat, suveniret dhe këpucët, që janë më cilësoret. Kaloni nga Giovanna Zanella dhe këpucët shumëngjyrëshe në vitrinë do t’ju ftojnë të hyni brenda. Janë të punuara në mënyrë artizanale, prej lëkure dhe të dekoruara me qëndisma të ndryshme.

Atelieja Pietro Longhi ёshtё njё vend qё nuk bie fort nё sy, por është më e famshmja në qytet. Ndodhet nё lagjen San Polo Viertel dhe rrobaqepësia e saj është njё nga pesё adresat kryesore pёr karnavalet. Kush ёshtё i ftuar nё njё ballo me kostume paguan deri 3.000 euro, sidomos për ballon dukale, ku patjetёr duhet kostumi i atelier Longhi.

Person wearing mask at the Carnival of Venice, Italy

I fundit, por jo më pak i rëndësishëm për blerjet tuaja janë produktet e qelqit, të cilat mbajnë vulën Murano. Ato prodhohen në një ishull të vogël në lagunë, ku secili reflekton artin e rafinuar të qelqpunuesve venecianë, duke i bërë sendet më të famshme në botë. Shumë prej tyre mund t’i porositni në çast, sipas formës dhe ngjyrave që doni, e brenda pak çastesh do të kthehen në një suvenir të paharrueshëm nga Venecia.

Pjatat veneciane

Venecia është një qytet shumë i pasur për sa i përket kulinarisë. Ura Rialto është një vend i mbushur me bare dhe restorante ku mund të shijosh tavernat tipike veneciane ku pihet verë shumë e mirë. Kudo mund të shijoni një picë të mirë, por më e mira shijohet në picerinë La Vecia Gina, e cila ndodhet në ishin e Shën Elenës.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *