KreuBusull

Rudina Xhunga: “Tani më hoqi mua dhe vuri Kolin përballë Blendit…”

Në intervistën e fundit për ‘Thumb’, Rudina Xhunga ka zbuluar shumë lidhur me eksperiencën e saj 20-vjeçare në televizion. Ajo ka zbuuar arsyet e braktisjes së televizionit, ashtu sikurse ka rrëfyer çastin më të vështirë përgjatë gjithë karrierës së saj. Shkak? Themeluesi i Top Media, Dritan Hoxha. Pse nuk e pamë më Rudinën çdo të enjte në ekranin e Top Channel? Vendimi I marrë nga Hoxha, se konkurrencën e Blendit të enjten, do të mund ta përballonte vetëm një mashkull si Sokol Balla, ishte arsyeja pse Xhunga iu dedikua të hënë. Por, duket se kjo vetëm sa e ka ndihmuar atë. Këto dhe shumë të tjera i gjeni në intervistën e mëposhtme!

Pse ike nga Top-i dhe nga Vizioni. Nuk ishte Sokol Balla që të hoqi dhe nga Top-i dhe nga Vizion Plusi, ishte thjesht rastësi apo jo?

Nuk besoj se ka lidhje Koli. Jam shumë e kënaqur që Koli është në Vizion Plus.

Si po e përjeton periudhën si ‘free lancer’?

Po më shijojnë më shumë të dielat. Kisha shumë kohë që nuk i shijoja. Këtë duhet të llogarisini gjithmonë kur jeni në një punë: nëse të dielën keni stresin se si do t’i ktheheni rutinës të së hënës, do të thotë që nuk po e bëni punën me qejf. Jam e lodhur nga emisionet ku merr katër të ftuar dhe do të të zgjidhin situatën, vetëm për të marrë rrogën në fund të muajit. Uroj që këtyre emisioneve t’iu vijë fundi.

Çfarë do të bësh pas largimit nga televizioni?

E kam vendosur se çfarë do të bëj. Do të shkruaj për kohën që kam kaluar në televizion, pasi është viti i njëzetë. Të gjithë pas kësaj kohe bëjnë një party, një shkrim, një libër. Unë do bëj njërin prej tyre. Më pas, në shtator do të prezantohem me një projekt timin, që nga shtatori i ardhshëm, unë kurrë më nuk do të marr rrogën në një televizion. Shumë vonë e mora këtë vendim, por tani do punoj për veten dhe besoj se emri më ndihmon. Është projekt që ka të bëjë me fjalën, pasi është më e rëndësishmja nga të gjitha. E thënë apo e shkruar, rëndësi ka që unë i rri fjalës. E dua fjalën dhe fjala më do.

Të ka lodhur politika?

Nuk më ka lodhur dhe nuk jam penduar fare. Ka qenë eksperiencë e jashtëzakonshme të njihja të tërë politikanët e këtij vendi, t’i njihja e t’i intervistoja…por vjen një moment dhe prapë të njëjtit janë, riciklohen. Duan të më pëlqejnë dhe të më kritikojnë, qoftë një milion si tek Top-i, qoftë dhjetë, si në një portal. Dua të kontribojë në mënyrën time, jo thjesht për jetën time dhe të fëmijës tim, por dhe për ata që më shohin. Kjo punë bëhet me idealizëm, ose nuk bëhet.

A është konkurrenca në familje arsyeja pse vendose të largoheshe nga Vizioni, mqs bashkëshorti është drejtuesi i ‘Arenës’?

Jo, nuk jam kaq e mirë.

Për çfarë e kritikon më tepër bashkëshortin?

Për zvarritjen e fillimit, sepse e nis gjithmonë ngadalë.

Je fokusuar më shumë tek shoubizi së fundmi. Pse ky orientim drejt personazheve të ekranit?

Ka filluar të më duket jeta më e bukur me tema të tilla përreth. Jam shumë pro lajmeve rozë.

Mbajte një qendrim shumë pozitiv ndaj Ilda Bejlerit në debatin mes saj dhe Muç Nanos. Në përballjen me këtë të fundit, ishte gjithçka e vërtetë apo ishte e stisur me Muçin, që njëri të mbante anën e tij e tjetri atë të Ildës?

Jo, nuk bëj debate të tilla me Muçin, pasi gjithmonë më është dukur personazh maskilist, që mbron burrat. Muçin e njoh shumë mirë, Ildën nuk e njoh fare, nuk e kam parë kurrë ‘live’, madje kam frikë se po ta shoh do pendohem dhe do them ‘obobo, pse e mbrojta’. Dola krah Ildës jo për vetë Ildën, por për të devijuar debatin në një linjë tjetër edhe pse nuk ia dola. Doja të tregoja se problemin nuk e kanë vajzat si Ilda që zhvishen, por burrat e ekranit që e veshin me kaq banalitet debatin politik, artistik, kulturor të këtij vendi. Njerëz si unë, Blendi Fevziu apo vetë Muç Nano, që kanë mbi 20 vite në televizion, kemi përgjegjësi për gjendjen ku është televizioni. Nuk është e thënë të dalim të kërkojmë falje, por të përpiqemi ta ndryshojmë.

Si e shikon televizionin sot? Me keqardhje?

Nuk e shoh fare, refuzoj. Shoh Netflix dhe BangBang gjithë ditën.

Kush ka qenë periudha e artë për Rudina Xhungën?

Periudha kur kam punuar në Top Channel, padyshim. Koha e krijimit të Top-it dhe koha kur Dritan Hoxha vetëkrijonte televizionin, kjo ka qenë periudha më e artë për mua. Me një lloj ndryshimi që pati politika e Top-it, zgjati për një kohë pas vdekjes së Tanit, por tani ka ndryshuar krejtësisht politikë. Është një televizion tjetër, nuk është më Top-i.

Momenti më i errët i jetës tënde si gazetare?

Nuk e di nëse është më i errëti, por ky mu kujtua dhe po e tregoj. Çasti më i vështirë ka qenë në eksperiencën në Top Channel, kur pas katër vitesh punë, kishte ardhur Sokol Balla drejtor lajmesh dhe kërkonte një emision politik. Dhe gjithmonë fliste me Tan Hoxhën që dëshironte një emision ditën e enjte, sepse të enjten ishte dita e Blendit, dita e burrave dhe ia arriti t’ia mbushte mendjen. Pas dy vitesh, në 2006, Tani na mbledh të gjithëve dhe thotë: ‘Le ta pranojmë, nuk ka Larry King-e në këtë botë. Ti je grua dhe nuk e përballon dot. Blendin do ta përballojë Kol Balla’. Unë nuk fola fare, dola nga dera, bëra të zbrisja shkallët dhe rashë nga shkallët, se nuk shikoja më fare dhe nuk arrija as ta bindja. As nuk e kisha menduar që e mendonte këtë. Gjithsesi, Koli filloi të enjten, unë dola të hënën, por nuk kisha më konkurrencën vetëm Blendin, por edhe me Kolin. Ika nga e enjtja e burrave, që le ta mbajnë, dhe kalova në një të hënë ndërkombëtare, sepse e çova emisionin gjithandej ku kishte shqiptarë. Kështu që, ka qenë një eksperiencë e mirë edhe kjo koha kur më thanë ‘ti nuk je një Larry King-e’.

Ke patur shantazhe apo ndalesa për të ftuar dikë në emision?

Patjetër. Tani, të flasësh për këto gjëra, është bërë banale. Janë të gjitha skenare. Është si zgjedhja e Presidentit Trump. Në fillim, Trump e morën të gjithë për të qeshur, tani që u zgjodh i bën të gjithë për të qarë. Është e gjitha tek krijimi i njerëzve. Ashtu siç krijuam Lek Plepin, ne kemi krijuar në fakt përbindësha në politikën shqiptare. Edhe figura e gazetarit ishte më serioze. Tani, është më normal banalitetit.

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF