INTERVISTË/Neritan Liçaj: “Makbeth”, tragjedia e konceptuar si përrallë shekspiriane! 0 404

Nga Ilda Lumani

Në fushën artistike, aktiviteti më i bujshëm së fundmi ishte padyshim “Makbeth”, tragjedia që ngjiti në skenë jo vetëm disa nga emrat më të njohur ndër aktorët, por edhe një koncept ndryshe të klasikes së Shekspirit. Kësaj qasjeje regjisoriale, këndvështrimit ndryshe të Kledi Kapexhiut, iu bashkangjit dhe loja e Neritan Liçaj, artistit që nuk mungon pothuajse në asnjë shfaqje teatrale. Në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al, Liçaj ka folur shumë për emocionet e natës së parë, si u prit shfaqja nga publiku, ashtu sikurse nuk ka kursyer as rrëfimin e një dite pune në teatër. Siç thotë dhe ai vetë, ‘vetëm rutinë nuk ka profesioni i aktorit’, e për këtë Neritani ka zbuluar disa nga detajet më interesante. Për më tepër, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme.

Neritan, së pari komplimenta për interpretimin në “Makbeth”. Si u prit tragjedia në javën e parë të shfaqjes së tij?
Në javën e parë, pra premierë, shfaqja u prit shumë mirë. Nga publiku elitar pati reagim pozitiv pasi është risi për teatrin shqiptar ky lloj teatri.

Ishte një shfaqje që vetëm subjektin merrte nga e kaluara, elementët e tjerë – lëvizjet, muzika, veshjet dhe maskat e bënin shumë modern. Kjo në këndvështrimin tuaj ja zhvesh ngjyrat shekspiriane veprës?
Nuk besoj se ja zhvesh elementin shekspirian veprës, por në ndryshim nga perceptimi i dramaturgjisë shekspiriane, shfaqja nuk merrte përsipër të trajtonte një tragjedi shkespiriane, por një përrallë shekspiriane.Thënë këtë gjithë komponentet artistikë të spektaklit punonin dhe ishin në funksion të këtij këndvështrimi regjisorial.

Neritan, ju jeni tashmë një aktor me një karrierë të gjatë në supe, si u vlerësua kjo lloj qasjeje regjisoriale nga ana juaj?
Personalisht e gjej si në deshirë dhe ambicie regjisoriale shumë te guximshme dhe të admirueshme nga Kledi dhe këtë ja kam shprehur dhe në mënyre direkte. Më pëlqejnë sfidat e forta dhe të bukura ne arte dhe veçanërisht në teater. Uroj që Kledi ta vazhdojë ëndrrën dhe kërkimin në këtë frymë teatrale që të mos mbetet në një kuadër sporadik.

Përgjithësisht publiku i premierës është më i vështiri, pasi janë aty kolegët, regjisorë, aktorë, gazetarë. Keni pasur ndonjë hezitim se pikërisht prej tyre nuk do “të përthithej” kjo lloj sjellje e veprës?
Jo, nuk kam pasur aspak hezitim nga publiku profesional, sepse isha i bindur që ata do e kuptonin dhe vlerësonin më mirë këtë lloj teatri ose forme të re teatrale. Dhe nuk u gabova. Sigurisht, ka dhe skeptikë, por është e drejta e kujtdo të jetë kritik ndaj një produkti artistik dhe për këtë s’më vjen aspak keq për aq kohë sa ka reagime – kjo është shenjë pozitive pasi për mua arti duhet dhe të provokojë në kuptimin e mirë të fjalës. Kjo tregon se ka arritur qëllimin, pra debatin.

Ju vetë si do ta ftonit publikun për ta parë këtë Makbeth “avangard”?
Ejani te shihni jo tragjedinë e Makbethit, por perrallën e Makbethit.

Keni marrë ndonjë vlerësim a kritikë të cilën do të donit ta ndanit me ne?
Kësaj pyetje do ishte më mirë t’i përgjigjej Kledi, pasi është ai formëzuesi i këtij teatri, ku vula kryesore i takon atij.

Përtej kësaj shfaqjeje doja t’ju pyesja rreth rutinës suaj. Jeni ndër aktorët më aktivë, prezent thuaj në shumicën e shfaqjeve te TK-së, ç’ndodh kur nuk jeni në një shfaqje? Si e shfrytëzon ose çfarë ritimi keni kur nuk jeni në prova?
Në prova jam gjithë kohës i përqendruar, sepse çdo eksperiencë artistike, për më tepër teatrale është një eksperiencë artistike dhe njerëzore, që kërkon impenjim dhe respekt maksimal. Unë me proçesin e provave nuk bëj shaka, jap maksimumin tim.

Po rutina e një dite pune?
Vetëm rutinë nuk ka profesioni ynë, pasi çdo projekt është një sfidë, një provim më vete ku ti duhet të japësh më të mirën tënde dhe kur këtë e bën me pasion dhe dashuri vetëm në rutinë nuk të kthehet dhe këtë fenomen personalisht ja dashuroj teatrit.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *