Intervistë/ Romina Ferra, çelësi i suksesit 0 440

Nga Olsi Kolami

Ata që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me fushën e optikës (klientë, personazhe të ndryshëm që zgjedhin produktet që ajo ofron në tregun shqiptar apo dhe konkurrentë) e identifikojnë si Romina e Italoptik, por pas zonjës me sqimë të hollë fshihet një njeri me një botë të madhe, që ndoshta, nëse në një pikë të jetës së saj ajo nuk do të bëntë atë kthesën 180 gradë, sot do ta takonim si pedagoge në auditorët e Fakultetit të Shkencave!

Nxënësja e ekselencës, emri dhe fotoja, e së cilës gjendet në stendën e më të mirëve ndër vite në shkollën “Sami Frashëri” Romina Ferra, menaxhere e përgjithshme e Italoptik, ndoqi ëndrrën e saj për shkencën, teksa mbaroi studimet e larta për Biologji Molekulare dhe Gjenetike. “Studimet i kam filluar në Angli, ku kam jetuar për 3 vite në Oksford dhe më pas i kam perfunduar në Kanada, ku realizova 4 vite në Toronto”, tregon ajo për revistën BORDO në këtë rrëfim aspak të lehtë për vetveten, pasi kjo nuk është pjesë e natyrës së saj. Në të dyja këto vende, gjatë etapës më të rëndësishme të jetës së saj Romina ka çfarë të kujtojë. “Periudha në Angli është një ndër më të bukurat e jetës sime. Atje mësova meritokracinë dhe sa e rëndësishme është që të jesh i drejtë; t’i vlerësosh të tjerët kur bëjnë diçka pozitive dhe ndoshta t’i kritikosh duke e mbështetur në argument, nëse ka diçka që çalon”, tregon ajo si një anglofile e vërtetë, ku pohon se Anglia ka ndikuar mjaft në formimin e saj. “Madje kjo ka ndikuar dhe në zgjedhjen e firmave indipendente në Italoptik, të cilat janë angleze, amerikane ose të vendeve të Commonwealth”. Detajet dhe nostalgjia për këtë vend në fakt e rikthejnë Rominën pas në kohë dhe ndan me ne edhe një sekret personal. “Për Anglinë gjithmonë më merr shumë malli dhe shkoj gjithmonë me shumë dëshirë. Atje kam njohur dhe dashurinë e jetës sime, bashkëshortin tim, me të cilin më pas vendosëm të shkonim bashkë në Kanada”!

Mandej kujton se studimet e saj në Toronto e kanë kalitur tej mase procesin e dëgjimit, një cilësi, që e ka fituar nga dy profesorët e saj, personalitete të shkencës, e njëkohësisht të dy nobelistë. “Çdo profesionist duhet të kërkojë gjithmonë më shumë nga vetja, sepse duke kërkuar edhe mëson më shumë. E sidomos sot, kur gjithçka evoluon, ndaj ky proces nuk ndalet” – thekson ajo. Pas këtij rrugëtimi vjen edhe kthimi në Shqipëri, një vendim aspak i lehtë! Një sakrificë për dashurinë, për të cilin nuk është penduar asnjëherë! Kështu viti 2005 e rikthehu në Tiranë, vendlindjen e saj, e menjëherë nisi punë si pedagoge në Fakultetin Shkencat e Natyrës dhe pjesërisht tek biznesi i familjes, Italoptik. Por, me çeljen e pikave të reja të këtij rrjeti optike tashmë, Rominës me keqardhje iu desh të zgjidhte. Ajo mori një vendim të vështirë duke hequr dorë nga jeta akademike, por me një pasion të madh për të rritur emrin e biznesit të familjes, i cili falë saj mori një tjetër dimension, duke u zgjeruar edhe tek syzet e diellit, ndërsa më parë fokusi ishte vetëm tek syzet optike.

Sot, pas më shumë se një dekade Romina beson se ja ka dalë mbanë. Pas 13 vitesh e përfshirë në një rol drejtues, si Menaxhere e Përgjithshme e Italoptik, ka kuptuar se të qenit një bizneswomen nuk është dhe aq e lehtë, e sidomos kur stafi rritet përditë, e tok me të përgjegjësitë. Ajo menaxhon tre dyqane të Italoptik: njëra pika historike pranë Selvisë, e dyta në qendrën tregtare TEG dhe e treta në Fier.

Orët e saj të gjata në punë ka ditur që t’i kthejë në një shembull për stafin dhe dedikimin ndaj klientëve, sepse ajo beson se në këtë raport gjithmonë duhet të japë maksimumin. Edhe kur e pyet, ajo është nga ato dëgjueset e vëmendshme, që nuk të ndërpret, por pret të mbarosh pyetjen deri në fund. Kjo ndoshta e kultivuar nga raporti me klientin, për të cilin pohon se gjithmonë jep maksimumin, duke e dëgjuar dhe ju përkushtuar, pavarësisht faktit se cili është ai. “Parimi im është që kur bëj diçka, e ndërtoj gjithçka me pasion. Gjëja më e rëndësishme për mua është të shkoj në punë me dëshirë, jo thjesht për të shtyrë kohën’-rrëfen ajo.

Nga dita e parë në Italoptik e deri më sot është udhëhequr nga parimi se si drejtuese duhet të zbatojë gjithmonë atë që thotë. “Padyshim që është e vështirë për gratë, por duhet të jesh e vendosur në atë që thua dhe të zbatosh ato që thua. Nëse e thua diçka, ndiqe. Nëse tregon vendosmëri dhe se je e aftë, të gjithë krijojnë besim dhe nuk ka lidhje nëse je mashkull apo femër”.

Më këtë parim ka ecur në jetë, me stafin e ngushtë, por edhe kur i duhet të udhëtojë qindra kilometra për të firmosur kontrata me marka prestigjioze, të cilat mbi të gjitha kërkojnë që të zbatosh pikë për pikë atë që ke shkruar në kontratë. Italoptik ka kontrata me marka të njohura për të cilat ka dakordësuar vetë, por kujton se kontratat e saj më të vështira, kanë qenë pikërisht ato me markat australiane për të marrë ekskluzivitetin. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë, por ama duke qenë bindëse, ka arritur të fitojë besimin, sepse ka respektuar gjithçka.

Kur Romina flet për drejtimin e biznesit, e po ashtu një staf të madh për t’u menaxhuar, e pranon se bëhet fjalë për një raport shpesh delikat, por ama ka gjetur të mesmen e artë. “Për menaxhimin e stafit, kam arritur t’ia dal duke zbatuar një fjalë të urtë – Tërhiq e lësho. Sepse stafit i duhet tërhequr vëmendja, duke e vlerësuar dhe motivuar herë pas here, sepse fakti që Italoptik është në këtë stad, është padyshim edhe meritë e stafit”.

Kur e pyet nëse e ka zbuluar çelësin e suksesit, mendon se mbi gjithçka është ndarja e kohës, përkushtim ndaj punës, fëmijëve, bashkëshortit si dhe pjesës tjetër të familjes. Edhe pse orari i saj zyrtar mbaron në orën pesë pasdite, ai domosdoshmërisht pritet me thikë sapo vë këmbën në shtëpi, sepse e di se familja kërkon edhe ajo dozën e përkushtimit. “Bashkëshorti është i pari që do më shumë praninë timë në familje, por edhe fëmijët po ashtu. Djali është në klasën e pestë, ndërsa vajza 4 vjeçe. Secili ka kërkesat e veta. Përpiqem t’i kënaq fëmijët, por edhe t’i disiplinoj për jetën!” Sigurisht që është e vështirë të kryejë me sukses të dyja detyrat, por zgjidhja më e mirë që Romina ka gjetur është të kalojë disa ditë pushimesh duke ju dedikuar tërësisht familjes dhe vetes, për të marrë një energji pozitive, duke u frymëzuar për të nisur gjithçka nga e para. “Relaksi im janë librat dhe udhëtimet. Lexoj të paktën dy libra në muaj. Pushimet më pëlqen t’i kem aktive, dua të eksploroj vendet ku shkoj. Ndërkaq pëlqej shumë edhe të gatuaj. Më duket shumë antistres”, veçon Romina ndër pasionet e saj!

Sigurisht për një profil si i Rominës po aq i rëndësishëm është kurimi i imazhit, aq më tepër, kur në genet e saj rrjedh një histori. të cilën i duhet ta mbajë me të njëjtin standard. Familja e nënës së saj vjen nga familja Dobi në Gjirokastër, ku gratë e këtij fisi dallonin si femrat e veshura më bukur në qytetin e tyre, të dokumentuara madje edhe me fotot e bëra nga Marubi. Tradita familjare dhe kënaqësia e të veshurit bukur janë inspirim për të. “Më pëlqen të vishem bukur dhe të jem e kuruar. Gjëja që më pëlqen të blej më shumë dhe t’i kem të mira janë çantat. Dhe mbi të gjitha syzet i ndërroj shumë shpesh!”

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *