KreuBusull

Në arkivin e suksesit të Nevila Nikës

Brunilda Kazani

Dashuria e madhe për profesionin vihet re në çdo fjalë, çdo histori e personazh që e lidh pazgjithshmërisht Nevila Nikën me arkivën. Pikërisht në katet e nëndheshme të ndërtesës hermetike të Arkivës Qendrore të Shtetit, aty ku është arkivuar e shkuara e një kombi, ajo ka kaluar mijëra orë, ditë e vite pune, jo vetëm mbi skedarët, por në çdo faqe dokumentash, përmes të cilave ka zbuluar një univers krejt të panjohur. Një univers që ndoshta nuk e ka dashur aq fort ditën e parë kur vuri këmbë në atë institucion, por ama një dashuri e cila është forcuar çdo ditë e më shumë, duke i dhënë sot statusin si një studiuese me një karrierë brilante në arkivistikë.
Ndonëse e lindur dhe e rritur në Tiranë, vetëm pasi kishte mbaruar studimet e larta për Histori, ajo do të zbulonte ekzistencën e Arkivit Qendror të Shtetit, institucion i cili do të shndërrohej më pas në një ambient që Nevila Nika do t’i dedikonte shumë vite jetë, plot 34. Por, para se të njihej si drejtoresha e Përgjithshme e Arkivit Qendror, ajo i ka ngjitur shkallët e karrierës një e nga një, me të mirat dhe të këqijat që sjell çdo rrugëtim i tillë.
E mban mend shumë mirë ditën e parë të punës. Nuk mund të harrojë lehtësisht ato dyer prej hekuri që ju hapën para sysh kur shkeli në Arkiv, as muret e mëdha prej guri që e mirëpritën me gurtësinë e tyre, madje as atë ushtarin hijerëndë që i hapi derën, i cili në njërën dorë mbante qenin e kufirit dhe në dorën tjetër armën.
Nuk e mohon se fillimi, e sidomos ato ditët e para kur çdokush shkon me zell në punën e parë, ishin shokuese për të. Por gjithçka kishte ndryshuar nga ambienti i ngrohtë që gjeti aty. Veçmas e me mirënjohje kujton ende sot e kësaj dite kolegët Eleni Duka Theodhosi dhe Pasko Milo, të cilët e ndihmuan që të dashuronte këtë profesion.
Kujton se puna e saj e parë në Arkivin Qendror të Shtetit, ishte të ngjiste etiketa në disa regjistra të mëdhenj osmanë, një punë për të cilën nuk ishte aspak e lumtur fillimisht. I dukej se nuk e meritonte, për aq kohë sa kishte mbaruar studimet e larta për Histori dhe dinte disa gjuhë të huaja. Gjithsesi mund ta quante veten me fat, krahasuar me shoqet e saj të klasës, pasi nuk e kishin zhvendosur në ndonjë qytet tjetër, por nëTiranë.


“Fillimisht më dhanë një punë të lehtë, të ngjisja etiketa në disa regjistra të mëdhenj osmanë. E ndjeva veten shumë keq, kishta studiuar Histori, kisha qenë në grupin që ishte ndërtuar për të mësuar edhe Turqishten. Dy javët e para shkoja në shtëpi dhe qaja, unë isha një nga fatlumet që po qëndroja nëTiranë, dija disa gjuhë, por pastaj gjykova që ishte fat. Sepse ishte mundësi për të qenë në burim, po punoja me njerëz të brezit të tretë, me njerëz të rëndësishëm. Arkiva u bë si një universitet i dytë, punova me Pasko Milo, përveç se shumë punëtor, ai kishte shumë humor, vëllain dhe motrën e profesor Aleks Budës, kisha mundësi që çdo ditë të mësoje diçka të re, nuk ishte një punë rutinë”, tregon Nevila.
Çdo ditë për të në arkiv kishte shumë për të mësuar, por hynte në një univers krejt të panjohur deri atëhere, ndaj tregon se ndihej shumë e lumtur aty, një motiv ky i cili e bënte të shkonte në punë me shumë dëshirë.
Ishte vetëm 22-vjeç kur nisi gjithçka, një studente e cila sapo kishte mbaruar shkollën dhe kishte ambicie, dëshirën e madhe për të punuar dhe mësuar, por edhe koha ishte në favorin e saj për këtë arsye zgjodhi t’i dedikohej plotësisht punës në arkiv, për të marrë më të mirën e mundshme të saj.
Por duket se asgjë nuk ndryshoi në jetën e saj, edhe kur krijoi familjen. Ishte një punë e cila ofronte të papritura: pas çdo faqeje të çdo dokumenti historik që shfletonte, pa hequr asnjë grimë përkushtimi ndaj profesionit edhe kur në jetë erdhën fëmijët e saj. Kishte zgjedhur t’i bënte shumë mirë të dyja, edhe pse nuk harron të theksojë se shpesh është “kritikuar” nga fëmijët për këtë gjë.
“Në shtëpi jam kritikuar gjithnjë, të paktën nga fëmijët që i kushtoj më shumë vëmendje punës, edhe pse unë jam përpjekur, jam ndarë në katërsh, për të mos i lënë pas dore punët në shtëpi, që fëmijëve të mos u mungojë asgjë, por edhe punët e punës”.
Pas plot 34 vitesh karrierë në Arkivën Qendrore të Shtetit, bilanci i Nevila Nikës është pozitiv. Familja dhe karriera kanë ecur paralelisht, pa cënuar njëra-tjetrën, janë dy shtylla të forta me të cilat ia ka dalë të ruajë një ekuilibër, duke e bërë atë jo vetëm një grua të suksesshme në karrierë, por edhe një nënë, bashkëshorte, vajzë të mirë. Është Nevila e parë me këtë emër në Shqipëri, gruaja e parë arkiviste, edhe e para që është dekoruar nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella për rrugëtimin e spikatur profesional dhe kontributin e dhënë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjithashtu është vlerësuar në Kosovë me çmimi ‘Unaza e Kates’.
Nevila ka shumë gjëra për të cilat krenohet në jetë, por për të më e rëndësishmja është familja, së cilës ia dedikon edhe suksesin e saj.
Ajo nuk është vetëm Nevila e suksesshme në profesionin e saj si arkiviste, por edhe një bashkëshorte e cila ka kryer detyrat familjare, por edhe një mama, e cila ka ditur të japë më të mirën. Ndaj sot nuk ka asnjë peng në jetën e saj, përkundrazi ndihet e plotësuar.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF