KreuBusull

Intervista/Ina Toska, një fotografe me aftësi ndryshe: Ju tregoj ëndrrën time më të madhe!

Nga Jonida Sheshi

Çfarë mund ta ndalë pasonin? Asgjë! Në fëmijërinë tonë të gjithë kemi pasur ëndrra e pasione, për disa prej nesh janë ndryshuar, duke kuptuar se kanë qenë thjesht dëshira momenti, ndërsa për disa të tjerë ëndrra e pasioni është rritur bashkë me ta. Ky është edhe rasti i Ina Toskës. Imazhi i një maceje të bardhë, fiksuar nga aparati i vogël i Inës, do t’i diktonte asaj dëshirën për të folur në jetë nëpërmjet fotografisë.  Ajo është një vajzë me aftësi ndryshe, ndaj fillimet nuk ka qenë aspak të lehta për të. Por përkushtimi, vendosmëria dhe pasioni e kanë çuar atë shumë përpara dhe krenaria më e madhe për të sot, është identifikimi si “Ina Photography”. Me ëndrrën që një ditë të ketë një studio të sajën fotografike, Ina tregon se punon e pa lodhur e vullnetarisht, pasi, siç thotë ajo, fotografia e mbush me jetë.

Prej sa kohësh e ushtron pasionin tënd si fotografe?

Kam punuar prej 7-të vitesh e angazhuar vullnetarisht në jetën sociale të qytetit të Fierit. Aktualisht punoj  vullnetarisht te kisha Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit, tek  Biblioteka Publike “Dritëro Agolli”, tek Qendra e Aktiviteteve Kulturore, si dhe në aktivitete të ndryshme në qytetin e Fierit.

Si lindi kjo dëshirë për të fotografuar?

Ishte ëndrra ime që në moshë të vogël. Fillova të bëj fotografi me një aparat të vogël që ma bënë dhuratë nga Japonia. Për herë të parë kam fotografuar një mace të bardhë.

Çfarë bëje përpara se t’i dedikoheshe fotografisë?

Fotografia ka qenë gjithmonë ëndrra ime edhe në vitet e shkollës 8-vjeçare e të mesme. Nuk mungoja në asnjë eskursion ku më japej mundësia të fotografoja më shumë pamje të ndryshme. Në fundjavë udhëtoja shumë edhe me familjen dhe shoqërine time. Me aparatin tim bëja shumë foto të bukura.

Çfarë të pëlqen të fotografosh më së shumti?

Natyra, lule, deti, femijet e vegjel, fëmijët me Sindromën Down etj…

Cili është synimi yt, sa larg mendon se do të shkosh me fotografinë? A je optimiste?

Jeta të sjell gjithmonë të papritura. Ëndërroj gjithmonë të eci përpara me punë dhe durim, deri sa të arrij të hap studion time. Jam shumë optimiste.

A ishte e vështirë fillimisht ta ndiqje pas këtë pasion?

Ishte shumë vështirë, por me ndihmën e familjes dhe shoqërisë arrita që u bëra fotografe, e tani më njohin të gjithë.

Pse të pëlqen të fotografosh?

Më pëlqen të fotografoj sepse ato fjalë që nuk i shpreh dot me gojë, i shpreh me anë të shkrepjeve fotografike.

Çfarë e bën punën tënde ndryshe nga ajo e fotografëve të tjerë?

Unë jam një person me aftësi ndryshe, kam arritur të punoj përkrah fotografëve të tjereë pa u lodhur asnjëherë. Unë punoj vullnetarisht dhe jam super e gëzuar për punën që bëj.

Cila është ëndrra jote më e madhe?

Endrra ime më e madhe është të hap një studio fotografike dhe të marr pjesë në emision e Arbanës “Dua të të bëj të lumtur” ose tek Arditi “ Kam 1 mesazh për ty”.

Cili është mesazhi yt për personat me aftësi ndryshe që kanë një ëndërr, por hezitojnë ta ndjekin?

Asgjë në jetë nuk është e pamundur. Me pune dhe vullnet arrihet çdo gjë. Tregoi gjithmonë pa frikë aftesitë e tua, sepse do t’ja dalësh…

       

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF