INTERVISTË/Elona Duro: “Profesioni i ëndrrave për Tomasin? Futbollist!” 0 1212

Nga Sara Gurabardhi

Muaji i parë i këtij viti e gjeti Elona Duron duke përjetuar emocionet më të bukura, ato çaste që shumë femra ëndërrojnë që në një moshë fare të re. Me Tomasin e vogël në krah, Duro kaloi edhe një tjetër gëzim, që pas ceremonisë martesore të mbajtur verën e shkruar. Tashmë, Tomasi ka marrë gjithë vëmendjen e familjes dhe jeta për Elonën dhe Lorencin nuk është më njësoj. Në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al, Elona ka rrëfyer gjithçka: që nga momenti kur mësoi për pritjen e ëmbël, zbulimin e gjinisë, çastin final, përkushtimin e saj si nënë…Si ndahen punët mes mamit dhe babit për kujdesin ndaj Tomasit? Cili vendosi për emrin e protagonistit të familjes? A është Elona një nënë e fiksuar pas kujdesit? Këto dhe të tjera, Duro i zbulon ‘pa dorashka’, duke treguar shumë për këtë eksperiencë sa të bukur, aq edhe të vështirë në jetën e saj!

Duket se ky vit ka nisur mbarë për sa i përket pritjeve të ëmbla ose fëmijëve në përgjithësi. Si i përjetove muajt kur Tomasi ishte ende në barkun e mamit?

Oh, më dukeshin aq të gjatë. Një jetë. Por më pas thashë si fluturuan kështu. Kur mora vesh lajmin e shtatzënisë, e kur e mora djalin në duar pastaj… Kam jetuar çdo moment të shtatzënisë, me një miks ndjenjash. Ankth, frikë, emocion, padituri, mister, lot e gëzim të madh. Gjatë atyre muajve i jam përmbajtur një diete strikte (jo për faktin se do shtoja në peshë, absolutisht) duke mos abuzuar as me nje gllënjkë coca-cola apo me një filxhan kafeje në mengjes,  asgjë qe mund të lëndonte të voglin tim. Ndoshta e tepruar, por kështu kam vepruar. Për shembull, gjatë stinës së verës nuk jam larë as edhe një ditë në det (rrezik infeksionesh), s’kam përdorur krem plazhi, s’kam ndenjur në diell pas orës 12, kam bërë gjumë dreke çdo ditë… e kështu duke përjashtuar çdo gjë që mund të më sillte më të voglin shqetësim. Për fat, pata një shtatzëni të mbarë. As sikletin më të vogël edhe në tre muajt e parë, që përgjithësisht janë pak të vështirë.

Zakonisht, prindërit bëjnë një zgjedhje paraprake mes dëshirës për vajzë apo djalë. Cila ishte zgjedhja jote?

Ah, për këtë si me të qeshur i kërkoj falje shpesh tim biri. Teksa e përkëdhel, i them në vesh: “Edhe unë budallaqja që doja gocë. Por më fal zemra ime, nuk e dija që ti do ishe dashuri me shikim të parë. Djali im i bukur e i mirë.” Dhe më duket sikur qeshim të dy pastaj. I kthehesha një ditë chatit tim ne Whats App me doktoreshën Ermira Kasa,  që më ndoqi në shtatzëni. Pasi bëra të gjitha analizat e duhura, kontrollet te mjekja dhe mora aprovimin e saj për të tentuar të mbetesha shtatzënë i shkruaja: “Doktoresha, faleminderit për përgjigjet pozitive të analizave, tani dua një beb, e dua vajzë, dhe e dua t’i ngjaj Lorencit.” E teksa e lexoj këtë mesazh, sikur ndjehem keq dhe i them djalit: “Më fal. Të dua vetëm ty.”

 

Si e prite ti dhe bashkëshorti zbulimin e gjinisë së fëmijës?

As unë e as Lorenci nuk është se e kishim shumë të rëndësishme gjininë. Duam veç që fëmija të gëzojë shëndet. Dhe këtë kemi thënë gjithmonë. Lorenci, në fakt, ishte pergatitur për emër vajze, jo se domosdoshmërisht kërkonte vajzë, por emër i tillë i erdhi i pari ndërmend. Lajmin që ishte djalë e mora vesh unë e para, pasi isha në Itali në një vizitë mjekësore atje, kur doktori më zbuloë gjininë. Isha madje me mamanë e Lorencit. Pasi mbarova vizitën, dal jashtë dhe telefonoj Lorencin duke i dhënë këtë lajm. Gëzim përjetuam. Sytë me lot. Madje e kam të regjistruar në video këtë moment. Nuk prisja të mesoja gjininë. Ishte një kontroll rutine që na gëzoi me këtë lajm.

Më shumë frikë apo emocion për momentin final – a ndikoi shoqëria apo të afërmit në lehtësimin/vështirësimin e këtij çasti të shumëpritur?

Me shumë frikë. Oh, sa pyetje kisha ato javët e fundit të shtatzënisë. Doktoresha e di ç’ka hequr me mua. Shoqëria e të afërmit të angazhuar në emocionet e mia. Dhe bisedat nisnin gjithnjë: “Po Sikur.. Po sikur..” Pasiguri dhe frikë. Të gjithë tregonin eksperiencat e tyre, që të ma benin sa më të lehtë këtë përjetim, por brenda meje sërish ndjeja frikë. Por besomë: në momentin e parë që mora në kraharor tim bir, e gjithë ndjesia u shndërrua në forcë, forcë të madhe për të nisur një jetë të re, emocion të pashpjegueshëm.

E kishe menduar ndonjëherë se do të bëheshe mama pikërisht në një periudhë të tillë të jetës?

Po, e kisha menduar. Thjesht po prisja njeriun e duhur. Unë i dua shumë fëmijët. E di që nuk funksionon me llogari, por gjithnjë i thosha vetes: “Pas të 30-tave, dua një beb.” Njoha Lorencin, dashurinë e jetës e brenda një kohe relativisht të shkurter vendosëm të sjellim në jetë një fëmijë. Bekim i madh.

 

Tre fjalë që mund të përshkruajnë emocionin kur mbajte Tomasin për herë të parë në krah…?

Lot, lot, lot. Qaja dhe infermierja që xhironte në cellular, se doja shumë që këto momente të para t’i jetonte dhe Lorenci nga ana tjetër e derës së sallës së lindjes. Pastaj pushuam të dy së qari, edhe une, edhe Tomas, u pamë në sy dhe i thashë: “Mireëseerdhe biri im. Të dua shumë!”

Është Elona një mami e fiksuar pas kujdesit apo përpiqesh t’i kursesh disa strese në dukje të tepërta lidhur me Tomasin?

Shumë e fiksuar. Edhe nuk është aspak mirë. Tani sikur po ndryshoj pak, por mbetem e fiksuar. Shkon përtej kujdesit fiksimi im. Po përgatis veten edhe ta lë me babysitter, se më duhet të kthehem në punë pas pak muajsh. Vështirë. Shumë vështirë. Tashmë doktoresha pediatre telefonohet çdo ditë nga unë. Se ku i gjej gjithë këto pyetje, s’e di. Por, në fund qeshim e më thotë të rri e qetë, se jam një mami shumë e mirë.

Si erdhi idea për emrin?

Lorenci e vendosi. Është emri që gezon babai i tij, Thoma Goga e kështu erdhi Tomas. Duam shumë t’i ngjajë gjyshi Mait, një njeri familjar, i përkushtuar dhe shumë i dashur. Tomas dhe gjyshi që tani e kanë gjetur gjuhën e tyre. Si duket i ngjit emri. (qesh)

Cilin profesion ëndërron për Tomasin në një të ardhme?

Futbollist. As nuk u mendova fare (qesh). Futbollist më pëlqen. Prej disa vitesh po merrem me sportin në Digitalb dhe më pëlqen shumë bota e sportit. Kur i bëj fiskulturen e mëngjesit i them: “Tomas, zemra e mamit, bëhu futbollist. Dua të të ndjek ngado nëpër stadiume e dua të thërritet emri yt, si krenari familjare, por edhe kombëtare. (qesh) Pastaj do të jesh i shëndetshëm, do të udhëtosh shumë, por mbi të gjitha do të fitosh edhe shumë para.” Familjarët e mi qeshin per idetë e qarta që kam. Por le të bëhet ç’të dojë. Shëndeti mbi të gjitha.

Keni në plan (qoftë dhe në të ardhmen e largët) një motër ose vëlla për Tomasin apo jeni ‘partizanë’ të fëmijës së vetëm?

Është e vemtja pyetje që nuk duhet t’i bëhet një nëne të re (qesh). Sa e bukur është e gjitha çfarë thamë dhe më lart, por aq edhe e vështirë. Unë kam zgjedhur t’i dedikohem djalit ditë-natë. Ndjehem shumë e lodhur. Dhe për momentin më duket larg idea e një fëmije të dytë. Madje, s’e kuptoj as kur të thonë DUHET një fëmijë i dytë. Gjërat vijnë duke i ndjerë. Për momentin vëmendja është Tomas. Më vonë, nuk e di…

Si i keni ndarë detyrat me bashkëshortin lidhur me kujdesin ndaj djalit?

Lorenci është shumë i përkushtuar. Shumë. Asgjë s’i lë mangët kur i thonë. Kalon shumë kohë me ne. Darkave vjen edhe më herët në shtëpi. Banjon e mbrëmjes ja bëjmë të dy djalit. Zgjimin e orës 4 të mëngjesit dhe përgatitjen e qumështit e bën gjithmonë Lorenci. Unë në fakt nuk dua të lodhet shumë, pasi ai shkon edhe në punë.por natyrshëm na vjen t’i ndajmë shpesh detyrat. Ai dorëzohet kur djali qan dhe ma kalon mua e thotë: “Lon, të do ty.” (qesh)

Sa ka ndryshuar rutina ditore që nga ardhja në jetë e Tomasit?

Njëqind përqind. Zgjohemi e flemë vetëm me Tomas. Sa piu, si fjeti? Qau? Qeshi? E gjithë bota vërtitet rreth tij. Kemi harruar veten. Më kishin  thënë e s’e kisha besuar. Unë dhe Lorenci s’kemi punë tjetër…

Parashikoni pushime vere këtë vit apo do të prisni dhe pak deri sa vogëlushi të ketë festuar dhe 1-vjetorin?

Po, patjetër!. Mezi presim pushimet. Në verë djali edhe është rritur më shumë e do shkojmë në det. Mezi pres ta lë në det të levizë këmbë e duar. Plane s’kemi bërë, por besoj bregdetin shqiptar.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *