Givenchy, kur Italia dhe Franca ndërthuren për të lënë gjurmë në botën e modës…! 0 188

 

I kemi parë pothuajse kudo mbishkrimet Givenchy. Të apasionuarat pas modës i rendisin ndër të preferuarën e tyre, ndërsa ditët e fundit, një lajm i hidhur trishtoi dashamirësit e stilit: Hubert de Givenchy ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare. Audrey Hepburn dhe Jacqueline Kennedy ishin vetëm dy nga emrat e famshëm, për të cilat dizanjeri stiloi me dhjetëra veshje.

E pas gjithë famës së emrit, prapa fshihet një histori e mirëfilltë artisti, prejardhja e së cilit është ndër më interesantet. Hubert James Taffin de Givenchy lindi më 21 shkurt 1927 në Beauvais, një komunë në veri të Francës. Megjithatë, rrënjët e familjes së stilistit vijnë nga Venecia e Italisë, një tregues që Givenchy ishte i destinuar për të qenë pjesë e modës. Në moshën 3-vjeçare, Hubert u përball me humbjen e të atit nga një sëmundje e rëndë, duke u rritur kështu nga e ëma dhe gjyshja e tij. Gjyshi nga i ati ishte skenograf, i cili dizenjoi trembëdhjetë sete për Pallatin Elysee. Ndërsa, një prej stërgjyshërve të tij ideoi skenografinë për një nga operat e Parisit. Në moshën 17-vjeçare, Givenchy u shpërngul në Paris, për të studiuar në Shkollën e Arteve të Bukura.

Dizenjimet e para të Givenchy-t iu dedikuan Jacques Fath në 1945. Më vonë, punoi edhe për Robert Piguet dhe Lucien Lelong, duke bashkëpunuar me Balmain dhe Christian Dior, kur këta të fundit nuk ishin ende të njohur. Nga 1947 deri në 1951, Givenchy pati marrëdhënie të pandërprera pune me Elsa Schiaparelli-n. Në 1952, hapi shtëpinë personale të modës në Paris. Koleksionin e parë e quajti ‘Bettina Graziani’, për hir të vetë topmodeles pariziene. Kur ishte vetëm 25 vjeç, ishte dizanjeri më i ri progresiv për pasarelat e Parisit. Ndonëse krijimet e para ishin të punuara me material të lirë, gjithmonë tërhiqnin vëmendjen për shkak të dizenjimeve.

Pas shitjes së biznesit të tij konglomeratit luksoz Louis Vuitton Moët Hennessey në vitin 1988, Givenchy vazhdoi të dizajnonte edhepër shtatë vite të tjera, duke paraqitur koleksionin e tij të fundit në vitin 1995, vit në të cilin doli edhe në pension. Vitet e fundit të jetës ai i kalou në nëj vendbanim të quajtur Le Jonchet, në një fshat francez. Puna  e tij u shfaq në retrospektivë në një ekspozitë në Institutin e Modës dhe Teknologjisë në New York, ku mori edhe çmimin “Lifetime Achievement” nga Këshilli i Mjeshtrave të Dizajnit të Amerikës në vitin 1996.

Givenchy arriti të revolucionarizojë modën ndërkombëtare me pamjen e hijshme e elegante që ai krijoi për Audrey Hepburnin, mikeshën dhe muzën e tij më të madhe, për mbi 40 vite punë. Dhe puna  e tij mbetet po kaq e rëndësishme edhe sot.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *