Pjatë dimërore me lakra Brukseli nga Fundim Gjepali 0 525

Një pjatë dimërore me Lakra Brukseli

Përshëndetje miq! Uroj të ketë qenë një fillim i mbarë ky vit për ju. Po takohemi së bashku në numrin e radhës të revistës Bordo me një recetë të veçantë. Kjo që do iu shpjegoj sot është një pjatë dimërore dhe njëkohësisht shumë e freskët dhe elegante, mund të përdoret për një antipastë, por edhe si pjatë kryesore. Është vegjetariane dhe shumë e lehtë.

Le të vazhdojmë me përgatitjen e saj….

 Përbërësit që na duhen për 4 persona janë:

– 200 gr gjizë
– 100 gr thjerrëza
– 1 karotë
– 1 degë selino
– 1 qepë
– 1 degë rozmarinë
– 4 lakra Brukseli
– 1 gotë verë të bardhë
– 20 gr tartuf të freskët stine
– vaj ulliri ekstra i virgjër
– 1 thelp hudhër
– kripë
– piper

Përgatitja:
Në një tenxhere vendosim pak vaj ulliri, 1 thelp hudhër, degën e rozmarinës dhe e lëmë të kavardiset pak, i shtojmë thjerrëzat, i hedhim pak kripë dhe e shuajmë me gotën e verës së bardhë.

Kur vera ka avulluar, i shtojmë ujë në linjë me thjerrëzat dhe e lëmë deri sa të ziejë. Kur thjerrëzat kanë zier i kalojmë në një blender dhe më pas në një sitë.

Përgatitja e gjizës:
Në një tas vendosim gjizën, i hedhim kripë piper dhe vaj ulliri, e përziejmë mirë deri sa ajo të bëhet një krem homogjen.

Përgatitja e lakrës së Brukselit:
Marrim lakrat i presim në dysh, i shfletojmë të gjitha fletët dhe e ziejmë në ujë të nxehtë për rreth 4 minuta. Pastaj e vendosim në ujë të ftohët që t’i bllokojmë procesin e zierjes. Më pas i kullojmë dhe i vendosim në një tas ku i hedhim pak kripë, lëng limoni dhe vaj ulliri. Marrim një pjatë të thellë, i vendosim në bazë kremin e thjerrëzave, më pas me një formë drejtkëndëshe vendosim gjizën dhe pas të gjithë fletët e lakrës përreth, presim hollë-hollë tratufin e freskët në sipërfaqe. Dhe në fund këtë punë mund ta finalizoni duke e formuar pjatën si në foto.

Tani, vendoseni përparësen dhe provoni ta realizoni në shtëpitë tuaja këtë gatim.

Ka për të qenë një super pjatë.

Shijojeni! Ju faleminderit!

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *