KreuCelebrity

Intervistë/ Eni Jani: Femrat më të rrezikshme, kur bëhet fjalë për karrierën

Nga Denis Tahiri

Portreti lozonjar i Eni Janit do të fokusohej nga kamera, atëherë kur aktrimi, ëndrrat për të ardhmen, thuajse nuk ishin formuar në qelizat e trurit të një vogëlusheje, e cila krejt rastësisht do të hynte në botën e ekranit të vogël, e më pas në atë të kinemasë e teatrit. Ora e mësimit dhe lodrave ishte ndërprerë papritur një ditë, kur disa “xhaxha” të TVSH-së kishin shkuar në kopshtin ku mësonte ajo për një audicion. Regjisori kërkonte një vajzë çapkëne për rolin e Ermirës dhe askush më mirë se ajo nuk mund ta bënte. “Ishte një film për fëmijë që bënte televizioni dhe erdhën po kërkonin aktorë fëmijë në kopësht. Me sa kujtoj ka qenë me titullin “Ermira e mirë’”, tregon Eni.

Ky moment padyshim që e orientoi të ardhmen e saj, me ose padashje drejt një fushe, e cila do të kthehej një qëllim për jetën, një motiv që të bën të zgjohesh çdo mëngjes. Kjo bëri që Eni të mos e kishte dhe aq të vështirë të zgjidhte aktrimin si profesion pak vite më vonë, duke e kornizuar lehtësisht brenda portretit të aktores. Madje që kur ishte ende në fakultet ajo u bë pjesë e aktrimit profesionist, duke i besuar role të rëndësishme. Roli i saj tek “Njerëz dhe Fate”, padyshim mbetet një nga të spikaturit në galerinë e personazheve të saj, portretizimi i një vajze, e cila do të pëlqehej menjëherë nga publiku, duke e identifikuar si një ndër aktoret më të mira të brezit të saj. Karriera e saj pas telenovelës kaloi nga ekrani drejt teatrit, duke interpretuar me kaq sukses edhe vepra të njohura si: “Vdekja e një mbretëreshe”, “10 vjet martesë”, “Amadeusi”, “Shtrigat e Salemit”, “Kopshti i Vishnjeve”, pa hequr dorë nga ekranin i madh me filmat “Tifozët” apo “Tingulli i heshtjes”. Një sfidë po kaq e madhe menjëherë pas roleve, u kthye edhe regjia, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar dramën “Me dyer të mbyllura”.

E ndoshta në këtë moment, kur Eni kishte provuar regjinë, shumë gjëra do të ndryshonin, e fill pas kësaj, një pozicion si regjisore në Televizionin Publik Shqiptar. Një ambient i përkufizuar shpesh si i ashpër, e sidomos për faktin e të qënit femër, por që në fakt nuk ka rezultuar aspak i tillë për Enin, duke mos e mohuar faktin se ende në Shqipëri vijon të ekzistojë steriotipi se femrat nuk janë më të afta se meshkujt. “Nuk mendoj se ka lidhje me të qenit femër ose jo! Ka të bëjë me të dhënat dhe paraqitjen. Sa të favorizon për karaktere të ndryshme që mund të kërkohen”, shprehet ajo duke shtuar se meshkujt e kanë akoma të vështirë që të pranojnë një femër të aftë përballë tyre dhe atëherë kur e kanë një të tillë përballë, përpiqen t’i zvogëlojnë aftësitë e saj.

Eni është shembulli konkret, jo vetëm i një gruaje të suksesshme në aktrim dhe regji, por edhe në familje, duke ju dedikuar të dyjave me po kaq përkushtim, pa lënë asnjërën në hije. Ajo është nënë e dy vajzave dhe të paturit një karrierë të sukseshme shpesh herë do të thotë që familja të kalojë në plan të dytë, por për Enin kjo gjë është komplet e kundërta. Madje në rastin e saj gjërat mund të bëhen akoma më të komplikuara, kur mendon që edhe bashkëshorti i saj, ka po kaq impenjime në aktrim.

Aktorja tregon se për të gjetur ketë ekuilibër nuk ka asnjë formulë, thjesht ka arritur të ndajë prioritetet e momentit apo të ditës. Sepse kur bëhet fjalë për familjen, karriera del në plan të dytë. “Profesioni që unë kam nuk ka orar, por kombinoj oraret e punës duke ndërhyrë sa më pak tek ai familjar, se për fat të keq nuk ke alternativë tjetër, dashje pa dashje i hymë në pjesë. Patjetër që kur bëhet fjalë për vajzat e për shëndetin e familjarëve karriera del në plan të dytë”, shprehet ajo.

Sepse që kur është bërë nënë e dy vajzave të saj, ajo nuk e ka konceptuar këtë rol thjesht si mama dhe bashkëshorte, por si ‘profesion’ më vete. Kështu edhe vështirësitë në punën e përditshme bëhen më të lehta, orët e gjata në punë kalojnë më shpejt, sidomos kur e di se pjesa tjetër e familjes po kujdeset për të bijat. Por, sapo lë pas hijen e rëndë të TVSH-së, ajo vrapon drejt shtëpisë, sepse edhe ato pak orë që kalon në pultin e transmetimit, përkthehen në mall për vajzat, i cili thuajse zhduket si me magji kur sapo hap derën e shtëpisë gjendet para buzëqeshjes së vajzave. Aty Eni dorëzohet pa kushte, sepse pikërisht tek kjo buzëqeshje Eni Jani ka gjetur forcën për të bërë me sukses jo vetëm aktoren dhe regjisoren e suksesshme, por edhe mamanë model.

Në fakt, të gjithë e dinë që bota e televizionit, pjesë e të cilës ajo është prej kohësh, nuk është një ambient aq i lehtë, por një vrap me pengesa dhe sfida të përditshme, sidomos kur meshkujt janë dominues. Sipas saj, vështirësia më e madhe për të gjetur suksesin shpesh nuk ka të bëjë me faktin nëse fusha e profesionit është e dominuar nga meshkujt apo nga femrat, por ka të bëjë më shumë me natyrën njerëzore. “E them këtë se zakonisht ata që nuk kanë aftësi ta bëjnë vetë diçka nuk lënë as të tjerët ta bëjnë. Megjithatë televizioni është shumë kompleks dhe nuk mund të zbehet vetëm me faktin se ke meshkuj përballë. Ndonjëherë femrat janë më të rrezikshme, sidomos kur bëhet fjalë për sukses apo karrierën e dikujt tjetër. Prandaj theksoj natyrën njerëzore”.

Me kaq vite karrierë, e përkufizuar si një aktore dhe regjisore e zonja, madje në një moshë shumë të re, të ardhmen Eni e sheh gjithmonë si një surprizë që duhet zbuluar, jo domosdoshmërisht duke planifikuar se ku e sheh veten pas pesë apo dhjetë vitesh. “Kam ‘frikë’ ta them ku e shoh vetem pas 5 vitesh, se do më prishin punë pastaj”, shprehet ajo duke qeshur. Sepse për të, jeta nis çdo mëngjes me buzëqeshjen plot shpresë të vajzave, me një projekt të ri teatror, kinematografik apo televiziv. Si një udhë e gjatë, herë e drejtë ku i sheh gjërat qartë, e herë me kthesa, pas së cilës diçka e re pritet të trokasë.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF